Xhevahir Sukaj, bisedë

Xhevahir Sukaj e ka ditëlindjen (5 tetor 1987) në të njëjtën datë kur është themeluar edhe klubi në të cilin jetoi kulmin e karrierës së tij sportive, Sepahan S.C. (5 tetor 1953) i Iranit. I lindur në Shkodër, Xhevo nuk e kishte menduar se do bëhej protagonist i topit aq shumë kilometra larg tokës mëmë.

E megjithatë që të mos ju hutoj me detaje dhe statistika të këtij lloji në rreshtat e mëposhtëm po ju njoh me bisedën që pata dje me sulmuesin me të majtën “e hidhur”.

“O Xhevo, kë shajte pas golit me kokë që i shënove Tiranës në derbi në minutat e fundit?”, e pyes. Më përgjigjet: “Me askënd në veçanti nuk e kisha. Tirana atë sezon po binte nga kategoria dhe gjatë javës në media deklaronin se pikët e qëndrimit do i merrnin kundër Partizanit. Gjithashtu thuhej edhe ‘kush do na i bëjë golat, Sukaj me bark?!’ dhe kur shënova golin e fitores u tregova barkun. Po, Sukaj me bark…”

Intervista me Sukajn qe e gjitha e tillë, me humor dhe me informacione nga karriera e tij brenda dhe jashtë Shqipërisë. Me topin e nis në shkollën “Xheladin Fishta” në vendlindje ku trajner të parë ka Ali Rakiqin e më vonë ndiqet nga Ardian Arra, për të cilin më tregoi se qe personi që e ka mbështetur shumë dhe e ka shoqëruar sportivisht deri kur arriti në ekipin e parë të Vllaznisë.

“Mbaj mend që kam kaluar nga paratërinjtë te ekipi i parë diku në moshën 17-vjeçare. 17 vjeç e gjysmë isha pjesë e Elbasanit që atë sezon (2005-06) u shpall kampion i Shqipërisë. Isha shumë i ri, në sulm luanin Bejzade, Dalipi, Rizvanolli, Nora dhe trajneri Ilir Daja më aktivizoi disa herë si mesfushor i majtë pasi me emrat që kishte ekipi përpara nuk kishte hapësira për mua si adoleshent që isha.”

Medaljen e parë në karrierë në futbollin e të rriturve e fiton në Elbasan, por për të pasur më shumë minuta e rrjedhimisht të shënojë më shumë gola Sukajt i duhet të kthehet në shtëpi te Vllaznia. 2 sezonet që pasojnë janë të suksesshëm në pikëpamjen personale dhe kurorëzohen me trofe në fundin e edicionit 2007-08. Në finalen e Kupës së Shqipërisë të luajtur në “Ruzhdi Bizhuta”, Vllaznia mund 2-0 Tiranën me golat e vetë Xhevos dhe Gilman Likës. Për dy të rinjtë hapen dyert e kalimit në Europë.

“Kujtimi më i bukur që kam nga karriera në Shqipëri duke qenë se ishte trofeu i fundit që ka fituar Vllaznia. Ne ishim ekip me lojtarë të rinj dhe mundëm Tiranën që në përbërje kishte emra si Klodian Duro, Indrit Fortuzi, Daniel Xhafaj. Pas ndeshjes na priti në parlament kryetarja e atëhershme Jozefina Topalli dhe më vonë u kthyem në Shkodër ku kishte dalë i gjithë qyteti në rrugë për të festuar.”

Në Kupën UEFA, Vllaznia eleminon sllovenët e Koper-it në turin e parë falë 2 golave të Sukajt në transfertë. Në turin e dytë në Shkodër paraqitet Napoli. Ka pak histori përsa i përket rezultatit, italianët kalojnë me golavarazhin e përgjithshëm 8-0, por për Sukajn vijnë disa oferta të cilat sulmuesi i kujton edhe sot.

