“Ministri i mbrojtjes”

Një pasdite të vitit 1984, Giuseppe, punonjës hekurudhash, shoqëron të birin Fernando në një fushë sportive për t’i plotësuar dëshirën e madhe: regjistrimin në një skuadër futbolli. Aty për aty fillon të qajë me të madhe djali i vogël, Alessandro, i cili ka të njëjtën dëshirë dhe kërkon të luajë futboll si vëllai i tij më i madh në moshë.

Giuseppe, Fernando dhe Alessandro mbiemrin e kanë Nesta dhe kjo është historia e një prej mbrojtësve më të mirë e elegantë që ka parë futbolli botëror.
Alessandro bie menjëherë në sy me talentin e tij dhe emri i vogëlushit i sugjerohet drejtuesve të Roma-s, të cilët bëjnë një ofertë të majme për një futbollist të asaj moshe. Përgjigja e babait Giuseppe është e prerë: “Im bir te Roma? Më mirë vdes.” Po e keni kuptuar, Giuseppe është lacial.

Pak javë më vonë, është vetë i ati që vihet në kontakt me Lazio-n dhe i siguron një provë të birit te moshat e skuadrës bardhekaltër. Alessandro Nesta e kalon me sukses dhe bëhet pjesë e rëndësishme e ekipeve zinxhirë duke u shpallur edhe kampion i Italisë me të rinjtë e Lazio-s, duke patur shok skuadre Marco Di Vaio-n.
Në vitin 1993, vjen thirrja e parë nga skuadra e madhe dhe Nesta debuton në Serinë A pak më vonë. Më 13 mars 1994, trajneri Dino Zoff e hedh në fushë në vend të Pierluigi Casiraghi-t në një Lazio-Udinese të përfunduar 2-2.

Në harkun kohor të dy viteve Alessandro Nesta bëhet një prej mbrojtësve më të mirë të Italisë duke u grumbulluar nga skuadra kombëtare. Në sezonin 1997-98 vjen trofeu i parë me Lazio-n, Kupa e Italisë. I Nesta-s goli vendimtar, në finalen e kthimit (trofeu vendosej pas një përballje të dyfishtë) kundër Milan.

Sezoni i ardhshëm e gjen si kapiten të skuadrës, ndodhi të cilën e feston me Kupën e Kupave, trofe të cilin e ngre në qiellin e Birmingamit pas finales së fituar ndaj Mallorca-s. Kulmin e karrierës laciale, Alessandro Nesta e jeton një sezon më vonë, atë 1999-2000 kur bardhekaltërit shpallen për herë të dytë në historinë e tyre, kampionë të Italisë.

Mekanizmi i krijuar nga “padron” Cragnotti fillon e çmontohet. Paratë pakësohen dhe klubi është në vështirësi financiare. Në verën e vitit 2002 Lazio detyrohet të shesë futbollistët më të mirë. Mes tyre edhe kapiteni Sandro Nesta, largimi i të cilit për te Milan, kontestohet fuqishëm nga tifozët. Largimi i lojtarit-simbol është i dhimbshëm për t’u pranuar.

Nesta ka rreth 2 milionë euro rroga të pamarra dhe një pjesë të shumës e konverton në aksione te klubi lacial, për të mos rënduar akoma më tepër problemet e arkës së boshatisur. Te Milan fiton trofe e lavdi, ku konfirmohet një prej më cilësorëve në rolin e tij për vite me radhë.

Sot, Alessandro Nesta feston 43 vjetorin e lindjes …

Leave a Reply