Në Tetovë

5 vjeç ishte Mujdini nga Poroj i Tetovës kur në qytet u themelua Klubi i Futbollit Shkëndija. Sipërmarrja qe e guximshme pasi emri ishte shqiptar dhe për ngjyra sociale të klubit të ri u zgjodhën ato të flamurit tonë kombëtar, e kuqja dhe e zeza. Fare i vogël ishte Mujdini për të kuptuar, por ngjarja sportive e 27 gushtit të vitit 1979 do ishte një prej atyre që do ndikonin në formimin moral dhe patriotik të vogëlushit dhe të rinjve në ambientet përreth Tetovës.

Mujdin Aliu, i biri i Qerimit dhe Haxhires, lind në fshatin Poroj më 15 janar të vitit 1974 dhe rritet në një familje ku përveç tij janë edhe dy vajza. Në ato vite në Tetovë ekzistonte një shoqëri sportive e emërtuar “Shkëndija”, me disiplina në volejboll dhe karate, klub i cili në vitin 1979 vendos të krijojë edhe disiplinën në sportin më popullor të globit, në futboll. Shpejt KF Shkëndija do bëhej klubi më i dashur i zonës edhe falë veprimtarisë në jetën shoqërore të Tetovës. Ndihmuar nga anëtarë të klubit që kishin emigruar më parë në Europë, të rinjtë më të dalluar në sport mbështeteshin me bursa studimi.

Përveç pikëpamjes sportive, të rinjtë merrnin edukim me frymë kombëtare, çka nuk u pa me sy të mirë nga pushteti qendror jugosllav. Nuk do të vononte shumë dhe në harkun kohor të dy viteve, më 1981, do vinte ndalesa e parë. Kur në mars të vitit 1981 në Kosovë shpërthejnë demonstratat që nisin pas incidentit në mensën e Universitetit të Prishtinës, pasojat e kryengritjes do i vuajnë shqiptarë në gjithë ish-Jugosllavinë. Një nga masat e marra qe pezullimi i gjithë klubeve apo shoqatave sportive, mes tyre edhe Shkëndija e Tetovës.

Duhet të vinte viti 1992, me Jugosllavinë tashmë të shpërbërë, që shqiptarët e Maqedonisë (sot e Veriut) të mund të ushtronin të lirë aktivitetin e tyre sportiv. Shkëndija rimëkëmbet, fillimisht në volejboll e më pas në futboll, ku klubi nis të garojë nga Liga e Katërt për t’i ngjitur më vonë shkallët një e nga një. Por kësaj radhe dalin në pah tensione të reja për shqiptarët e asaj treve.

17 shkurti është ngjarje e shënuar për Tetovën, pasi në rrethinat e saj nisi punën i pari universitet i gjuhës shqipe në territorin e të sotmes Maqedoni e Veriut.

17 shkurtin e vitit 1995, në fshatrat Poroj (aty ku lindi Mujdin Aliu) dhe Reçicë e Vogël pushteti qendror maqedon dërgoi forcat speciale për një arsye krejtësisht të pazakontë: banorët vendas, në pamundësi për të shkuar drejt Shkupit apo Prishtinës (këtu si pasojë e mbylljes së kufirit nga Serbia) për të kryer arsimin e lartë, mbështeten nga intelektualë vullnetarë shqiptarë në çeljen e të parit universitet në gjuhën amë, Universitetit të Tetovës.

Universiteti, i themeluar më 4 qershor 1994 dhe i zyrtarizuar si i tillë nga faktori shqiptar më 17 dhjetor të të njëjtit vit, nis punën në fshatrat e sipërpërmendur më 16 shkurt 1995. Një ditë më vonë, rreth 300 trupa u dërguan për të ndalur mësimin. Studentëve dhe profesorëve i vjen në ndihmë popullsia vendase, por përpjekja për të mësuar në gjuhën shqipe lahet me gjak. Atë ditë mbetet i vrarë 23 vjeçari Abdylselam Emini, martir i Universitetit të Tetovës dhe mes shumë të arrestuarve figuron edhe emri i rektorit të parë, Pofesor Doktor Fadil Sulejmanit.

Mujdini Aliu tani është një djalë i rritur, të atin Qerim ia kanë ndaluar disa herë për veprimtari kombëtare, ndërsa vetë është mjaftueshëm i vëmendshëm dhe i pjekur për të kuptuar ç’po ndodh me shqiptarët përreth. Nëse në Porojin e tij nuk e patën për gjë t’i vrisnin një thuajse bashkëmoshatar sepse njerëzit donin të mësonin në gjuhën mëmë, atë shqipe, në Kosovë situata dukej edhe më e rëndë.

