Robin mëngjarashi

Një natë i ati e zgjon nga gjumi dhe i thotë: “Robin, çohu të shikojmë eklipsin hënor!” Aty i biri mëson se toka është një “top gjigand” dhe kjo ide e josh dhe e mbush me entuziazëm, futbolli është pasioni i tij i madh.

I biri i një skulptori dhe një piktoreje, Robin van Persie rritet në një nga lagjet multikulturore të Roterdamit, ku komuniteti i të huajve është i madh në numër. Skuadra më e afërt me zonën është Excelsior-i, me të cilën Robin nis fillimisht të stërvitet. Fusha është afër me shtëpinë dhe djali i çiftit të artistëve me tutat veshur dhe topin në këmbë, distancën e përshkon përditë duke u zbavitur së dribluari. E nis me shokët e lagjes, më pas me shitësit që i dilnin përballë derisa arrinte te drejtkëndëshi i blertë ku takohej me bashkëlojtarët e ekipit.

Në lagjen e tij njihet edhe me marokenen të cilës në shqip emri i tingëllon Bukra (si shkurtimi i Bukuries). Bouchra do të bëhet nëna e ardhshme e dy fëmijëve të tij. Në shkollë Robin është problematik, kapet me mësuesit dhe në jo pak raste përjashtohet nga mësimi.

Në moshën 16-vjeçare largohet nga Excelsior-i për të kaluar te skuadra më e famshme e qytetit dhe nga më të njohurat në Europë, Feyenoord-i. Ka një të majtë të rrallë van Persie dhe në moshë fare të re trajneri Bert van Marwijk e shikon si të gatshëm për ekipin e parë.

Përshtatja me skuadrën e re nuk është e thjeshtë për djaloshin me karakter disi të vështirë. Pretendon të godasë vetë gjuajtjet e lira ndërkohë që në ekip kjo e drejtë i takonte specialistit të enceve, Pierre van Hooijdonk. “Isha në skuadër me futbollistë mbi 30 vjeç që po përpiqeshin të siguronin kontratat e fundit milionere në karrierë. Mbaj mend një ndeshje kupe kundër PSV-së dhe provova një numër me topin. Një nga të rriturit nisi të më bërtiste: ‘Po luan me paratë e mia…’ Vendosa që kur të rritem do jepja tjetër shembull për më të rinjtë.”

Nga Feyenoord-i largohet në verën e vitit 2004. E pret në Londër Arsène Wenger te Arsenal-i. “Sallakja” e bukur e rebelit nga Roterdami nis të çudisë kontinentin. Në 8 sezone nuk arrin të fitojë kampionatin, por bëhet lojtari më i rëndësishëm i skuadrës, e cila vit pas viti humbet Dennis Bergkamp-in dhe Thierry Henry-në.

Pa nisur sezoni 2012-13, Robin van Persie bindet nga Alex Ferguson të veshë fanellën e Manchester United-it. Zgjedh numrin 20, për të synuar titullin e njëzetë në historinë e “Djajve të Kuq”. Ia arrin qëllimit që në përpjekjen e parë. 3 vite në “Old Trafford” pasohen nga kalimi në Turqi te Fenerbahçe. Përveç anës ekonomike, tifozët e skuadrës nga Stambolli i kishin bërë shumë përshtypje në një ndeshje Champions-i shumë vite më parë, kur ishte akoma pjesë e Feyenoord.

Në janarin e vitit 2018 Robin van Persie u kthye te Feyenoord-i, për të mbyllur karrierën. Sot, ish-lojtari feston 37 vjetorin e lindjes. RVP mban rekordin e golave të shënuar me kombëtaren hollandeze, 50. Për mua një nga lojtarët e preferuar, pa luajtur asnjëherë me skuadra për të cilat bëj tifozllëk…

Leave a Reply