I vrarë disa herë

Nuk urinonte dot, por askujt prej mjekëve, infermierëve, apo rojeve në spitalin e burgut nuk i tregonte të vërtetën. “Jam rrëzuar nga shkallët”, pëshpëriste sa herë e pyesnin se ku i kishte marrë ato plagë.

Stefano Cucchi, gjeometër 31-vjeçar me banim në Romë, arrestohet nga një patrullë e karabinierëve natën e 15 tetorit të vitit 2009. Gjatë kontrollit, agjentët gjejnë në makinën e të ndaluarit 21 gramë hashash, 3 doza kokaine dhe ilaçet që Cucchi përdorte për epilepsinë, sëmundje që e mundonte prej kohësh.

Shoqërohet në komisariatin “Casilina” të Romës ku rrihet barbarisht gjatë pyetësorit. Raffaele D’Alessandro, Alessio Di Bernardo dhe Francesco Tedesco quhen karabinierët që marrin pjesë në këtë pyetësor. Sipas hetimeve të mëvonshme, rezulton se dy të parët i shkaktojnë 31-vjeçarit plagë të rënda në kokë, sy, stomak, mes. Në komisariat, Cucchi-t i thyejnë nofullën dhe nga dhuna e ushtruar ka hemorragji në fshikëz dhe dy fraktura në shpinë.

Të nesërmen paraqitet në gjykatë, ku merret vendimi për ta lënë në paraburgim 1 muaj. Ka vështirësi në ecje dhe flet me ndalesa relativisht të gjata kur i përgjigjet pyetjeve që i drejtohen. “Jam i pafajshëm për akuzën e trafikut të lëndëve narkotike dhe e pranoj akuzën e zotërimit të tyre për përdorim vetjak”, shprehet. Nuk akuzon askënd për dhunën e pësuar, madje as të atit të pranishëm në sallë nuk i ankohet. Mjaftohet me një “më mirë mos të kisha dalë nga shtëpia”.

Është hera e fundit që të dy bashkë shihen për së gjalli.

Një natë zgjat qëndrimi në burgun “Regina Coeli”, pasi pas një kontrolli të mëtejshëm në spital vendoset transferimi i të ndaluarit në klinikën – burg “Sandro Pertini”.

Disa herë i ati dhe e ëma tentojnë ta vizitojnë, por nuk arrijnë ta shikojnë të birin për shkak të pengesave burokratike. Në spitalin “Pertini” gjendja shëndetësore e gjeometrit të dhunuar përkeqësohet. Pavarësisht kujdesit të mjekëve, plagët e marra i rezultojnë fatale.

Mbyll sytë më 22 tetor 2009, pa patur mundësinë për të parë edhe një tjetër herë prindërit apo motrën Ilaria.

Njoftimin familjes ia japin në mënyrë akoma më dramatike. Një agjent policie i shkon të ëmës me letrat e autopsisë për të firmosur. Nga një arrestim rutinë për zotërim lëndësh narkotike në kobin e vdekjes.

Opininoni publik dhe lajmet e dala flasin për vdekje të shkaktuar nga epilepsia, kequshqimi, përdorimi i drogës. Por është e motra Ilaria që nuk gjen paqe kur shikon trupin e të vëllait. Plagët janë shumë të rënda dhe i kërkon agjencisë funerale të shkrepë disa foto.

I zmadhon (mund t’i gjeni në Google, nuk kam ndërmend t’i postoj këtu) dhe i bën publike disa ditë më vonë. Ngjarja merr përmasa kombëtare. Politikanë në Itali degradojnë të riun në drogaxhi e të sëmurë, për shoqërinë civile hetimet duhet të thellohen e të zbulohet e vërteta

Nis një betejë 9-vjeçare ku fillimisht akuzohen e më pas dalin të pafajshëm mjekët e spitalit të burgut për mungesë provash. Një tjetër proces nis në vitin 2017. Kësaj radhe përqëndrohet te karabinierët, që akuzohen për vrasje nga pakujdesia dhe moskallëzim krimi.

Akuzat nuk pranohen, deri kur më 11 tetor 2018, njëri nga agjentët e pranishëm atë natë, Francesco Tedesco del hapur: “Stefano Cucchi u dhunua nga dy kolegët e mi Raffaele D’Alessandro dhe Alessio Di Bernardo. E goditën në fytyrë, kokë dhe pasi e përplasën në tokë i gjuajtën me shkelma në bark dhe shpinë.”

“Dhuna e tronditi Stefano-n. Pasi dolëm nga dhoma ku ishim hodhi kapuçin mbi kokë e nuk tha më asnjë fjalë…”, tregon ndër të tjera karabinieri Tedesco, dëshmia të cilit i jep një tjetër drejtim hetimeve dhe këto dy javë ka detyruar funksionarë e politikanë italianë t’i kërkojnë ndjesë publike familjes Cucchi.

Mes tyre edhe ish-ministri neofashist Matteo Salvini për të cilin më parë “Cucchi ishte i droguar, nuk të rreh njeri kot”.

Rasti Stefano Cucchi ka prekur gjerësisht këto vite edhe tribunat e tifozëve, ku shpesh janë shfaqur mesazhe në kërkim të drejtësisë dhe në mbështetje të motrës së viktimës, Ilaria, këmbëngulëse këto 9 vite në kërkim të së vërtetës.

Mësofshim nga gabimet dhe e shndërrofshim botën në një vend më të jetueshëm…

Leave a Reply