Nëntorin e vitit të kaluar vizituam Torinon. Qëllimi: Përjetimi nga afër i derbit më të vjetër në Itali, Juventus-Torino. Në pjesën qendrore të qytetit, pranë stacionit të trenit Porta Nuova, ndodheshin edhe dy selitë e klubeve rivalë. Ai i Juventusit në një ndërtesë dykatëshe në rrugën Galileo Ferraris 32, ndërsa ai i Torinos në Via dell’Arcivescovado 1. Vizita më e vecantë ishtë ajo në rrugën Parini 8, ku ndodhet edhe shkolla e mesme (it. Liceo classico) Massimo d’Azeglio. Aty më 1 nëntor 1897 do të krijohej FC Juventus, nga një grup nxënësish të këtij instituti, të cilët si ngjyra sociale për skuadrën e sapoformuar, zgjodhën të njëjtat që përdornin vetë në orën e fiskulturës, rozë me një kravatë të zezë.
Hyrja në këtë shkollë ishte emocionuese, ishim të parët gazetarë shqiptarë që e vizitonim. Me lejen e drejtoreshës së liceut d’Azeglio, arritëm të bënim disa fotografi dhe të shikonim nga afër oborrin e brendshëm, në të cilin ndodhej ende pema, poshtë së cilës 117 vite më parë disa të rinj do t’i jepnin formë klubit më të titulluar në Itali. Pranë pemës mungonte stoli i atëhershëm, që tashmë ndodhet në muzeun e Juves, pranë Juventus stadium. Në vitin 2007, me rastin e 110 vjetorit të klubit, liceun Massimo d’Azeglio e vizitoi kapiteni i atëhershëm i Juventusit, Alessandro Del Piero.
Andi KASMI, Torino, nëntor 2014