Futbollisti i Otrantos

Berti ishte mes më të rinjve të ekipit. Vetëm ai, Daniel Xhafaj dhe Fjodor Xhafa kishin lindur në vitin 1977, të tjerët ishin të gjithë më të rritur. Fitues i Kupës së Shqipërisë në edicionin 1995-96, Flamurtari i Vlorës fiton të drejtën e pjesëmarrjes në Kupën e Kupave. Shorti e vendos përballë sllovakëve të Humenné dhe Berti, në gushtin e vitit 1996, luan si në ndeshjen e parë ashtu edhe në atë të kthimit. Një herë zëvendëson Anesti Viton e tjetrën Devi Mukën. Sapo ka mbushur 19 vjeç dhe ëndërron një karrierë të suksesshme në futboll…

E dielë, 13 prill 1997. Në Vlorë zbarkon me helikopter ushtarak kryeministri i Italisë, Romano Prodi. Shoqërohet nga njerëz të armatosur, disa janë pjesë e ushtrisë italiane kurse të tjerë zotërues kallashnikovi të qytetit bregdetar, garantë të ruajtjes së sigurisë fizike të politikanit emilian.

“Duam paret tona” dhe “poshtë Sali Berisha” janë thirrjet që dëgjohen më shpesh nga njerëzit e mbledhur në sheshin e qytetit. Dallohen edhe gra të veshura me të zeza. Kërkon falje Romano Prodi dhe thekson se ishte vetëm “një aksident i tmerrshëm”. Për çfarë bëhej fjalë?

E premte, 28 mars 1997, sot 22 vjet më parë. “Katër i Radës”, anije sovjetike e blerë nga Marina shqiptare në fundin e viteve ’50, rrëmbehet nga brigjet e Sarandës dhe drejtohet për në portin e Vlorës. Autorët, trafikantë të qenieve njerëzore, e mbushin me 142 njerëz dhe porosisin komandantin Namik Xhaferi të niset drejt Italisë.

Anija e mbushur me shqiptarë në kërkim të një jete më të mirë (sa banale tingëllon në këtë kontekst) lë Vlorën rreth orës 4 pasdite. Diku te 75 minuta më vonë vërehet në ishullin e Sazanit nga anija “Zeffiro” e Marinës italiane. “Katërit të Radës” i kërkohet disa herë kthimi mbrapa, por rrugë pas nuk ka.

Flota italiane, e impenjuar në operacionin “Flamuj të Bardhë” që kishte si qëllim bllokimin detar të skafeve me refugjatë që linin Shqipërinë mes kaosit e anarkisë dhe drejtoheshin për në Itali, ngarkon kësaj radhe një anije ushtarake më të vogël e më të shpejtë, atë “Sibilla”, për të marrë nën kontroll situatën. Kjo e fundit gjen një mënyrë tragjike për të vepruar dhe godet “Katërin e Radës” rreth orës 18:45. Përplasja është fatale për shqiptarët në bord. 18 minuta më vonë anija e vjetër e prodhimit sovjetik fundoset e gjitha në kanalin e Otrantos.

Në pak minuta në ujërat e Otrantos konsumohet tragjedia më e madhe në historinë moderne të vendit tonë. Mbyten foshnje, fëmijë, të rinj, të rritur e të moshuar. Shumë janë pjesëtarë të së njëjtës familje. Sot e kësaj dite 81 trupa janë gjetur dhe varrosur nga familjarët, 24 të tjerë rezultojnë fatkeqësisht të zhdukur.

Shteti italian, përgjegjës i këtij akti, kërkoi ndjesë duke e cilësuar vetëm një “aksident fatkeq”. Ai shqiptar në atë kohë nuk ekzistonte. Bandat e armatosura zotëronin qytetet kryesore të vendit dhe Shqipëria ishte në kaosin e pas falimentimit të firmave piramidale. Ishte në fuqi gjendja e jashtëzakonshme dhe shtetrrethimi, me të drejtë shumë shqiptarë për të ruajtur kokën donin të iknin një orë e më parë. Duke shfrytëzuar të gjitha rrugët e mundshme, por që fatkeqësisht si në rastin e “Katërit të Radës”, përfundonin në tragjedi.

Të njëjtën natë, Këshilli i Sigurisë pranë OKB njofton ngritjen e një trupe ndërkombëtare për të lehtësuar procesin e rikthimit të rregullit në Shqipëri. “Operacionin Alba” e merr nën komandë qeveria italiane, çka shpjegon edhe vizitën e Romano Prodi-t në Vlorë 16 ditë pas tragjedisë së kanalit të Otrantos.

Përgjegjësia për vdekjen e shqiptarëve në bord i mbeti përfundimisht vetëm 2 personave. Komandantit të anijes “Sibilla”, Fabrizio Laudadio (2 vjet e 4 muaj por “unë zbatova vetëm urdhërat”) dhe komandantit të “Katërit të Radës”, Namik Xhaferi (3 vjet e 6 muaj). Të dy të dënuar nga Gjykata e Brindizit.

Reliket e “Katërit të Radës” sot ndodhen në portin e Otrantos. Familjarët e viktimave kërkojnë kthimin e relikeve në Vlorë.

Berti ishte mes më të rinjve të ekipit. Vetëm ai, Daniel Xhafaj dhe Fjodor Xhafa kishin lindur në vitin 1977, të tjerët ishin të gjithë më të rritur. Robert Bajrami, mesfushor i Flamurtarit të Vlorës, u mbyt në ujërat e kanalit të Otrantos 40 ditë përpara se të festonte 20 vjetorin e lindjes…

Leave a Reply