Luiza Gega, profili i një kampioneje

Sot që flasim, Luiza Gega mban rekordet kombëtare në 8 gara të ndryshme të atletikës, është shpallur nënkampione e Europës në 3000 metra me pengesa, një nga dy sportistët shqiptarë të kualifikuar për në Lojërat e ardhshme Olimpike e megjithatë garon në një qytet që edhe tani që po shkruhen këto rreshta nuk ka një pistë vrapimi për atletët e saj.

E lindur në Bulqizë më 5 tetor 1988, Luiza është e dyta e 5 fëmijëve (4 vajza dhe 1 djalë) të familjes Gega, që në vitin 1990 zhvendoset në qytetin bregdetar të Durrësit. Asnjë prej prindërve nuk është marrë me sport, por në garat mes vajzave në shkollë në orën e fizkulturës, Luiza e klasës së pestë dilte e para duke ia kaluar edhe shoqeve të motrës së saj më të madhe, që ishin në klasë të shtatë.

“E vogël më tregon mami që kam qenë shumë e shkathët, fëmijë i lëvizsshëm dhe pak mistrece. Me sportin e nis si çdo fëmijë edhe unë. Në shkollën ‘Bajram Curri’ në Durrës bashkë me motrën e madhe bënim gara shpejtësie me vajzat e tjera. Atëherë isha në klasë të pestë dhe dilja e para kundër gocave të klasës së shtatë që ishin shoqe me motrën time.”

Megjithatë që Luiza të bëhet pjesë e një ekipi apo t’i futet atletikës duhet të kalojnë edhe pak vite.

“Duke parë dëshirën time për sport, burri i tezes sime, trajner atletike, në moshën 13 ose 14-vjeçare, kur isha në klasë të tetë, më sugjeron që të nis stërvitjen.”

Luiza është akoma e vogël, jeton në Durrës me familjen dhe në Tiranë, te liqeni, zhvillohet krosi kombëtar i distancës 3 kilometra. Për herë të parë merr pjesë në një garë atletike dhe me vetëm 4 muaj stërvitje me klubin e Teutës, shpallet fituese e këtij krosi për të rinj në nivel kombëtar. Nuk ka më kthim mbrapa, vajza është e talentuar dhe drejtimi që duhet të marrë bëhet më i qartë.

“Në gjimnaz regjistrohem te ‘Benardina Qerraxhia’, shkolla e mesme e mjeshtrisë sportive dhe më pas të lartën e bëj në Tiranë te Universiteti i Sporteve.”

Deri atëherë garonte vetëm në Shqipëri por në kryeqytet Luiza Gega takohet me njeriun që do i ndryshojë karrierën.

“Bie në kontakt me trajnerin Taulant Stërmasi i cili në atë kohë stërviste atletë të sprintit ndërsa garat e mia janë të distancave të mesme dhe të gjata. Sa kisha filluar shkollën dhe duke qenë se jam shumë e lidhur me familjen kthehesha në Durrës në çastin e parë që gjeja kohë të lirë. Por me trajnerin e ri ndryshoi regjimi, orari i stërvitjeve, dieta.”

Shkollë apo jo, mall për shtëpinë dhe familjen apo jo, trajneri Stërmasi atletes së re i bën të qartë se rezultatet kërkojnë punë dhe sakrifica. Gjen terren të përshtatshëm pasi Luizës nuk i mungon ambicia dhe këmbëngulja. Vitet që pasojnë sjellin rezultatet e synuara.

“Në Shqipëri dilja e para nëpër gara dhe përmirësoja kohën time. Por një ndodhi e veçantë më bëri shumë përshtypje në Kampionatin Europian të sallave të mbyllura për të rinj në Paris. Ishte viti 2009 dhe unë për herë të parë garoja me ngjyrat kuqezi veshur. Në garë jo vetëm dal e fundit por me diferencë shumë të madhe me vendet e para. Zhgënjimi nuk ishte për rezultatin, sepse ai me punë përmirësohet, por për faktin se isha atlete që përfaqësoja Shqipërinë.”

Luizës i kujtohet edhe sot biseda që bëri me trajnerin e saj në kthim nga Franca dhe sesi vendosën që të punonin akoma më shumë për të shmangur zhgënjime të tilla e për të synuar triumfe të reja.

“Stërvitjet u bënë më të shpeshta, kthimet te familja në Durrës më të rralla dhe sakrificat më të shumta. Përmirësimet u panë që në garat e verës po atë vit.”

Luiza Gega është rekordmene e Shqipërisë në 800 metra, 1500 metra, 3000 metra, 3000 metra me pengesa, 5000 metra, 10000 metra, 21 kilometra dhe në maratonë. Rekordet e para mbaheshin nga Pavlina Evro dhe nuk thyheshin prej më shumë se 20 vjetësh. Nga rekordet e Luizës vetëm ai i 10000 metrave është thyer në Shqipëri, të gjithë të tjerët në gara jashtë vendit.

