Të jesh Ismet Munishi

Në bisedë e sipër më thotë se pa përfunduar akoma karrierën si lojtar, kishte nisur në bashkëpunim me Nexhmedin Haxhiun ndërmjetësimin e kalimit të futbollistëve shqiptarë në kampionate jashtë vendit. E pyes për emra konkretë e më përgjigjet: “Po Bylykbashin dhe Ndrekën në Ukrainë…”

E ndal dhe i them: “Aha profe, ti mi paske ‘vrarë’ ëndrrat duke ma hequr Dorin nga Partizani.” Qeshëm të dy.

Ismet Munishi lind në Gjilan më 3 tetor të vitit 1974 dhe kur është vetëm 2 vjeç familja e tij zhvendoset në Prishtinë. Në kryeqytet nis të hedhë hapat e parë me topin dhe bëhet pjesë e grupmoshave të Prishtinës, klub që në atë kohë garonte në ligat e ish-Jugosllavisë dhe simpatizohej nga shumë shqiptarë si simbol i rezistencës sportive.

“Në moshën 6 ose 7-vjeçare e kam nisur futbollin. Me Prishtinën, aty ku luante edhe Fadil Vokrri, idhulli im e njëkohësisht lojtari që e konsideroj si futbollistin më të mirë shqiptar të të gjitha kohërave. Arrita deri në ekipin e parë por pa mundur dot të fitoj minuta.”

Për të çarë në futbollin e të rriturve Munishit i duhet të largohet nga klubi ku u formua. E merr Flamurtari, ai i Prishtinës, aty ku bie në sy me teknikën e tij në mesin e fushës dhe veti të tjera që i hapin dyert e kalimit në Europë.

Stacioni i parë është Sllovenia, ku luan me Maribor-in, klub elitar ku ndër vite janë aktivizuar me sukses e kanë fituar trofe disa shqiptarë. Përvoja sllovene do rezultojë e rëndësishme për Munishin në nivel personal, duke qenë se do influencohet nga tekniku Bojan Prašnikar për në karrierën e mëvonshme si trajner. Megjithatë do rikthehemi në këtë pikë pak rreshta më poshtë.

“Vitet 1998 dhe 1999 janë të vështira jo vetëm për mua, por për çdo shqiptar. Aktivizohesha në Turqi me Şekerspor-in kur në vend nisi lufta për liri. Nuk isha i përqëndruar te futbolli, klubi më mirëkuptoi e më mbështeti. Me mundësitë e mia kam ndihmuar familjarë, miq e shokë. Tërhoqa familjen e tezes sime në Turqi por personalisht nuk mendoja më dot për lojën.”

Në kulmin e karrierës, Ismet Munishi rikthehet në kampionatin slloven dhe i pyetur përse nuk u ftua asnjëherë nga kombëtarja e Shqipërisë në vitet kur pranë saj u afruan emra si Arjan Beqaj apo Besnik Hasi, pret shkurt:

“As sot nuk i di arsyet, megjithatë është një temë për të cilën nuk dëshiroj të flas më gjatë.”

Pas Sllovenisë dhe prapë Turqisë e më pas Izraelit, mesfushori ndërkohë kthehet në Kosovë sa herë ka mundësi, që të ndihmojë Flamurtarin e tij.

“Aty kisha gjithë shokët. Duke qenë se kampionati nuk njihej nga UEFA dhe luhej në periudha të pazakonta për turnetë normalë, kur kthehesha në Prishtinë e vishja me qejf për disa ndeshje fanellën e Flamurtarit.”

Janë vite kur Ismet Munishin e shikojmë edhe në kampionatin shqiptar me Laçin (stërvitet pak me Partizanin pa firmosur me klubin) dhe me Besën e Kavajës, klub që merr nga Kosova edhe Alban Dragushën e Shpëtim Babajn.

Gjuhët e huaja, përvoja në disa vende, bëjnë që Munishi të mendojë për karrierën pas futbollit të luajtur. Nis të punojë si agjent lojtarësh me lidhje të forta kryesisht në Ukrainë, ku kalojnë veç emrave të përmendur më sipër edhe Isli Hidi apo Ansi Agolli.

