Rombo di tuono

Ishte vetëm 9 vjeç Gigi Riva kur i thanë se i ati atë ditë nuk do kthehej nga puna. As atë ditë e asnjë ditë tjetër. Ugo, punëtor fabrike ndahej nga jeta pas një aksidenti tragjik në orarin e punës. Linte vetëm të shoqen Edis, së cilës i binte përsipër barra e rritjes së fëmijëve të vegjël.

Përpiqet shumë, megjithatë fundi i muajit për të venë është i vështirë për t’u arritur dhe pas pak kohësh vendos që të birin Luigi ta regjistrojë në një kolegj françeskan. Aty të paktën vaktet e ushqimit do i ketë të sigurtë. Jeta në kolegj për të voglin shpejt kthehet në makth. Muret e tij i “zënë frymën” dhe ëndërron që një ditë të punojë në ofiçinë. Mund të rregullojë, të ngasë makina e të largohet nga ky vend ku e detyrojnë të lutet përditë e ku zbavitjet pothuajse nuk ekzistojnë.

Ia del në moshën 15-vjeçare. Nis punë si ndihmës mekanik ndërkohë pasditeve merr biçikletën dhe niset për në fushën e futbollit në Lexhuno (Leggiuno), fshat në Lombardi. I pëlqen kjo jetë. Është i lirë, arrin të përfitojë të ardhura falë punës në ofiçinë dhe pasditeve argëtohet duke luajtur me top.

Janë pikërisht aktivitetet e pasdites që do i ndryshojnë rrënjësisht jetën. Gigi është i gjatë dhe ka një të majtë të “hidhur”. Goditjet i ka të forta e të sakta. Në pak kohë shndërrohet në më të mirin e zonës. Aq shumë gola shënon sa në gjurmët e tij bie Inter. Te zikaltërit prova nuk rezulton e suksesshme por për të riun Luigi Riva ky nuk është problem. Ia ka dalë të rritet pa baba e larg nënës…

Kalon te Legnano në Serinë C. E majta edhe aty e nderon. Shënon gjithashtu gola me kokë. Ekipet e mëdha nisin të interesohen për të. Bologna dhe Cagliari bëjnë oferta konkrete. Luigi shpreson ta marrin të parët. Do jetë më afër miqve dhe të motrës Fausta. Cagliari është në ishull, në skajin tjetër të Italisë.

Me futbollin Gigi dëshironte të fitonte aq të ardhura sa t’i mundësonte një jetë të qetë së ëmës. Nuk qe e thënë. Zonja Edis ndahet nga jeta kur i biri është 16 vjeç.

“Isha i inatosur me jetën kur u nisa për në Sardenjë. Në kolegj kisha vuajtur nga depresioni dhe fare i ri gjendesha pa asnjërin prej prindërve.” E merr Cagliari. Sezoni i parë luhet në Serinë B. Shënon 10 gola dhe ndihmon skuadrën të ngjitet në kategorinë e më të mirëve. Vitet e Gigi Riva-s te Cagliari janë më të mirët e historisë së klubit. 3 herë shpallet kryegolashënues, 1 herë skuadra shpallet nënkampion ndërsa në sezonin 1969-70, Luigi Riva dhe Cagliari i tij renditen në vendin e parë, shpallen kampionë të Italisë.

Me kombëtaren fiton Europianin në vitin 1968 dhe del nënkampion bote në Meksikë ’70. Ofertat për të kaluar te Juventus e Inter nuk mungojnë, por Riva zgjedh të qëndrojë te Cagliari, duke u shndërruar në një mit lokal. I qetë dhe përherë korrekt, Gigi Riva nuk i kursente cigaret që tymoste: “Ato që kam fikur më me qejf kanë qenë 258, po aq sa golat që kam shënuar te Cagliari…”

Edhe sot, me 35 gola, Luigi Riva është sulmuesi më rezultativ që ka patur ndonjëherë kombëtarja italiane. Pas largimit nga futbolli, Riva për shumë vite punoi si shoqërues i lojtarëve të Italisë, pozicion që e mbajti deri në vitin 2013.

Pavarësisht një jete të kaluar në ishull, u kthye gjithashtu edhe në shtëpinë e prindërve. Shembi të vjetrën e ndërtoi një të re, për të mos harruar rrënjët e tij dhe nderuar kujtimin e atyre që e sollën në jetë.

“Futbollin e kam patur pasion. Por fundja bëhej fjalë për të shkelmuar një top të dielave. Ajo që më bën krenar është respekti i njerëzve pas përfundimit të karrierës…”

Luigi Riva në Sardenjë është si Maradona në Napoli. Ndoshta diçka më shumë, pasi në ishull jetoi edhe pasi e mbylli si lojtar dhe me përulësinë e tij shërbeu si shembull për më të rinjtë.

“Në karrierë kam peng vetëm diçka, që nuk munda dot të gëzoja prindërit e mi…”

Leave a Reply