Arsen Banushaj, më shumë se “gol dhe trekanç”

Do kisha parapëlqyer që bisedën me Arsen Banushajn ta bëja me telefon në mënyrë që t’i shkëpusja më shumë detaje, megjithatë vetë lojtari qe i prerë duke më thënë:

“Faleminderit shumë për respektin vëlla por s’jam në kulmin e karrierës që të jap intervista se i kam edhe pak bezdi. Mendova se do dërgoje disa pyetje dhe thashë të përgjigjesha për respekt ndaj teje.”

Duke respektuar vullnetin e Banushajt për të qenë i rezervuar, pyetjet ia nisa nëpërmjet profilit në Instagram dhe aty u morëm vesh.

Arsen Banushaj është futbollist i KF Veleçikut, skuadër e Koplikut në Malësinë e Madhe. Aktivizohet si mbrojtës i majtë por sezonin e fundit në kategorinë e parë e mbylli si golashënuesi më i mirë i skuadrës, me 5 rrjeta të tundura. Për të gjithë ata që ende nuk e dinë, Banushaj e ka të majtën e hidhur dhe u bë i famshëm në rrjet muajt e kaluar pas një goli spektakolar kundër Vorës me goditje dënimi. Gol që u pasua me komentin e veçantë të Bashkim Ramekajt, i cili me pasion e përcolli drejpërdrejt me fjalët:

“Banushi, Banushi, drejt e në portë. Trekanç! Gol dhe trekanc! Gol dhe trekanç! Gol dhe trekanç! Gol dhe trekanç! Banushi, bravo Banushi! Gol dhe trekanç!”

Që nga ajo ndeshje me Vorën, videon e golit e gjeni këtu, e luajtur më 13 dhjetor 2020, “Gol dhe trekanç!” u bë një shprehje që “mori dhenë”. Komentatori Ramekaj u intervistua nga shtypi në Shqipëri, megjithatë pak u interesuan për vetë autorin e atij goli të bukur, Arsen Banushaj.

“Futbollin e kam filluar që në moshë të vogël me ekipet zinxhir të Veleçikut ku dhe vazhdoj t’i jem ende besnik kësaj skuadre. Kam pasur oferta nga ekipe të ndryshme gjatë gjithë këtyre viteve por kam vendosur të kontribuoj për qytetin tim dhe t’i qëndroj pranë familjes”, tregon Banushaj mbi fillimet e tij dhe mundësitë që i janë dhënë për të lëvizur nga Kopliku.

Tifoz i Inter-it, siç tregoi në bisedë e sipër i lumtur nga titulli kampion i zikaltërve, Banushaj veçon kujtimin më të bukur nga karriera dhe çastin më të vështirë:

“Kujtimi më i bukur është ‘gol dhe trekanç’ (qesh). Futbolli në përgjithësi është një sport shumë i bukur por ka edhe ato vështirësitë e veta. Në vitin 2016 pësova një dëmtim të rëndë pas të cilit m’u desh të qëndroja 1 vit e gjysmë larg fushave. Dëmtova shumë keq ligamentin dhe u operova. Kjo ka qenë një periudhë e shumë e vështirë për mua.”

Anësori Banushaj, tashmë 30 vjeçar, vitet e fundit i cilëson si të mira në aspektin vetjak falë përvojës së fituar ndër vite. I pyetur rreth vlerësimit dhe kënaqësisë që ka marrë nga futbolli, duke parë aftësitë për të shënuar gola të rrallë, nënvizon:

“Gjatë viteve kam shënuar gola të ndryshëm nga pozicione dhe distanca të ndryshme pasi kam një goditje të pastër dhe të saktë. Dihen problematikat e futbollit në Shqipëri dhe të them të drejtën nuk mendoj se jam vlerësuar aq sa kam dhënë për sportin.”

Arsen Banushaj në këto vite me fanellën numër 15 të Veleçikut veshur nuk ka befasuar vetëm portierët kundërshtarë, por edhe autorin e këtyre rreshtave kur tregoi lojtarin e tij të parapëlqyer:

“Michel Bastos, një emër që ndoshta shumë pak e njohin. Ka qenë një futbollist me një goditje që ia kam pasur shumë zili.”

Peng në karrierë, Banushaj ka që nuk e provoi veten në nivele më të larta. Sot argëton sportivisht komunitetin e tij në Koplik dhe punon si mësues i edukimit fizik.

Në ndeshjen e famshme me Vorën, Banushaj po me goditje dënimi, tronditi shtyllën e portierit kundërshtar. Bashkim Ramekaj e komentoi: “Uo çfarë ka bërë Banushi sot…”

Andi KASMI

Në rast se dëshironi të vazhdoni të lexoni shkrime të tilla duke përkrahur punën këtu, ky është linku ku secili mund të ndihmojë projektet e faqes sipas dëshirës dhe mundësisë.

Leave a Reply