“E njoh mirë kampionatin në Shqipëri. Krahasuar me sot kishte mangësi në infrastrukturë por edhe në organizimet e brendshme në strukturat e klubeve. Koha ecën dhe gjërat janë përmirësuar ndjeshëm.”

Me topin e luajtur, Munishi e mbyll pas përvojave në dy qytete historike të futbollit në Kosovë, Trepçë dhe Gjakovë, ku me Vëllaznimin arrin të qëndrojë në kategorinë e më të mirëve në vitin 2008.

“Punoja si agjent lojtarësh kur në vitin 2013 u privatizua në Vushtrri fabrika e llamarinës ‘Llamkos’. Një mik i imi më fton të bëhem drejtor sportiv i skuadrës së qytetit. Pak më vonë marr drejtimin e ekipit si trajner i parë. Fituam titullin në vitin pasardhës. Me ne ishte edhe i riu Milot Rashica. Kështu nisi karriera ime si trajner…”

Të gjithë ata që sot Ismet Munishin e njohin si “Baba” apo trajneri i shumë diskutimeve dhe polemikave, ose siç thotë MC Kresha “Mjeshtri i Lojnave t’fjalës”, duhet të dinë që pas personazhit mediatik është një njeri i apasionuar që studion vazhdimisht për t’u përmirësuar në profesionin e tij.

Munishi si trajner ka punuar edhe te Drita, Vëllaznimi, Hajvalia, Feronikeli, Besa e Pejës dhe sot është shef i shtabit teknik në Suharekë te Ballkani.

“Të them të drejtën nuk kam qenë zgjedhja e parë në Suharekë. Për arsye të ndryshme klubi nuk arriti të konkretizojë një marrëveshje bashkëpunimi me dy kolegë të tjerë dhe më pas m’u ofrua mua roli i trajnerit. Kam gjetur një ambient të mirëorganizuar dhe që premton për rezultate akoma më të mira në të ardhmen.”

Trajneri përmend se gjeti që në fillim një ekip të mirë me emra si Arbër Hoxha, Artur Magani e Kushtrim Gashi që u përforcua më tej me të tjerë si Blend Baftiu apo Jetmir Topalli që sot luan në Turqi.

“Më gëzon pa masë fakti kur të rinjtë ecin. Klubi duhet ta ketë si politikë kryesore zhvillimin e tyre. Fitorja arrihet në shumë mënyra, më e përkryera për mua është ajo që vjen me përkrahjen e të rinjve vendas.”

Munishi flet edhe për konceptin e tij të lojës dhe thekson se më i pëlqyeshmi për të është futbolli sulmues.

“Më pëlqen loja e bukur. Guardiola, edhe pse vetë jam tifoz i Real-it, ka bërë një revolucion te Barcelona, që vetë e pati zanafillën nga futbolli holandez. Për mua është mënyra më e mirë për të luajtur. Kujdes, nuk po them se e aplikojmë ne te Ballkani konceptin holandez sepse do ishte e tepërt, por po shprehem se është filozofia që më shumë i afrohet times.”

I pyetur për trajnerët që e kanë influencuar kur ishte akoma lojtar, Munishi shprehet:

“Luan Prekazi dhe Bojan Prašnikar, i vetmi që arriti të kualifikojë Maribor-in në grupet e Champions-it. Prej të dyve kam mësuar dhe jam munduar të marr karakteristikat e tyre më të mira. Ndërsa trajneri më i mirë në histori mendoj se është skocezi Alex Ferguson.”

I pyetur rreth të ardhmes, Ismet Munishi i ka planet e qarta:

“Te Ballkani kemi dëshirë të rritemi akoma më shumë dhe në 1 ose 2 vite të jemi sensacion edhe në Europë.”

“Po në Shqipëri o profe, kur do vish të trajnosh?”, i them. E mbyllëm bisedën me të qeshura dhe falenderime.

Andi KASMI

 

 

 

Leave a Reply