Kapiteni i heshtur

Qe një ndër lojtarët më fitues dhe përfaqësues në të gjithë historinë e Juventus-it por vlerësimi më i madh ndonjëherë për të është kujtimi që ka lënë ndër njerëz. Pothuajse unanimisht të gjithë thonë: “Gaetano Scirea qe një njeri i mrekullueshëm. I sjellshëm, i matur, i përulur dhe përherë i qetë.”

Karakteristika të rralla për dikë që në karrierën si futbollist fitoi: 7 kampionate, 2 Kupa Italie, 1 Kupë Interkontinetale, 1 Champions League, 1 Kupë UEFA e 1 Kupë Kupash. Shoqëruar me Kupën e Botës të fituar si protagonist në Spanjë në verën e vitit 1982.

I afruar në Torino nga radhët e Atalanta-s, mbrojtësi Gaetano Scirea bëhet menjëherë pjesë e formacionit bardhezi pavarësisht moshës së re. Tregon pjekuri e siguri dhe me kalimin e viteve reparti shndërrohet në një prej mbrojtjeve më të forta në historinë e lojës: përbërë nga Zoff, Gentile, Cabrini dhe i urti Gaetano, prapavija juventine mbronte gjithashtu edhe portën e kombëtares italiane.

Kur Zoff largohet nga futbolli kapiten i Juventus bëhet numri 6, Scirea. Është ai që ngre trofetë e erës Trapattoni dhe bashkë me shokun e ekipit, Antonio Cabrini, janë të parët lojtarë që fitojnë të tre kompeticionet UEFA, gjithmonë me fanellën e Juventus veshur.

Botërori Spanjë ’82 është kulmi i Scirea-s me kombëtaren italiane. Të kaltërit shpallen kampionë bote dhe Tardelli, një nga lojtarët më të dalluar të turneut, me vështirësi vinte gjumë në sy netët përpara ndeshjeve. Për të kaluar këtë problem qetësinë e gjente te dhoma ku rrinin Zoff e Scirea, zonë të hotelit që Tardelli e kishte pagëzuar si “Zvicra” për shkak të qetësisë që mbizotëronte.

Vetë Zoff, në kujtimet për mikun e tij Scirea tregon se nuk para flisnin shpesh. Të dy të rezervuar e fjalëpak, merreshin vesh vetëm me një shikim.
Pas tërheqjes nga futbolli, Gaetano Scirea u bë ndihmëstrajner i Juventus me trajner të parë pikërisht ish-portierin Zoff.

Sot kapiteni do të festonte 66 vjetorin e lindjes, por një aksident fatal i mori jetën më 3 shtator 1989. I ngarkuar nga Juventus për të ndjekur në Poloni skuadrën e Górnik Zabrze, kundërshtarë të ardhshëm të bardhezinjve në Kupën UEFA, Scirea humb jetën pasi vetura me të cilën po udhëtonte si pasagjer u përplas me një furgon dhe mori flakë.

Kujtohet si një nga simbolet e Juventus dhe futbollit Italian. Në të gjithë karrierën si mbrojtës, Scirea nuk u përjashtuar asnjëherë nga loja, duke u veçuar si shembull korrektësie në vitet si futbollist…

Leave a Reply