No good Mario

– Ç’kuptim kanë tatuazhet që keni në trup?
– Nuk ka rëndësi. Jam këtu për të folur për futboll…Kisha në dorë të përditshmen “La Gazzetta dello Sport” të nesërmen e prezantimit të Mario Mandžukić-it te Juventus-i. Ishte verë e vitit 2015 dhe më bëri shumë përshtypje shkëmbimi i mësipërm i batutave mes lojtarit me një nga gazetarët e pranishëm në konferencë.

Sot është frymëzim për meme “alla Chuck Norris”, por sulmuesi i lindur në Brod të Kroacisë sot 34 vite më parë, detyrën e tij prej profesionisti e bën më së miri. Prej shumë kohësh dhe në vende të ndryshme.

Mario është i biri i Mato-s, edhe ai vetë futbollist në rininë e tij. Në vitin 1992, kur ish-Jugosllavia ishte në shpërbërje e sipër, Mandžukić-ët ndodhen në Gjermani si refugjatë lufte. Rrotull Shtutgartit nis edhe historia e Mario-s me topin.

Me përfundimin e luftës dhe Kroacinë tashmë të pavarur, Mario luan futboll me Marsonia-n, skuadër e Slavonski Brodit, qytetit të tij të lindjes. Gola nuk bën shumë. Me tepër se i talentuar dallon për forcën dhe përplasjet me kundërshtarët në mesin e fushës, pozicion që i pëlqen të mbulojë.

Zhvillimi i tij sportiv pikaset nga klubet e kryeqytetit. Dihet që në Kroaci po luajte mirë, të merr Dinamo e Zagrebit. Mario Mandžukić kalon te Dinamo pas dy sezonesh me NK Zagreb-in.

Këtu nis edhe njohja ime me famën e Mario-s. Vëllai im, tifoz i Dinamos, asaj të Tiranës, zgjidhte përherë Dinamo Zagrebin në turnetë e tij virtualë në një Play Station 2 që huazonim kur ishim fëmijë. “Ia rris nivelin Mandžukić-it dhe bën namin me gola”, më thonte. Ok, dakord!

Pasi fiton trofetë lokalë në Kroaci, Mario Mandžukić rikthehet në Gjermani. Jo më si refugjat lufte, por si futbollist i Wolfsburg-ut, ku aktivizohet për dy sezone. Nga aty kalimi te Bayern-i. Me bavarezët përveç titujve kampion, fiton si protagonist edhe Champions League-n, me gol në finale kundër Dortmundit.

Luftarak e i gatshëm për të luajtur në disa pozicione pa shfaqur pakënaqësi, Mario Mandžukić golat e tij i shënon përherë. Me raste janë të rëndë e vendosin përballje vendimtare.

“Nëse do më duhej të shkoja në luftë, Mandžukić do ishte i pari që do merrja me vete”, deklaronte Pep Guardiola në kohën e tij te Bayern-i. Sezoni 2014-15 e gjen lojtarin si pjesë e Atlético-s së Madridit. Shënon 20 gola por rrugët me Diego Simeone-n ndahen aty. Dy “luftëtarët” nuk “ngjisin” njëri me tjetrin.

Nis aventurën me fanellën e Juventus-it veshur. Luan si sulmues anësor, si pykë, shënon dhe çan herë pas here vetullën e majtë. Mario nga Slavonski Brod, pavarësisht karizmës së memeve, në radhë të parë është lojtar i besueshëm dhe golat e tij i bën përherë.

Me 33 gola në 89 ndeshje për Kroacinë, u tërhoq nga futbolli ndërkombëtar pas Kupës së Botës në Rusi. Jo pa e përplasur rrjetën në një gjysmëfinale e një finale botërori. Mario-s nga Slavonski Brod, dikur i pëlqente të luante në mesfushë ku kontakti me kundërshtarët mund të ishte më i ashpër, por vetullën mund ta çash edhe si sulmues pykë…

Leave a Reply