“Gjashta” e tërhequr

Giuseppe, i vëllai 2 vite më i madh në moshë është pjesë e të rinjve të Inter-it. Hapat e tij në lojën e bukur i ka ndjekur edhe Franco, i cili luan me skuadrën e zonës në një qytezë pranë Breshias, aty ku kanë lindur të dy.

Në majin e vitit 1974 provon të bashkohet me vëllain e madh te Inter-i, por verdikti i trajnerëve zikaltër është dëshpërues: “Hajde prapë vitin tjetër, duhet të rritesh akoma.” Nuk dorëzohet Franco dhe çasti i tij vjen kur një nga trajnerët që mori pjesë në provën te Inter-i tani punon për llogari të Milan-it. Quhet Italo Galbiati dhe e fton të provojë fatin në anën kuqezi të Milanos.

Pjesa tjetër nuk është akoma histori. Do bëhet shumë shpejt e tillë. Franco mbiemrin e ka Baresi dhe është një nga lojtarët më punëtorë te të rinjtë e Milan-it. Fillimisht i krijon probleme shtati i shkurtër, atipik për një lojtar që luan në qendrën e mbrojtjes. Megjithatë talenti dhe vendosmëria ia kalojnë çdo pengese që del rrugës. Fiton besimin e trajnerëve te skuadrat e moshave dhe shumë shpejt për Franco-n hapen dyert e ekipit të parë.

Trajnerit Marchioro i duhet një mbrojtës për një ndeshje miqësore. Nga të rinjtë i sugjerojnë Baresi-n. Në ndeshjen e parë, me topin në këmbë disa herë lë pozicionin e tij dhe del përpara. Trajneri në publik i tërheq vëmendjen: “Djalosh, të mora të luash në mbrojtje.” Më pas e merr veç dhe i thotë: “Bravo, vazhdo kështu.”

Sezoni 1977-78 është i pari me skuadrën e të rriturve. Gjithsej në karrierë do luajë 20 të tillë. Me vetëm një fanellë veshur. Atë kuqezi. Shpejt bëhet kapiten i skuadrës dhe shiritin në krah do e mbajë në 15 kampionate.

Luan si libero, ka forcë, vizion, është pozicional dhe bëhet një nga lojtarët më të mirë në Itali. Përherë i heshtur, përherë sportiv dhe korrekt me kundërshtarët. Nga Milan-i nuk pranon të largohet as kur skuadra rrëzohet në Serinë B për skandalin e basteve në fund të sezonit 1979-80 dhe është aty kur drejtimin e klubit e merr Silvio Berlusconi.

Në epokën Sacchi dhe atë Capello, Baresi është udhëheqësi në fushën e lojës dhe njeriu që ngre trofetë në qiell. Nuk janë pak: 6 kampionate, 3 Champions League e 2 Kupa Interkontinentale.

Me kombëtaren e Italisë mbahet mend për penalltinë e humbur në finalen e Botërorit SHBA ’94 dhe lotët në fundin e ndeshjes. Në vitin 1997 tërhiqet nga futbolli i luajtur dhe fanella me numrin 6 vendoset të mos vishet më nga asnjë lojtar tjetër i Milan-it në të ardhmen, rasti i parë në futbollin italian.

Sot Franco Baresi, për të gjithë milanistët kapiteni, feston 60 vjetorin e lindjes…

 

 

Leave a Reply