Hendrik Johannes Cruijff

Kur im atë ishte adoleshent Johan Cruijff mahniste Europën me futboll.
Me informacionin e pakët, ndalimin e kanaleve televizive të huaja në Shqipërinë e kohës, mundësinë për të kënaqur sytë e zemrën me futbollin e më të mëdhenjve vetëm në Kupa Bote apo Kampionate Europiane (domethënë 1 herë në 2 vjet mesatarisht), nuk e di si ky hollandez me pamje prej artisti ka arritur të influencojë shijet futbollistike të tim ati, i cili edhe sot e përdor si etalon cilësinë e elegantit nga Amsterdami. Sidomos kur i “ikën zari” me ndonjë futbollist: “Sa e kanë fry kët, urraaaaa, si me qenë Krujfi…”

Hendrik Johannes Cruijff lindi 73 vite më parë si i biri i shitësve në një dyqan fruta-perimesh, Hermanus dhe Petronella. I ati është tifoz i madh futbolli dhe pasionin për lojën e ka tejçuar te dy djemtë e tij, Henny dhe Johan. Cruijff-ët banojnë vetëm disa metra larg stadiumit “De Meer”, aty ku luan Ajax-i. Në disa raste edhe fati i puq gjërat mirë e mirë.

Familja pëson një dramë kur Johan është në moshën 12-vjeçare. I ati pëson një atak në zemër që i rezulton fatal për jetën. Ndodhia lë shenjë të madhe në rritjen e vogëlushit, i cili ëndrrën e tij në futboll e vazhdon me përkushtim edhe në nder të kujtimit të të atit. Shpejt, nëna dhe dy djemtë e vegjël do hasin në probleme financiare. Zonja Petronella, Nel për të afërmit, e mbyll dyqanin që punonte me bashkëshortin e ndjerë dhe gjen punë diku tjetër. Bëhet pastruese në klubin e Ajax-it. Në disa raste edhe fati i puq gjërat mirë e mirë.

Ajax-i shndërrohet për ta në një lloj familjeje, por më e madhe, me më shumë anëtarë. Anëtar i ri bëhet edhe Hank Angel, që kujdeset për mirëmbajtjen e fushës ku stërvitet dhe luan ndeshjet skuadra. Hank martohet me zonjën Nel duke u shndërruar në një tjetër figurë të rëndësishme në jetën e adoleshentit Johan.

Ky i fundit shkëlqen me moshat e bardhekuqve të Amsterdamit dhe si shpërblim, klubi e cakton si kapës topash në një ndeshje të madhe, finalen e Kupës së Europës që në edicionin e vitit 1962 luhet në kryeqytetin e Hollandës. Benfica e Béla Guttmann mund 5-3 spanjollët e Real-it të Madridit dhe i riu Cruijff magjepset nga talenti i argjentinasit Alfredo Di Stéfano, pavarësisht se ky i fundit qe pjesë e skuadrës humbëse.

Kontratën e parë si profesionist e firmos në moshën 16-vjeçare, diçka e rrallë për kohën. Cruijff pret çastin e tij për të luajtur me skuadrën e parë, mundësi që i jepet 3 vite më vonë nga trajneri anglez i Ajax-it, Vic Buckingham. Është 15 nëntori i vitit 1964, skuadra fiton 3-1 dhe njërin prej golave e shënon debutuesi Johan Cruijff.

Në vitin 1965 drejtimin e skuadrës e merr trajneri i ri Rinus Michels. Fatet për Ajax, Cruijff, Michels dhe futbollin botëror do të ndryshojnë një herë e përgjithmonë. Ajax-i nga skuadër normale kthehet në një të tillë fituese dhe nis një cikël triumfesh që do shënojnë jo vetëm historinë e klubit por të gjithë ambientin e lojës së bukur. Në fundin e viteve ’60 dhe fillimin e atyre ’70, amsterdamasit fitojnë 4 herë kampionatin dhe me Rinus Michels-in në krye të parën Kupë Europe nga tre rresht në vitet 1971-73.

