“Bishtaleci hyjnor”

Roberto ishte i gjashti i 8 fëmijëve dhe në lagje shokët e thërrisnin Vilhelm Teli.

I pëlqente të luante me top dhe ashtu si heroi epik zvicerian që i detyruar goditi me shigjetë një enë balte (apo kokërr molle) të vendosur mbi kokën e të birit, Roberto me top shënjestronte poçat që shërbenin për ndriçimin e rrugës ku banonte.

I ati kishte pasion biçikletën dhe futbollin. Djemtë e tij i quan përshembull Giorgio (si Chinaglia) apo Walter (si Speggiorin, sulmues i Vicenza-s në vitet ’60-’70). Për Roberto-n u frymëzua nga dy sulmues të dalluar të asaj kohe, Bettega dhe Boninsegna.

Desh harrova, bëhet fjalë për familjen Baggio dhe kjo është historia e “Bishtalecit Hyjnor”.

Roberto me topin e nis në skuadrën e lagjes, ku trajner i parë është bukëpjekësi i zonës. Dallon mbi fëmijët e tjerë për talentin e natyrshëm dhe shumë shpejt bëhet pjesë e moshave të Vicenza-s. 120 ndeshje, 110 gola.

Debuton me skuadrën e parë duke u bërë shumë shpejt lojtari më i rëndësishëm i bardhekuqve. Ofertat janë të shumta, por shërbimet e Baggio-s i përfiton Fiorentina. Në Firence mbërrin i dëmtuar (i pari nga të panumërtit që do e shqetësojnë gjatë gjithë karrierës) por klubi vjollcë tregohet i duruar. Në dorë kanë një “xhevahir” e nuk pendohen për zgjedhjen e bërë.

Kur vjen në formë fantazisti shpërblen besimin e drejtuesve dhe përkëdhel ëndrrat e tifozëve me klas e gola në fushën e blertë. 5 vite dashuri me qytetin dhe skuadrën deri kur më 1990 klubi pranon ofertën e Juventus. Roberto Baggio vishet bardhezi. Tifozët dalin në protesta masive, ka arrestime. “Nuk po iki, po më largojnë”, shprehet vetë futbollisti.

Deklaratë që nuk i pëlqen tifozëve juventinë, të cilët Baggio i zbut me vitet më të mira të karrierës së tij shoqëruar me kampionat, Kupë UEFA dhe një Top të Artë.

Lidhja me Firencen e Fiorentina-s është aq e fortë, sa në ndeshjen e parë si kundërshtar, Baggio refuzon të godasë një penallti me pretendimin se “portieri i tyre më njeh mirë” dhe kur zëvendësohet merr në dorë një shall vjollcë që i hidhet nga tribunat.

Baggio me klasin dhe golat e rrallë bëhet një nga lojtarët më të mirë e popullorë në Itali, falë edhe paraqitjeve me kombëtaren. Në USA ’94 mbahet mend penalltia e humbur në finalen kundër Brazilit, por arritja e të kaltërve deri aty qe bërë e mundur nga kontributi kryesor i vetë sulmuesit fantazist.

Me Juventus e mbyll në vitin 1995, Lippi i beson të riut Del Piero. Kalon te Milan e fiton një kampionat në dy sezonet si kuqezi. Pas përvojës milaneze në vitin 1997 bëhet pjesë e Bologna-s. Shënon 22 gola (rekord personal) dhe grumbullohet në botërorin e Francës nga Cesare Maldini.

Kthehet sërish në Milano, kësaj radhe si lojtar i Inter. Dy vite me shumë dëmtime ku Baggio e lë shenjën e tij në një play off kundër Parma-s, për të siguruar një vend në Champions League. Dy gola spektakolarë kundër Buffon dhe zgjedhja e çuditshme për një lojtar të kalibrit të tij: në verën e vitit 2000 bëhet pjesë e Brescia-s.

Zgjedhje që i zgjat karrierën. 4 sezone, 45 gola dhe spektakël në provincë për t’u bërë akoma më i dashur nga publiku italian. E mbyll me topin në vitin 2004 e që prej asaj dite në Itali thonë se që kur Baggio la futbollin, të dielat nuk janë më njësoj…

Leave a Reply