“Tirana nuk ka një pistë atletike. Na duhet ne atletëve të ikim përditë në Elbasan për t’u stërvitur në kushte minimale. Por është e lodhshme ta bësh këtë rrugë vazhdimisht.”

Mungesa e terreneve është “plaga” më e madhe e sportit tonë në përgjithësi dhe të dëgjosh atleten më të dalluar në nivel kombëtar që shqetësohet dhe ankohet për mungesën e kushteve është një ndjesi mes irritimit për mungesën e përkrahjes dhe habisë për rezultatet e arritura nga Luiza Gega deri më sot. Por edhe hamendësimit se sa medalje tjera mund t’i vinin Shqipërisë nëse do kishim 2 pista për të qenë.

“Unë Andi trajnerin e kam doktor, trajnerin e kam masazhator, dietolog. Për nivelin ku garoj më duhet të paktën 3 herë në javë të bëj masazhe që të çlodhen muskujt, por unë s’i kam këto kushte. Nuk kam as edhe një fizioterapist.”

Luiza Gega me medaljet e shumta dhe rezultatet e vazhdueshme sot përkrahet nga KOKSH-i, sponsorizohet nga 2 kompani dhe është Nëntetare e Forcve të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Gjithashtu atlete e klubit sportiv Tirana.

“Çdo fillim viti bëj një plan me garat më të rëndësishme ku synoj të marr pjesë e në bazë të këtij plani mundohem të organizoj edhe pjesën e buxhetit që nevojitet. Me mungesën e kushteve pjesën më të madhe të verës e kaloj në Korçë pasi atje ka një pistë për stërvitje ndërsa në dimër shkoj në Kenia të Afrikës ku stërvitem shumë metra mbi nivelin e detit duke qenë se i përshtatet më mirë disiplinës sime të parapëlqyer, asaj 3000 metra me pengesa.”

Grumbullimet e shpeshta brenda dhe jashtë vendit bëjnë që rrjedhimisht Luiza të jetojë një jetë larg familjes ku i duhet të përballojë vetë si vetminë, si sakrificën, si sforcimet, si triumfet ashtu edhe dështimet.

“Patjetër që është e vështirë. Sidomos psikologjikisht. Sot mund të them që nuk kam shoqëri. Në shoqëri duhet të jesh e pranishme në raste të mira ashtu edhe të vështira. Por unë jam larg pjesën më të madhe të kohës. Sa në Korçë sa në Afrikë. Ato pak ditë të lira që kam mezi pres të kthehem në Durrës e të rri me njerëzit e mi.”

Duke qenë se jeta në majë është një e tillë e vetmuar, kampionia jonë është e përmbajtur edhe në synimet që ka për të ardhmen.

“Fatmirësisht atletika është sport që matet me rezultatet. I shikon me sekonda ndryshimet për mirë ose për keq. Për sa kohë do vazhdoj të thyej rekorde do qëndroj në këtë sport. Premtime për të ardhmen s’mund të jap. Më lart përmenda që unë s’kam një pistë ku të stërvitem e jo më të jap deklarata se do fitoj këtë apo atë medalje. Synimi më i madh janë Lojërat Olimpike që këtë vit u shtynë për shkak të pandemisë. Në Rio 2016 isha krenare që mbajta flamurin por mbetet pengu im më i madh në karrierë. Në Brazil shkova e dëmtuar në tendinë pa arritur të shërohem për garën time.”

Në bisedë e sipër Luiza e përmend se do i pëlqente të kualifikohej të paktën në garën finale të 3000 metrave me pengesa në Tokio, por është akoma e paqartë nëse Lojërat Olimpike do mbahen ose jo.

“Unë garova si pjesë e Forcave të Armatosura në garat që u mbajtën në Vuhan të Kinës, qyetin nga ku më vonë u përhap virusi. Si rrodhën ngjarjet ky vit ka qenë jashtëzakonisht i vështirë për mua pasi ngela edhe në Kenia për 3 muaj e gjysmë për shkak të pezullimit të fluturimeve dhe me vështirësi të mëdha, pa mbështetje nga institucionet, jam kthyer në Shqipëri.”

Luiza Gega tregon se përpara garave mendon për gjithë lodhjen dhe sakrificat që ka bërë për të arritur deri aty. Përqëndrohet te vështirësitë që ka kaluar dhe me sy gjen vendin ku ndodhet në stadium trajneri i saj të cilin e shikon në garë e sipër dhe prej komunikimit me të kupton nëse po shkon mirë gara ose jo.

“Mundohem ta gjej me sy dhe udhëzimet e tij me zë të lartë më bëjnë të kuptoj si po shkon gara.”

Shpresoj që në Tokio, Luiza ta gjejë shpejt vendin ku ndodhet trajneri i saj, të marrë udhëzimet e duhura dhe të kualifikohet në finalen e 3000 metrave me pengesa pasi të ketë menduar për gjithë lodhjen e botës që e ka çuar deri aty. Pastaj në finale Zoti e di a vjen medalja apo jo…

Andi KASMI

 

 

 

 

 

Leave a Reply