Myrto Uzuni, intervistë

Berati në grupet e Champions-it ishte sezonin e kaluar mbrojtësi Gjimshiti, duke arritur të kualifikohet deri në çerkefinale. Nga Berati qe sulmuesi Kliton Bozgo, i cili në fazën e grupeve luajti në edicionin 1999-2000 të “kupës me veshë”, kur ishte pjesë e sllovenëve të Maribor-it. Beratasi i radhës që të do përfaqësojë qytetin e veçantë shqiptar në grupet e turneut më të rëndësishëm për klube në Europë, është Myrto Uzuni, vendimtar me golat e tij në kualifikimin e Ferencvaros-it hungarez 25 vite nga hera e fundit.

Me Myrton bisedova dje në një lidhje telefonike në WhatsApp gjatë së cilës më rrëfeu karrierën e tij dhe më tregoi detaje të jetës duke nisur që nga fëmijëria. “Babai qe shtysa ime e parë drejt futbollit. Tifoz i Brazilit, ai krijoi një skuadër fëmijësh vetëm e vetëm që unë t’u apasionoja pas lojës së bukur. Nga aty pastaj nuk iu ndava më topit”, më tregonte futbollisti i kombëtares sonë.

“Në familje jemi tre fëmijë: motra e madhe, unë dhe vëllai më i vogël. Në moshën 10-vjeçare zhvendosemi të gjithë në Greqi në kërkim të një jete më të mirë. Prindërit kanë bërë punë nga më të ndryshmet, unë vetë ndihmoja në një restorant në ishullin e Zakinthosit, ku qemë vendosur. Ai që kishte restorantin kishte edhe një skuadër futbolli ku unë luajta gjatë periudhës atje. Pavarësisht se isha edhe në shkollë nuk arrita t’i bëja dot letrat. Diçka që do më ndihmonte të përparoja edhe me futbollin.”

Këtu nis një periudhë e vështirë për familjen Uzuni, kohë në të cilën është protagonist adoleshenti Myrto, i cili me topin ka treguar se me mbështetjen e duhur mund të ketë një të ardhme.

“Pa larë akoma borxhet që kishim marrë për t’u nisur drejt Greqisë, im atë vendos që të kthehemi të gjithë në Berat. Sipas tij, ishte mënyra e vetme që unë të vazhdoja futbollin. Sakrificë e madhe vëlla”, sqaronte Myrto në bisedë e sipër.

“Te Tomori fillimisht luaj me paratërinjtë e drejtuar nga trajneri Bledar Fatija e më pas te të rinjtë ku drejtonte Arben Paja. Stërvitesha fort që të jepja më të mirën aty ku isha, por ndërkohë synim kisha ekipin e parë, ku më herët kishin nisur të grumbulloheshin shokët e mi Geland Sharavolli dhe Estref Daullxhiu.”

Thirrja nuk do të vonojë për golashënuesin për të cilin kishte nisur të dëgjonte i gjithë qyteti.

“Polizoi Arbëri, atëherë drejtues klubi, më thërret te ekipi i të rriturve. Në një miqësore kundër Vlorës fitojmë 3-2, ndeshje ku arrij të shënoj 3 gola. Firmos kontratën dhe bëhem pjesë e skuadrës së parë.”

Përvoja në kategorinë e parë nuk zgjat shumë, pasi trajneri vlonjat i Tomorit, Eqerem Memushi ia sugjeron cilësitë e Uzunit tiranasit Artan Mergjyshi, që atëherë drejtonte Apoloninë e Fierit. “Surpriza e vitit”, e cilësonte Memushi talentin beratas.

“Në 2 sezone e gjysmë në Fier gjeta kushte shumë të mira për t’u rritur sportivisht. U stërvita fort dhe u përpoqa me të gjitha mundësitë që të përmirësohesha.”

Sezoni i fundit në kategorinë e parë me Apoloninë, është veçanërisht i frytshëm për Uzunin. 17 gola në 26 ndeshje dhe oferta e presidentit të Laçit, Laska, që paguan për të përfituar shërbimet e lojtarit shpërthyes.

“Në Laç kam bërë sezonin më të mirë në Shqipëri. Trajneri Stavri Nica më përkrahu shumë duke më dhënë hapësirën e nevojshme dhe gjithashtu presidenti më mbështeti duke komunikuar edhe shpesh personalisht me mua, ku më thonte që për të isha lojtari kryesor i ekipit.”