Interpretuesi më i talentuar dhe spektakolar i këtij botëkuptimi të ri të të prodhuarit futboll quhet Johan. Mbiemrin e ka Cruijff, është diku te 180 cm i gjatë dhe në fushën e lojës krijon, shënon, drejton, pason, luan, mahnit, godet, stopon, kënaqet dhe kënaq. Është epoka e futbollit total, shfrytëzimit të hapësirave, sulmit dhe mbrojtjes në bllok, topkëmbës argëtuese, portierit që di të luajë mirë me këmbë dhe rrjedhimisht përhapja e këtij stili bëhet masive kudo në botë.

Si Michels ashtu edhe Cruijff nga Ajax-i kalojnë te Barcelona në Spanjë. I pari është trajneri, i cili shkon në Katalonjë në vitin 1971, menjëherë pasi ka fituar Kupën e Europës dhe më vonë ndiqet nga “katërmbëdhjetëshi”. 14 si numri që Johan mban mbi shpinë në një kohë kur rregullorja lejonte numrat nga 1 te 11 për formacionin titullar. Një version thotë se 14 ishte numri i tij i preferuar pasi aq kishte moshën kur fitoi trofeun e parë me Ajax, një tjetër pasi ishte i pari numër që gjeti në dhomat e zhveshjes kur shoku i skuadrës Arnold Mühren i kërkoi atë me numër 9, që Cruijff mbante zakonisht.

Me Ajax, Johan zgjat kontratën dhe fiton dy Kupa të tjera Europe, shpallet futbollisti më i mirë në botë dhe me trajnerin e ri, rumunin Ștefan Kovács që ka zëvendësuar Rinus Michels-in, nuk i ka punët keq. Madje teknikut i dikton disa zgjedhje në formacion dhe bëhet si tip trajneri në fushën e lojës. Në ato vite shiriti i kapitenit te Ajax-i qarkullonte me rotacion, çdo sezon një lojtar. Të njëjtën metodë ndjek edhe Kovács, por vendos që kësaj radhe lojtarët ta ndajnë me votë emërimin e kapitenit të ri. Në balotazh fiton Piet Keizer me 12 vota. Episodi e trondit deri në ofendim futbollistin më të famshëm në botë për kohën që menjëherë vendos të largohet. E merr në Spanjë Barcelona pas 2 Topash të Artë, 3 Kupa Europe, 6 kampionatesh të fituar me Ajax-in.

Është viti 1973 kur prezantohet në Katalonjë dhe shprehimisht thotë:
“Më kërkoi edhe Real-i i Madridit, ofruan pagë më të lartë por nuk mund të shkoj te klubi i Gjeneralit Franco.”
Katalanasit gjejnë “profetin” e ri. Barcelona ishte e katërta nga fundi kur mbërriti Cruijff. Në fund të sezonit 1973-74 është e para, fiton titullin pas 14 sezonesh “thatësirë” dhe triumfon 5-0 në “Bernabeu”. Më mirë se kaq nuk ka ku të shkojë.

Në të njëjtin vit Rinus Michels merr drejtimin e Hollandës, futbolli spektakolar i së cilës në Kupën e Botës ndalet në finale, ku mundet nga Gjermania. Të gjithë mbrojnë e të gjithë sulmojnë, por rezultati final është i hidhur. “Shënuam që në minutën e 1’, më pas harruam të bëjmë golin e dytë…”
Kapiteni Cruijff fitoi sërish “Topin e Artë” por pa mundur të ngrejë në qiell Kupën e Botës.

Nga Barcelona Johan largohet në vitin 1978, jo pa u shndërruar protagonist i një tjetër gjesti domethënës. Kur në shkurt ’74 vjen në jetë i biri, Cruijff vendos ta quajë Jordi, si shenjtori i Katalonjës, Sant Jordi. Spanja frankiste e kishte ndaluar përdorimin e emrave katalanas, për këtë arsye vetë Johan kthehet në Hollandë dhe e regjistron atje emrin e të birit. Për lindjen e të birit ka dhe një tjetër histori. Arrin të bindë të shoqen Danny që djalin ta lindë me operacion, në mënyrë që vetë Johan disa ditë më vonë të ishte i gatshëm për ndeshjen vendimtare kundër Real-it.

