Derbi i fundit

Të dielën e 28 tetorit të vitit 1979, 33-vjeçari Vincenzo Paparelli bashkë me të shoqen Wanda niset për në stadiumin “Olimpico” të Romës. Luhet Roma-Lazio, derbi i qytetit. Çifti vendoset në Curva Nord, sektorin e tifozerisë laciale. Vincenzo merr një simite dhe pret nisjen e ndeshjes ndërkohë që bisedon me bashkëshorten.

Kjo e fundit tmerrohet kur papritur i shoqi gjendet i shtrirë përtokë, pa ndjenja, i gjakosur dhe me një objekt të ngulur në syrin e majtë. Thërret fort për ndihmë por shumë prej njerëzve përreth largohen në panik e sipër. Në përpjekje për t’i ardhur në ndihmë, përpiqet t’ia heqë objektin nga syri por një shpërthim i vogël bën që të djegë dorën.

Objekti në fjalë është një raketë (fishekzjarr i fuqishëm) e gjuajtur nga Curva Sud, ku qe vendosur tifozeria romaniste. Pasi përshkon një distancë rreth 150 metra tubi i hekurt i raketës fatkeqësisht zë tifozin e Lazio-s Vincenzo Paparelli në kokë, duke i dëmtuar krejtësisht anën e majtë të saj.

Wanda nis të bërtasë “të lutem Vincenzo mos vdis, kemi 2 fëmijë për të rritur” kur ambulanca vjen të japë ndihmën e parë. Përpjekjet janë të kota. Babai i dy fëmijëve ndahet nga jeta rrugës për në spital. Mjeku që e mori përsipër foli për “plagë që nuk i kam parë as në luftë”.

Atë ditë të diele, në stadium Vincenzo kishte hyrë me abonenë e të vëllait Angelo, i cili preferonte që derbin gjithmonë t’a shikonte në shtëpi pasi i druhej incidenteve. Si qëllim kishte kalimin e një dite argëtuese në shoqërinë e të shoqes por në shtëpi fatkeqësisht nuk u kthye më i gjallë.

Forcat e rendit vendosën që ndeshja të luhej për të shmangur probleme të mëtejshme, megjithatë tifozeria e Lazio-s disa herë u përpoq të kalonte rrethimin e të hynte në fushë. Policia si autor të krimit identifikoi 18-vjeçarin Giovanni Fiorillo, bojaxhi atë kohë i papunë.

Fiorillo u arratis për pothuajse 14 muaj, kohë gjatë së cilës disa herë telefonoi familjen Paparelli për t’i kërkuar falje. U dënua me 6 vite heqje lirie dhe në vitin 1993 u nda nga jeta pas një sëmundje të rëndë. Në shtyp u përmend edhe versioni i vdekjes nga mbidoza.

Vincenzo Paparelli, 33-vjeçar me profesion mekanik, u vra përpara një derbi Roma-Lazio. La pas të shoqen dhe dy djem, ndërkohë që në nder të tij sot ekziston një përkujtimore në hyrjen e Curva Nord. Kujtohet shpesh nga tifozeria laciale dhe qe viktimë fatkeqe e një periudhe trazirash në tribunat italiane…

Leave a Reply