Fati i keq i portierit të mirë

“Fëmija që zgjedh të luajë në portë gjunjët i ka të çarë dhe bëhet më shumë pis se të tjerët nga balta e sakrificës…”

Në portë, në fëmijërinë e tij zgjodhi të qëndrojë edhe Robert Enke. Rol të cilin do e kryente deri në fundin e jetës së tij, që fatkeqësisht qe e shkurtër.

I biri i një psikoterapisti, paradoksalisht Enke u nda nga jeta i sëmurë me depresion ndërsa ishte në kulmin e karrierës së vet futbollistike.

Më 10 nëntor të vitit 2009, portieri i Hannover dhe titullari i projektuar i Gjermanisë në Botërorin e vitit 2010, zbriste nga makina e tij “Mercedes” dhe i dilte përpara një treni duke i dhënë fund jetës në mënyrë tragjike.

Vendi i ngjarjes ishte diku rreth 200 metra distancë larg vendit ku pushonte e bija e tij Lara, e ndarë nga jeta në moshën 2-vjeçare pas një sëmundjeje në zemër.

Njeri me personalitet të mbyllur, Robert Enke nuk pëlqente të qëndronte nën reflektorë dhe zhvillonte një jetë të rezervuar. Me përvoja sportive në Portugali, Spanjë e Turqi, kapiteni i Hannover, sipas asaj që u mësua më vonë, nuk ia falte vetes faktin që ishte në gjumë në kohën kur e bija e tij ndahej nga jeta.

Pas çdo seance stërvitore, Robert Enke shkonte drejt spitalit ku kurohej e bija, e cila problemet në zemër i vuante që nga lindja. Në një prej këtyre pasditeve, Enke dremiste ndërsa Lara e vogël largohej nga kjo jetë.

Sipas një studimi mbi depresionin nga Universiteti i Hamburgut “gratë kërkojnë ndihmë, ndërsa burrat vdesin”.

I tillë qe edhe fati tragjik i Robert Enke-s, njeriut që Gjermania do i besonte portën në Kupën e Botës në Afrikën e Jugut…

Leave a Reply