Karrierën si futbollist e vazhdon në SHBA, ku bën një mik të mirë në botën e futbollit, Franz Beckenbauer.

“Të dy e dimë që jeta në majë është një e tillë e vetmuar.”


Miqësi e çuditshme pasi “The King” dhe “Der Kaiser” në karrierë u përballën në vetëm 4 ndeshje, mes të cilash një finale botërori.

Të përbashkëta patën shumë gjëra, duke nisur nga numri 3 i finaleve të fituara në Kupat e Europës (sot Champions); asnjëri nuk mori pjesë në Kupën e Botës më 1978 pavarësisht se ishin ende futbollistë aktivë dhe të dy pas përvojës në Amerikë karrierën e mbyllën me rivalët më të mëdhenj të klubeve ku u shndërruan në legjenda, Cruijff te Feyenoord-I dhe Beckenbauer te Hamburg-u.

Si hollandezi ashtu edhe gjermani nisën të trajnojnë në sezonin 1984-85. Asnjëri prej tyre nuk dispononte liçensën e trajnerit dhe “shpikën” dy tituj që i përshtateshin rolit: Cruijff drejtor teknik te Ajax-i ndërsa Beckenbauer “team leader” te kombëtarja gjermane.

Në fakt, të dy qenë shokë skuadre te Cosmos-i në dy ndeshje miqësore, por më pas NASL-ja vendosi që hollandezi të kalonte në Los Angeles Aztecs me qëllim që jo gjithë yjet të përqëndroheshin te e njëjta skuadër.

“Miqësia jonë nisi në fushë dhe u kultivua me vitet, kur shkoja për ski pranë vendit ku banonte Beckenbauer. Ushtronim sport bashkë dhe darkave uleshim për të biseduar.”

Pas karrierës si futbollist, Johan Cruijff nisi atë të trajnerit. Filozofinë e tij estetike në interpretimin e lojës e përçoi te të rinjtë e Ajax-it dhe bëri të madhe botërisht Barçan.

Organizoi sistemin zinxhir, perfeksionoi lidhjen mes skuadrave të moshave dhe ekipit të parë, futi lojën me topin në tokë (tiki taka e ka një origjinë) dhe fitoi si trajner të parin Champions me klubin katalanas në edicionin 1991-92.

U tërhoq nga futbolli aktiv në vitin 1997 për problem në zemër dhe duke iu frikësuar faktit se i ati qe ndarë nga jeta nga një atak kardiak. Mbajti role këshilltari te klubet e zemrës, Ajax dhe Barça dhe shkroi libra, artikuj e studime. Gjithashtu në jetë Johan Cruijff ka ndërmarrë disa nisma sociale dhe ka lënë citime si të mëposhtmet:

“Të luash futboll është e thjeshtë, por të luash futboll të thjeshtë është gjëja më e vështirë që ekziston. Duhet ta kontrollosh topin, sepse është një i vetëm dhe është thelbësore ta kesh mes këmbëve.”

“Të luash në rrugë mund të duket e dëmshme, por në të vërtetë sjell shumë dobi pasi trotuari nuk është pengesë. Është një hapësirë ku mund të përmirësosh teknikën me pasimet njësh-dysh. Kur topi kërcen në kënde dhe sipërfaqe të ndryshme duhet të jesh gati për ta stopuar dhe më mirë se në rrugë nuk ke ku e mëson.”

Ndoshta kjo shprehje, e shpjegon më mirë profilin e rrallë të lojtarit, trajnerit dhe filozofit Hendrik Johannes Cruijff:
“Cilësia pa rezultate është e kotë, rezultati pa cilësi është i mërzitshëm.”

U nda nga jeta pas një sëmundjeje të rëndë sot 4 vite më parë. Emrin e tij sot e mban stadiumi kryesor i Amsterdamit…

Leave a Reply