“Gençlerbirliği bëri ofertën më të mirë nga pikëpamja financiare. Në atë kohë isha nën kontratë me Vllazninë dhe duhej paguar edhe klubi për të më lënë të lirë. Emisarë të Sion-it panë finalen e Kupës në Elbasan, bënë dhe ata ofertën e tyre. Pas dy përballjeve me Napoli-n më kërkoi edhe Palermo. Për arsye financiare i refuzova këto dy skuadra meqë turqit ishin të gatshëm të paguanin edhe për kartonin. Ujkani, në atë kohë te Palermo, më pyeste: ‘Shqipe, a je i marrë bre që nuk pranon?’ Karriera ime në atë periudhë mund të kishte marrë drejtim tjetër.”

Në 3 vitet që pasojnë Xhevahir Sukaj nuk gjen qendrueshmëri duke ndryshuar disa skuadra në Turqi, Kroaci, dy rikthime te Vllaznia e deri një huazim në Egjipt. Për të ardhur në janarin e vitit 2012 kur fati e puq sulmuesin shkodran me iranianët e Sepahan-it, të cilët në atë kohë janë forcë kryesore e kampionatit vendas, investojnë shumë dhe kanë në stol kroatin Zlatko Kranjčar.

“Përvojë jete. Pagesa shumë e mirë, në Iran më shoqëronte edhe nusja me vajzën që atëherë ishte fare e vogël. Muajt e parë u mërzita me thënë të drejtën por qe familja që më mbështeti dhe falë Zotit vendosa të mos largohem.”

Në Iran, Sukaj njeh një realitet të ri, krejt të ndryshëm me ambientet ku ka luajtur futboll më përpara dhe bëhet pjesë e Sepahan-it në kohën kur klubi lufton për trofe në të gjitha frontet. Në sezonin e parë aty, shkodrani shpallet kampion ndërsa në të dytin, atë 2012-13, është protagonist dhe golashënuesi më i mirë i skuadrës në të gjitha kompeticionet me 16 gola. Shënon në kampionatin vendas, në Champions League-n e Azisë dhe në Kupën e Iranit që fitohet nga Sepahan-i falë edhe një goli të sulmuesit shqiptar në finale.

“Atmosferë si aty nuk kam parë askund tjetër. Njerëz që jetonin për futbollin, pjesëmarrje masive në stadiume gjigande për nga kapaciteti dhe histori që kur i kujtoj sot duken të pabesueshme. Përpara finales së kupës hidhet me short vendi ku do luhej ndeshja. Na bie të luajmë në stadiumin “Azadi” të Teheranit, fushë pritëse e kundërshtarit tonë, Persepolis.”

Shifrat zyrtare flasin për 97,452 njerëz të pranishëm në stadium më 5 maj të vitit 2013. Megjithatë Sukaj shton:

“Në Iran për ndeshje të tilla dilnin në shitje bileta mbi kapacitet. Ulëset me numra ndodhen vetëm në nivelin e parë të stadiumit dhe normalisht aty hyrja e njerëzve është e kontrolluar. Në sektorët e mësipërm pastaj nuk bëhej fjalë të mos hynin më shumë njerëz sesa kapaciteti i stadiumit. Në atë ndeshje pa frikë kalonte numri i 100,000 tifozëve të pranishëm në stadium.”

Një natë para finales, Xhevahir Sukaj ka një vizitor të veçantë në hotelin ku është grumbulluar ekipi.

“Një nga ministrat e kabinetit të Mahmoud Ahmadinejad-it ishte president nderi në klubin tonë. Më takon para ndeshjes me përkthyes, unë për vete gjuhën perse e kam mësuar pak më vonë. Më thotë ke 20 mijë $ për çdo gol të shënuar…”

Presioni shtohet për shkodranin dhe të nesërmen të parët në avantazh kalojnë futbollistët e Persepolis-it.

