Fëmijët e luftës

Në këtë fotografi të shkrepur nga Carol Guzy për “Washington Post”, 2-vjeçari Agim Shala kalohet nëpërmjet gardhit me tela me gjemba dhe merret nga të afërmit e tij në kampin e refugjatëve të luftës së Kosovës, ngritur në Kukës.
Familja Shala nga Prizreni bashkohet kështu në Shqipëri. Një pjesë është sistemuar në tenda, ndërsa tjetra pret që të ngrihet një e tillë për ta brenda kampit. Agimin e vogël e kalojnë mes telave, që mos të presë më rrugëve e të flejë në duart e të afërmve, por të ngrohet e të shtrihet në dyshek, siç duhet të ndodhë për çdo vogëlush të asaj moshe.
Edhe Arjan Beqaj është nga Prizreni. Portieri i kombëtares sonë, bashkë me shokët e ekipit Besnik Hasi nga Gjakova dhe Igli Tare nga Vlora, vendosin që me përfundimin e luftës të zhvillojnë një miqësore mes Shqipërisë dhe përfaqësueses së Kosovës. Ndeshja me qëllime bamirësie, të ardhurat e biletave të së cilës shkojnë për shtëpinë e jetimëve, caktohet të luhet në stadiumin e Prishtinës më 6 shtator 2002.
Shkallët dhe stolat mbushen plot e përplot, shqiptarë ka si spektatorë edhe jashtë vijave kufizuese të fushës së blertë. Kosova, e veshur me ngjyrat kuq e zi, pret Shqipërinë e veshur me të bardha. Bylbyl Sokoli në njëmbëdhjetshin fillestar zgjedh këta lojtarë: Beselica, Abazi, Statovci, Ademi, Kollari, Keqi, Munishi, M. Dragusha, Selimi, Kozniku dhe Llumnica. Dossena i Shqipërisë i përgjigjet me të tijët: Beqaj, Fakaj, Xhumba, Çipi, Hasi, Lala, Mukaj, Murati, Rraklli, Bushi dhe Tare.
Himni kombëtar këndohet nga të gjithë të pranishmit dhe kapitenët Ardian Kozniku e Arjan Xhumba përshëndeten përpara fillimit të ndeshjes. Ndeshja përfundon me rezultatin 0-1, vendosur nga një autogol i Arsim Abazit.
Çfarë më kujtohet nga ajo ndeshje është hyrja në fushë e të riut Lorik Cana, atëherë 19 vjeç, dhe loja e një futbollisti emri i të cilit më është ngulitur në mendje. Luante djathtas dhe quhej Milaim Humolli. Pak emri që i tingëllonte këndshëm, pak ca vrapime në krah, bënë që në sytë e mi të asaj kohe Humolli të dukej më i miri nga futbollistët në fushë.
Fatmirësisht për kombin tonë, gjërat janë përmirësuar. Nuk na duhet më të lëmë shtëpitë e të kalojmë fëmijët mes telave me gjemba e as të presim e përcjellim njerëz që kalojnë jo vullnetarisht Morinën.
Nuk e di ç’bëhet me Milaim Humollin dhe vetë nuk jam më fëmijë që shikon kombëtaren në televizor. Kam një djalë që është pak më i madh se Agimi në foto dhe ky shkrim është në kujtim të vuajtjeve të fëmijëve gjatë luftës së Kosovës…

Leave a Reply