Komunitet punëtorësh, të ardhurat janë modeste dhe jeta shtyhet përpara me shumë sakrifica e vështirësi. Alan-it të vogël i pëlqen të luajë futboll. Alan-i i madh e këshillon ndryshe: “bir lëre atë sport, të pasurit luajnë golf, provo aty!”
Dëgjon të atin dhe mundohet të gjejë gropat me topin e vogël të bardhë kur kompleksi i golfit është i mbyllur për publikun. Por shënjestrën më thjeshtë e gjen me atë topin pak më të madh, kur e përplas në rrjetë një herë po e një here tjetër prapë po.
Familjarisht tifozë të Newcastle United-it, ashtu si gjyshi dhe i ati, Alan-i i ri sheh ëndrra me fanellën bardhezi veshur. Mundësisht me numrin 9 mbi shpinë, të shënojë dhe të gëzojë poshtë minatorëve të qymyrgurit apo punëtorëve të uzinave si i ati, që të shtunën argëtohen duke parë skuadrën e tyre të zemrës në “St. James’ Park”.
Ëndrra nuk është e thënë të realizohet. Të paktën jo shumë shpejt. Shënon pa fund në kampionatin e shkollave por skuadra e parë që e merr nën kontratë është Southampton. Lë qytetin e tij në moshën 15-vjeçare dhe vazhdon rritjen larg së ëmës e të atit. Nis jeta e vërtetë.
Bashkohet shpejt me skuadrën e të rriturve. Në ndeshjen e tij të dytë me Southampton-in, që është edhe e para si titullar, Alan Shearer nga Njukasëll shënon 3 gola kundër Arsenal-it. Për të nis të flasë e gjithë Anglia e futbollit.
Pas 4 vitesh i duhet të largohet për një skuadër më të fortë. E telefonon Alex Ferguson për te United-i, por është Kenny Dalglish që e takon personalisht dhe e bind të bëhet pjesë e një projekti të ri por shumë ambicioz. Skuadra quhet Blackburn Rovers.
Në sezonin 1994-95, Alan Shearer shpallet kampion i Anglisë, asokohe një histori e rrallë që në ditët tona mund të krahasohet me mrekullinë e Leicester-it të Claudio Ranieri-t. Në të njëjtin vit shpallet edhe lojtari më i mirë i turneut e golashënuesi më i mirë i kampionatit.
Paradoksalisht, ai titull do mbetet i vetmi trofe i fituar nga Alan Shearer në karrierë.
Në verën e vitit 1996, Manchester United kërkon ta bindë sërish për t’u vënë nën urdhërat e Ferguson-it, por Alan Shearer realizon ëndrrën e fëmijërisë dhe bashkohet me skuadrën e tij të zemrës, Newcastle United. Nga 378 gola në gjithë karrierën, 206 të tillë do i shënojë me fanellën bardhezi veshur. 148 prej të cilëve në kampionat. Gola që i feston në mënyrë karakteristike, të dalë mode, dorën e djathtë të ngritur lart…
Rekord pas rekordi, Alan Shearer tërhiqet nga futbolli i luajtur në vitin 2006, pasi për 10 sezone rresht bëri krenarë një komunitet të tërë minatorësh e punëtorësh, duke refuzuar oferta nga Juventus-i, Barcelona, apo skuadrat e mëdha të Anglisë.
Mbeti i thjeshtë Alan Shearer dhe në ndeshjen e lamtumirës iu drejtua tifozëve: “Ju falenderoj për gjithçka më dhatë. Keni qenë të rrallë, në cilin vend tjetër mund ta arrija një kënaqësi të tillë?”