Derbi i Myzeqesë

“Kur luhej futbolli i burrave, ne nuk fitonim kurrë në Fier dhe Fieri kurrë në Lushnjë!”

Verës, kur nisemi për plazh në jug të Shqipërisë një ndalesë në Lushnjë është bërë rit: byreqet aty të japin atë kripën e nevojshme për të sjellë në formën e pushimeve. Duhet thënë që çdo vit që kalon, prodhuesit e zonës po e prishin dorën me cilësinë!

Qyteti tjetër që vjen pas ndalesës së parë është Fieri, kryesisht temë bisede për trafikun në zonën e Levanit dhe emrat e veçantë të fshatrave (kujto atë Varibop) që e rrethojnë. Trafiku gjithsesi lehtësohet pas Levanit dhe në Fier nis rruga e mirë e autostradës që të çon drejt Vlorës.

Që ta mbyll me këtë diskutim prej amvise apo shoferi, në zonën e sipërpërmendur ndodhen dy skuadra futbolli që përballen me njëra-tjetrën në një prej ndeshjeve derbi me më shumë interes në Shqipëri: Apolonia dhe Lushnja.

Takimet mes ekipeve të dy qyteteve tërheqin një numër të madh tifozësh në stadium, pavarësisht faktit se rrallëherë Apolonia dhe Lushnja kanë patur pretendime për dy trofetë madhorë, Kupën e aq më pak kampionatin. Ndeshjet mes dy skuadrave diskutohen shumë përpara bilbilit hapës të gjyqtarit dhe mbartin një ironi e rivalitet që pak sfida e kanë.

Rivalitet i cili është thelluar më shumë me përcaktimin e hartës administrative territoriale të Republikës së Shqipërisë, ku në Qarkun e Fierit përfshihen bashkitë e Divjakës, Lushnjës, Roskovecit, Patosit dhe Mallakastrës. Kjo ndarje akoma nuk “kapërdihet” nga lushnjarët, të cilët ato 73 km² (785 Fieri, 712 Lushnja) më shumë të fqinjëve, i cilësojnë të pamjaftueshme për të qenë kryeqendër e Qarkut. “Duhet të shkojmë deri në Fier për një firmë dhe shpeshherë mbarojmë punë të nesërmen”, të thonë nëpër biseda.

Mbaj mend personalisht sezonin 2008-09, kur dy skuadrat u paraqitën denjësisht në kampionatin shqiptar dhe tifozeritë dhuruan spektakël në stadium në 3 përballjet Apolonia-Lushnja. Fierakët atë kampionat drejtoheshin nga trajneri i etnisë boshnjake Esad Karišik, i cili arriti të formonte një skuadër që prodhonte futboll të këndshëm.

Nga ai kampionat shkëputet edhe historia e mëposhtme, e cila zhvillohet më 29 nëntor 2008 në stadiumin “Roza Haxhiu”, Lushnja 3-1 Apolonia:

“Sezoni 2008-09 na gjente ne Superligë. Ky ishte fillimi, pas 5 viteve qe kishin kaluar dorë për dore me gjyshin nëpër stadiume të Shqipërisë, kishte ardhur koha që përveç se ta shikoja, ta kuptoja futbollin më shumë dhe po aq shumë të më rritej dashuria per ekipin e qytetit tim.

Kishim 2 objektiva: mbijetesën dhe fitoren në derbi. Ndeshje që me historitë që më tregonte gjyshi Fieri nuk fitonte kurrë në Lushnjë dhe ne nuk fitonim kurrë në Fier.

E pyesja, pse Apolonia? Sigurisht në fjalët dhe ndjenjat e tij kishte diçka që e mundonte, plagë të hapura vite më parë. Një finale kupe, i kishte ngrirë buzqëqeshjen dhe hequr besimin te futbolli I pastër.

Në ndeshjet kundër Fierit qyteti ishte ne festë dhe stadiumi plot. Në tribunë, gjithmonë 80 minuta i shikoja me gjyshin, pasi 10 minuta nga fundi i çdo ndeshjeje ai largohej, nuk mund t’i përballonte emocionet. Çuditërisht jo atë ditë.

Kryesojmë 2-1 me gola të Gersi Arbrit dhe Dorian Bubeqit. Për Apoloninë pati shënuar Srećković. 5 minuta nga fundi njëfarë Sissoko shënon të tretin dhe vulos fitoren. Delir në tribuna kur më thërrasin: ‘O djali shiko se ke gjyshin sëmurë!’ Dha jetë atë ditë në stadium. Aty ku më trashëgoi pasionin për futbollin i pushoi edhe zemra.
Në një ditë kur fituam ndaj rivalëve tanë më të mëdhenj.”

Nëse më sipër lexuat për një finale të diskutuar, bëhet fjalë për të mëposhtmen:

“Fituese e Kupës së Shqipërisë, Apolonia. Kupën, kapitenit të saj, Dashnor Bita, ia dorëzon zëvendës ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, zoti Kreshnik Tartari.”

Është 6 qershor i vitit 1998. Një pasdite e nxehtë në Tiranë, akoma më shumë pranë Liqenit Artificial, aty ku ndodhet edhe stadiumi kombëtar “Qemal Stafa”. Afërsisht 10 mijë njerëz janë në shkallët e tij për të ndjekur finalen e Kupës së Shqipërisë.

Përballë Apolonia e Fierit dhe SK Lushnja. Derbi i Myzeqesë për herë të parë luhet për të diskutuar një trofe. Pjesa karshi mbushet pothuajse e gjitha me tifozë. Ndeshja fitohet 1-0 nga fierakët, vendos goli i Romeo Haxhiajt.

Si në çdo histori shqiptare, nuk mungojnë dyshimet për lëshim… Personalisht tërhiqem nga çdo aludim për mungese informacioni.

Apolonia dhe Lushnja luajnë sërish sot. Në fushë nuk do jenë Kujtim Majaci për vendasit e as Saimir Malko për miqtë. Emrat e mëdhenj në futbollin e sotëm luajnë në tjerë qytete. Në aksin Lushnjë-Fier, protagonistë janë tifozët…

Leave a Reply