“Ndeshja ishte 1-0. Shikoj nga stoli që trajneri Kranjčar kishte bërë gati zëvendësimin tim. Për fat barazoj ndeshjen 1-1 dhe i afrohem e i them: ‘A do më heqësh tani?’”

Goli i shkodranit e çon finalen në shtesa, ku shënohen edhe 2 gola tjerë, nga një për secilën skuadër. Sukaj më pas del nga loja dhe me penallti fiton Sepahan-i (i saktë në goditje tregohet shqiptari tjetër Ervin Bulku) duke e bërë të tijën Kupën e Iranit.

Xhevahir Sukaj luan edhe 2 sezone në Iran ku fiton një tjetër kampionat dhe në fundin e edicionit 2014-15 klubi vendos të ndryshojë objektivat duke ulur pagesat dhe vjen koha e kthimit të sulmuesit shkodran në Shqipëri.

“Nëpërmjet Vioresin Sinanit dhe Devi Mukës nis bisedimet me klubin e Tiranës. Marrëveshja nuk u arrit për mospëlqimin e trajnerit të atëhershëm Shkëlqim Muça dhe presidentit Refik Halili. Një mik i përbashkët me presidentin Demi bëhet shkak që të firmos me Partizanin.”

Afrimi i Sukajt qe i bujshëm në atë verë për të kuqtë. Ndërkohë vetë lojtari e nis mbarë duke shënuar disa gola dhe shpejt vjen java e gjashtë, ajo e derbit.

“Shikoj lojtarët të tensionuar, grumbullimi ndërkohë nis që disa ditë para ndeshjes. Mobilizim i përgjithshëm. Unë vija nga Irani ku njerëzit ‘çmendeshin’ për futboll dhe nuk e kuptoja akoma klimën e derbit në Tiranë. E kisha marrë më qetë. Atë ndeshje me thënë të drejtën nuk luajta mirë, por e çoi Zoti ta shënoja unë golin e fitores 1-0.”

Një javë më vonë Tirana barazoi me Flamurtarin 1-1 dhe trajneri Muça u shkarkua nga drejtimi i skuadrës. Ndikoi shumë në vendim derbi i humbur me golin e Sukajt…

“Njerëzit më thonë se goli më i bukur në derbi është ai me kokë i minutave të fundit. Për mua qe ai i pari. Askush nuk e priste, topi kaloi shumë lojtarë kundërshtarë, rrotullohu e rrotullohu dhe shkoi në cep e drejt në fundin e rrjetës.”

Në 31 ndeshje me Partizanin, Sukaj atë sezon shënon 21 gola, 3 prej të cilëve Tiranës që bëhet “preja” e tij e parapëlqyer.

“Tiranës i kam shënuar si me Vllazninë, si me Partizanin, si me Flamurtarin. Si ka mundësi? Jam përqëndruar gjithmonë shumë kundër tyre. Kur përqëndrohem jam efikas.”

Pas një përvoje pa fat në Malajzi ku thotë se e dëmtuan qëllimisht, Xhevahir Sukaj sot është pjesë e Flamurtarit të Vlorës ku pritet të luajë edhe në sezonin e ri. Me kulmin e karrierës të lënë pas krahëve shkodrani me të majtën e veçantë tregon edhe disa nga shokët më të fortë që ka pasur në skuadër dhe kundërshtarët më të fortë me të cilët është përballur:

“Vioresin Sinani të merrte ‘zvarrë’, Hamdi Salihi kishte veti të rralla ndërsa Mentor Mazrekaj ishte kënaqësi për sytë. Nga kundërshtarët veçoj Nevil Deden si më inteligjentin dhe Rezart Dabullën më të ashprin nëpër dyluftime.”

Xhevahir Sukaj, vetëm 1 ndeshje me kombëtaren tonë, sot është 33 vjeç dhe ka lënë kujtime të mira te tifozët gjithandej ku ka luajtur…

Andi KASMI

 

 

Leave a Reply