Shën Iker

Gjyshi nga babai, oficer i Gardës Civile spanjolle, gjatë kohës në detyrë qe caktuar me shërbim në Bilbao, qytet ku vendosi të qëndronte e jetonte edhe pas daljes në pension. Për këtë arsye, si Iker-i ashtu edhë i vëllai Unai, më i vogël në moshë, mbajnë emra baskë pa patur origjinë të tillë.

Fati desh që Iker-i, mbiemri Casillas, lindur sot 39 vite më parë, të mbronte për herë të parë portën e Real-it të Madridid pa mbushur akoma 19 vjeç në stadiumin “San Mamés” të Bilbaos përballë vendasve të Athletic-ut.

Për të arritur deri aty, kthehemi pas në kohë. I biri i një punonjësi të Ministrisë së Arsimit dhe një floktoreje, Iker që në moshë të vogël regjistrohet në Akademinë e të rinjve të Real-it, njohur ndryshe si “La Fábrica”.

Në moshë të vogël, diku te 7 a 8 vjeç, i ati e porosit: “Merre këtë biletën me parashikimet dhe shko paguaje.” I vogli jo vetëm që nuk e kreu porosinë e të atit por paratë e biletës i harxhoi për qejfin e vet. Skedina përmbante parashikimet e sakta të 14 ndeshjeve të kampionatit spanjoll. Vlera fituese shkonte më shumë se 1 milion euro sot.

Pavarësisht këtij incidenti, Iker Casillas rritet i mbarë. Në moshën 16 vjeçare, në pushim të madh në shkollë, një punonjës i klubit i kërkon të lërë mësimin e të bëhet gati. Skuadra e parë ka nevojë për një portier të dytë në ndeshjen kundër Rosenborg-ut e vlefshme për Champions League.

Radha për të qenë titullar i vjen pak vite më vonë. 3 ditë pasi ka mbrojtur portën e Real-it në kampionat, më 15 shtator 1999, Iker Casillas me fanellën numër 27, rreshtohet në vijën fatale të katërkëndorit “merengue” përballë grekëve të Olympiakos-it. Në të njëjtin edicion, 19 vjeç e katër ditë, fiton si titullar Champions-in e parë me Real-in në finalen spanjolle kundër Valencia-s.

Me mëngë të shkurtëra, gjatësi mesatare dhe shumë reflekse, Iker Casillas shpejt shndërrohet në një prej portierëve më të mirë e të besueshëm në botë. Pritje me këmbë, dalje të shpejta dhe karakteristika prej udhëheqësi, bëjnë që spanjolli me fytyrë gjimnazisti shpejt të marrë tipare burri e të bëhet nga interpretuesit më fitues që ka parë historia e rolit.

Në 16 sezone te Real-i, fiton 3 herë Champions-in dhe 5 herë kampionatin. Në kombëtare emërohet kapiten pas largimit të Raúl González-it dhe fiton radhazi Europian-Botëror-Europian duke u shndërruar në legjendë. Pritja një për një kundër Robben-it në finalen e Johanesburgut vlerësohet pothuajse sa goli i fitores në shtesa nga Iniesta.

Vitet e fundit në Madrid u karakterizuan me polemika, të cilat nisën kur trajner ishte Mourinho e u përforcuan në epokën Ancelotti. Disa gabime dhe përqëndrimi i ulët në çaste vendimtare rezultuan në diskutimin e rolit prej titullari dhe humbjen në favor të kostarikanit Navas. Villiam Vecchi, trajner portierësh dhe ndihmës i Ancelotti-t do shprehej: “Në një ndeshje futbolli, për portierin ka më shumë topa të lartë sesa dyluftime një kundër një, prandaj duhet stërvitja”, duke lënë të kuptohet mungesën e impenjimit te Casillas.

Me futbollin e mbyll te Porto në Portugali. Rekorde të panumërta në emrin e tij, medalje të shumta dhe një karrierë kur në kulmin e saj, Iker Casillas mund të konsiderohej edhe më i miri në botë. Ndryshe “Shën Iker” për tifozët e Real-it…

Leave a Reply