Por ngjitja sportive e Uzunit nuk vjen pa vështirësi. Kombëtaret e moshave nuk e përfillin të riun, i cili ndër të tjera dje më tregonte:

“Në Berat zgjohesha në 5 të mëngjesit për vrap dhe me hundën e skuqur nga i ftohti pyesja veten a do bëhem futbollist…”

Pavarësisht se nuk thërritet nga kombëtaret e grupmoshave U17 dhe U19, ftesa për Uzunin vjen nga ajo U21, me të cilën luan për herë të parë dhe në formacion më 28 mars 2015.

“Trajneri Skënder Gega më thirri i pari. Më besoi menjëherë fanellën me numrin 10”, shprehej dje Uzuni. Për kronikë, bëhet fjalë për kualifikuesen Lihtenshtejn-Shqipëri, të fituar 2-0 nga ne me golat e L. Latifit dhe R. Manajt.

Për t’u rikthyer te përvoja shqiptare që ndryshoi fatet e karrierës së beratasit, ajo me Laçin, Uzuni te kurbinasit vihet në kontakt me Besnik Prengën, lidhjet e të cilit në Kroaci janë të njohura.

“Mësoj se për mua interesohet Lokomotiva e Zagrebit. Profesor Besniku më tha se do më ndihmojë të kaloj atje. Vëzhguesit kroatë vijnë në stadium në një ndeshje të veçantë…”

Këtu rrëfimin po e vazhdoj unë. Luhet ndeshja e kthimit kualifikuese për Europa League, Laçi-Anorthosis Famagusta. E para ka përfunduar me fitoren 2-1 të vendasve në Qipro. Rezultati është 0-0 kur në minutën e 88’ Laçi shënon golin e fitores dhe të kualifikimit për më tej. Autor i tij, me kokë, vetë Myrto Uzuni.

Kalimi në një kampionat të huaj është çështje kohe. Borxhet e ikjes në Greqi, mëdyshjet e mëngjeseve të ftohta në Berat tani janë kujtime të largëta.

“Unë bëj një jetë strikte, mbaj shumë regjim. Viti i parë në Kroaci nuk qe fort i lehtë pasi isha vetëm, në të dytin u bëmë disa shqiptarë dhe kalova më mirë”, tregonte Myrto dje rreth jetës së përditshme në Zagreb.

Forma dhe golat në kryeqytetin kroat bëjnë që Myrto uzuni të realizojë një ëndërr fëmijërie, thirrjen në kombëtaren e madhe.

“Jam ndjerë njeriu më i lumtur në botë!”

Ndërkohë në klub vijnë shumë oferta, konkrete nga Spanja ato të Espanyol-it dhe Mallorca-s. Por prej 6 muajsh këmbëngulin fort hungarezët e Ferencvaros-it, që në fund e bëjnë të vetin lojtarin shqiptar.

“Projekt ambicioz, më thanë shprehimisht se kërkonin kualifikimin në grupet e Champions-it. Për gjysmë viti nuk i ndanë kontaktet me mua. Nuk ia ndaj asnjëherë punës dhe stërvitjes por grupet janë presion i shtuar. Falë Zotit dhe forcës tonë ja dolëm dhe tani do luajmë me ekipet më të forta në Europë.”

Arritje e ndihmuar edhe nga golat vendimtarë të beratasit ambicioz, i cili është rritur duke pasur si idhull në futboll portugezin Cristiano Ronaldo. Në grupe do e ketë përballë në fushë.

“Ka disa ditë që më shkruajnë vazhdimisht shokët. ‘Ronaldo, Ronaldo’ më thonë. Por mesazhi i parë pas shortit më erdhi nga im atë: ‘Bravo bab, t’u realizua ëndrra’, më tha.”

Për të ardhmen Myrto më tha se dëshiron të lërë gjurmë kudo që do luajë, pa iu ndarë punës dhe stërvitjes.

Më bëri përshtypje se Uzuni nuk kishte pakënaqësi dhe polemika karshi askujt. Edhe i ngacmuar nga autori, shprehej thjesht “vëlla nuk kam çfarë të them për këtë”. Një personazh i tillë, në ngritje vetëm falë punës dhe forcave të veta është shembull i vlefshëm për t’u treguar.

Andi KASMI

 

 

 

 

Leave a Reply