Sinonimi i golit

“Hamdi Salihi, mbajeni mend këtë emër”, thuhej në Shkodër në fillimin e viteve 2000.

Kuqeblutë kishin në sulm dyshen e fortë e shumë produktive Sinani-Martini e megjithatë “ky djali nga skuadra e të rinjve pas disa vitesh pritet t’i barazojë e pse jo t’i kalojë në numër golash dy titullarët e Vllaznisë.”

Jo veçanërisht i shpejtë, jo veçanërisht teknik, jo veçanërisht brilant, Hamdi Salihi i mbajti premtimet e fillimit të karrierës duke u bërë një futbollist që shënoi në veri me Vllazninë e vendlindjes, në kryeqytet me fanellën e Tiranës veshur dhe në jug duke kontribuar me gola për Skënderbeun e Korçës.

Megjithatë gjeografia e tundjes së rrjetës për sulmuesin u zgjerua edhe botërisht.
Salihi u shndërrua në një Ministri të Jashtme të lëvizshme duke realizuar pa fund gola “made in Albania” në Austri, Amerikë, Kinë e Izrael.
 

Vesin e tij për golin e ruajti edhe në ndeshjet me kombëtaren, disa madje spektakolarë, kujtojmë një në Mal të Zi nga jashtë zone dhe golin kryevepër në Oslo në vitin 2013.

Nëse në Itali kur flitet për gola e nuhatje emri i parë që merret si shembull është ai i Inzaghi-t, në Shqipëri patjetër që sinonimi i finalizimit është Salihi.

“Po ta pallosh topin nga tarraca e 15 katëshit e sheshi të jetë plot me njerëz, të jesh i sigurt që topin e kap Salihi i pari”, më thonte një shok para disa kohësh.

Hamdi Salihi, tashmë i ka kaluar të tridhjetat por vazhdon të “rrasi” gola në ligën e dytë austriake. Si i thonë asaj pune, forma është e përkohshme e klasi i përhershëm.

Foto që shoqëron shkrimin është shkrepur nga Pablo Maurer në ndeshjen e fundit të Salihit me DC United. Skuadra e tij sapo ka humbur finalen e Konferencës së Lindjes dhe shkodrani i vetëm qan në zonën e rreptësisë, zonë të cilën e njeh më mirë se shtëpinë e vet…

Leave a Reply