Në marsin e vitit 1998, në Prekaz pothuajse e gjithë familja Jashari flijohet në emër të idealit të lirisë. Ngjarja mobilizoi të rinj e të reja nga e gjithë shqiptaria për t’u nisur drejt Kosovës e për të luftuar krah për krah me bashkëatdhetarët e tyre të pushtuar. Mes tyre edhe Mujdin Aliu nga Poroj i Tetovës. Në kryeveprën e tij “Lulja e Koshares”, Ilir Shaqiri këndon:

“Po gjëmon Kosova (heuu)
gjakun n’ballë na ngriu,
niset për Koshare (heu)
trim Mujdin Aliu,
trim Mujdin Aliu.”

Në tetor të të njëjtit vit, Mujdini nga Poroj bashkon forcat me luftëtarë të tjerë në Zonën Operative të Dukagjinit. Është në krye të detyrës kur 9 prillin e vitit 1999, njësiti “Kobra” i Brigadës 138 nis në orët e para të mëngjesit një sulm frontal me armikun. Qëllimi është thyerja e kufirit shqiptaro-shqiptar, në mënyrë që armët dhe materialet logjistike që vinin nga Shqipëria mëmë të kalonin lirshëm për të furnizuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Beteja e Koshares, pas 86 vitesh heq vijën ndarëse mes shqiptarëve të republikës dhe atyre që janë në luftës kundër zgjedhës sllave. E bën çizmja e ushtarëve, e cila i vë shkelmin gurit kufitar duke e rrëzuar atë përfundimisht. Mujdini hidhërohet kur dy ditë më vonë bie dëshmor komandant “Katana”, Agim Ramadani, ndërsa shokëve të tij u thotë se në rast se do ketë dhe ai të njëjtin fat, amanet trupin duhet t’ia kthejnë në Poroj të Tetovës.

Sot 21 vite më parë, Mujdin Aliu i bashkohet përjetësisë duke rënë në krye të detyrës. 25 vjeçari hidhëron shokët dhe bashkëluftëtarët, të cilëve u bie ngarkesa e transportimit të trupit në vendin e tij të lindjes. Nga Kosova në Maqedoni është e pamundur, në kufi kalonin vetëm trenat me shqiptarët e Kosovës të dëbuar nga shtëpitë e tyre. Zgjidhja është nëpërmjet Shqipërisë mëmë. Trupin e çojnë fillimisht në Tiranë, ku përgatitet dokumentacioni sikur Mujdin Aliu ka humbur jetën në territorin e republikës, e nga aty për në Poroj. Sërish Ilir Shaqiri te “Lulja e Koshares”:

“Babë Qerimi ashpër (heu),
largohu i thotë natës,
mirë se vjen n’Poroj (heu)
o flamur i babës,
o flamur i babes.”

Të dielën e 18 prillit të vitit 1999, Mujdin Aliu i mbështjellë me flamurin kombëtar, kthehet në vendlindje si dëshmor dhe përcillet nga shokë e të afërm për në banesën e fundit. Emri i tij sot nderohet nga ata që jetojnë të lirë dhe kujtohet me respekt e përulje për veprën dhe sakrificën e tij në kërkim të lirisë.

Sot në Maqedoninë e Veriut, shqiptarët nuk i vret më njeri nëse dëshirojnë të shkollohen në gjuhën amë. Shkolla e lartë shqipe në Tetovë, u njoh vetëm pas firmosjes së Marrëveshjes së Ohrit dhe në janar të vitit 2004 u zyrtarizua si Universiteti Shtetëror i Tetovës. Jo pa kërkuar sakrifica të mëdha më parë.

Kur në shtatorin e vitit 2004 Shqipëria mundte 2-1 Greqinë në “Qemal Stafa”, rrugës për në stadium, te rrugica përballë ambasadës amerikane unë dëgjoj me veshët e mi një grup njerëzish që thërrisnin “Te-te-te-to-va”. Është kujtimi im i parë rreth tifozerisë shqiptare në atë trevë.

Për surprizën e të gjithëve, Shkëndija fitoi për herë të parë kampionatin maqedonas të futbollit në sezonin 2010-11. Pasi vuajti probleme financiare, klubi në verën e vitit 2013 kaloi nën pronësinë e kompanisë ndërkombëtare “Ecolog” dhe aktualisht dominon futbollin e Maqedonisë së Veriut duke synuar vit për vit trofetë madhorë të kampionatit.

Shkëndija vijon të vishet kuqezi, tifozët e saj këndojnë shqip ndërsa unë pata nderin ekipin ta ndjek nga afër tre vite më parë në Finlandë, kur eleminonte në Helsinki HJK-në vendase në një përballje të vlefshme për Europa League…

Leave a Reply