Otto Maximale

Otto Barić, arkitekt austriak, është i biri i Otto Barić-it, kroat i lindur në Eizenkapel të Austrisë 87 vite më parë. Otto Barić babai, për 15 ndeshje qe trajner i kombëtares shqiptare të futbollit në periudhën qershor 2006 – nëntor 2007.
Me karrierë të pasur, duke u shpallur kampion në Austri e Kroaci, Barić do të zëvendësonte në stolin e Shqipërisë gjermanin Briegel. Te ne vinte pas përvojave si trajner i Austrisë dhe më pas drejtues i kombëtares kroate në Euro 2004.
Shumë i komunikueshëm dhe tepër energjik për moshën, 73 vjeç kur mbërriti në Tiranë, Otto Barić shpeshherë do të merrte titujt kryesorë të gazetave. Si për shembull kur tha në një takim me shtypin: “Tani do ju jap një lajm, të cilin jam i sigurtë që do e nxirrni në faqet e para të gazetave nesër. Peshkun krap për herë të parë në jetën time e kam ngrënë në Shkodër.”
Përveç simpatisë në prezantim, trajneri kroat kishte edhe filozofinë e idenë e tij të lojës, të cilën do e bënte të qartë që në ndeshjet e para: futboll sulmues dhe rinovim i kombëtares, në emra e moshë mesatare.
Afron në ekip Kristi Vangjelin dhe Andi Lilën, por emri më i bujshëm i kohës ishte ai të riut tiranas Jahmir Hyka. Shtypi sportiv e lakonte thuajse përditë, duke e quajtur “Messi i Shqipërisë”, falë një videoje në Youtube kur mesfushori atëherë te Rosenborg-u driblonte kë t’i dilte përpara. Duke e nxjerrë në fund topin jashtë.
Në eleminatoret e Euro 2008, Shqipërisë i bien në grup Hollanda, Rumania, Bullgaria, Bjellorusia dhe Luksemburgu. Të paharrueshme nën drejtimin e trajnerit Barić sfidat kundër “tulipanëve”, ku kombëtarja u mund por prodhoi futboll. Në Amsterdam goli i Debatik Currit pas pasimit të zgjuar të Devi Mukës (Devis Mukaj për të qenë të saktë) është joshës sa herë e shikoj përsëritje në video. Sfida e Tiranës u kushtëzua nga gabimet e gjyqtarëve.
Lojë të mirë ekipi ynë tregoi edhe në barazimin me Bullgarinë në Sofje. Në skuadër Barić riktheu gjirokastritin Altin Haxhi pas një periudhe ku anësori nuk grumbullohej dhe largoi përfundimisht kapitenin Igli Tare. Për herë të parë me Shqipërinë u thërrit edhe Besart Berisha i gjermanëve të Hamburg-ut, që në një miqësore me Anglinë B në majin e vitit 2007 çuditi me lojën e tij sa u mendua se me të e ardhmja e sulmit do ishte e garantuar për shumë vite. Ndodhi ndryshe.
Përvoja e “Otto Maximale”-s me kombëtaren tonë pati fund të hidhur. Dy humbjet 2-4 me Bjellorusinë dhe 6-1 në Rumani bënë që trajneri të jepte dorëheqjen e cila u pranua menjëherë nga FSHF. Zyrtarisht për arsye shëndetësore, por trajneri u ndje i tradhëtuar nga sjellja e lojtarëve në dy ndeshjet e fundit. Me fjalë tjera, që përdoren më shpesh në zhargonin tifozerik, “i shitën dy neshjet e funit me rob shpie”, çka bëri që Barić të linte përgjysmë punën e tij në Shqipëri.
Që prej asaj kohe, nuk drejtoi më një skuadër futbolli dhe dje u nda nga jeta…

Leave a Reply