Apache

Darío Coronel dhe Carlos Alberto Martínez janë dy vogëlushë të së nëjtës lagje, Fuerte Apache, në Ciudadela të Buenos Airesit. Të dy luajnë mirë futboll dhe i shikon pothuajse gjithë ditën me top në këmbë.

I pari ka pseudonimin “guacho” (i varfër, jetim), por ka të tjerë që e thërrasin “Cabañas”, pasi është me origjinë nga Paraguaji dhe nofka i vjen prej sulmuesit paraguajan Roberto Cabañas, ish-lojtar te Boca Juniors.

Thonë se “Cabañas” është pak më i mirë se shoku i tij Carlitos. “Guacho” shënon më shumë gola dhe është kapiten i skuadrës. Janë miq të mirë njëri me tjetrin, por garojnë kush është më lart në futboll. E pashmangshme.

Në moshën 11-vjeçare, Darío dhe Carlos merren në provë nga Vélez Sarsfield, klub futbolli në Buenos Aires me 10 tituj të fituar në Argjentinë. Provën e kalon vetëm i pari, paraguajani. I ka të gjitha premisat për t’u bërë lojtar i madh. Por…

Darío Coronel nuk ka mbështetjen e duhur dhe rrethohet nga një ambient “jo i shëndetshëm” për t’ia dalë në futboll. Pas stërvitjes me Vélez-in, “guacho” kthehet të luajë futboll në lagje, në Fuerte Apache. Aty, shokë, përveç Carlitos-it, ka edhe djem më të mëdhenj në moshë që e shtyjnë në rrugë të keqe. Shpejt nis të tymosë apo më keq akoma dhe bëhet pjesë e një grupi keqbërësish që merret me grabitje të dhunshme.

Vetëdijen nis ta humbë më shpesh kur përveç tymit, fillon edhe të thithë. Nuk paraqitet në stërvitje për javë të tëra dhe klubi pasi e kërkon edhe nëpër skutat më të errëta në Fuerte Apache, në një farë pike dorëzohet dhe detyrohet ta lërë shkojë lojtarin më të fortë që ka.

Në një tentativë grabitjeje me grupin e tij, Darío Coronel qëllon për vdekje një polic dhe që nga ai çast shndërrohet në “carta blanca” (zhargon i përdorur për njerëzit në kërkim që policia i vriste pa paralajmërim e më pas e inskenonte ngjarjen si vrasje pas një përplasjeje të armatosur).

Në vitin 2001, i rrethuar nga policia, Darío e di që nuk e pret as burgu e as ndonjë institucion riedukimi. Ka vrarë dhe do e vrasin. Zgedh një rrugë më të shpejtë. Është vetëm 17 vjeç dhe vetëvritet me një plumb në kokë…

Në të njëjtin vit e në të njëjtën moshë, Carlos Alberto Martínez debuton në kampionatin argjentinas me fanellën e Boca Juniors-it veshur. Pavarësisht fundit të lumtur, për Carlitos-in vështirësitë nuk kanë munguar.

Lind pa e njohur kurrë të atin (i vrarë me armë zjarri) dhe merr mbiemrin e së ëmës, Fabiana “Trina” Martínez. Nuk ka as 10 muaj jetë, kur një enë e mbushur më ujë të nxehtë i shkakton djegie të mëdha në trup e fytyrë duke i lënë shenja që i mbart edhe sot. Qëndron 2 muaj në spital e më pas adoptohet (ose merret në kujdes) nga tezja Adriana Noemí Martínez dhe burri i saj Segundo Raimundo Tévez.

Këta të dy i japin kujdesin prindëror dhe e orientojnë t’i shmanget rreziqeve që i morën jetën shokut të tij të fëmijërisë, Darío Coronel. Gjithashtu, Carlos Alberto Martínez do marrë edhe mbiemrin e Segundo-s, burrit të tezes dhe ne sot të gjithë e njohim futbollistin si Carlos Tévez, “el jugador del pueblo” me trofe të fituar në Argjentinë, Brazil, Angli, Itali dhe Kinë…

Leave a Reply