“Mbreti luan”

“Im atë nuk me jepte parà pasi ndiqte parimin që çdokush duhet të punojë për të fituar bukën e gojës. Për rrjedhojë, kur nuk kisha stërvitje shkurtoja barin e gjelbër në fushën e stadiumit të Newell’s Old Boys dhe pastroja dritaret e konviktit për të patur disa të ardhura për vete…”

Gabriel Omar Batistuta e nis vonë me futbollin, thuajse rastësisht. Në qytezën ku jeton, skuadrat e lojërave me dorë nuk kanë më vende të lira, pasi janë zënë nga sportistë më të zotë. Kështu detyrohet t’i bashkohet asaj të topkëmbës.

Mbipeshë dhe i më i gjatë se të tjerët, Gabriel zbulon dita-ditës se i jepet të luajë me topin mes këmbëve dhe në pak kohë arrin të bëhet lojtari më i mirë i skuadrës. Aftësia dalluese: shënimi i golave.

Megjithatë të luajë futboll në nivel profesionist nuk është objektivi i tij i jetës. Dëshiron t’i përkushtohet studimeve. Këtë përgjigje i jep fillimisht ofertës së klubit Newell’s Old Boys, të cilët aty për aty shtangen por këmbëngulin kur kuptojnë se me cilësitë që ka, të riut i duhet dhënë patjetër një mundësi. Plus edhe një bursë studimi në Rosario.

Pasi bien dakord me familjen e lojtarit, Batistuta më në fund bashkohet me skuadrën nga Rosario, kampione e Argjentinës në fuqi. Një sezon aty shërben për hapjen e portës për te një nga dy skuadrat e kryeqytetit, River Plate. Përvoja me bardhekuqtë nuk është e suksesshme në aspektin sportiv – sulmuesi nuk preferohet nga trajneri Passarella – por i shërben në atë njerëzor. Gabriel Batistuta mëson si t’i bëjë ballë vështirësive dhe të punojë fort për t’i kapërcyer ato.

Sezoni i ardhshëm e gjen si lojtar të ekipit me të cilin ka qenë përherë tifoz, Boca Juniors. Është një vit pa trofe por i suksesshëm në planin personal. Shënon 13 gola dhe bie në sy të klubeve europianë. Përfitojnë italianët e Fiorentina-s, që arrijnë të firmosin me sulmuesin në një marrëveshje që përfshin edhe dy lojtarë të tjerë të Boca-s.

Në Itali, Gabriel Omar Batistuta shndërrohet në një prej sulmuesve më të fortë të botës. Gola të shumtë në çdo sezon dhe një grintë e jashtëzakonshme për dikë që fillimisht futbollin nuk e konsideronte parësor në jetë.

Pjesë e repertorit të tij, golat e shënuar me një forcë të madhe balistike. Dikur thuhej për një futbollist që “e ka të ramen tullë” kur kishtë një goditje të fuqishme: Batistuta mund të konsiderohet si modeli etalon i shprehjes.

Në Firence, sulmuesi argjentinas luan për 9 vite me radhë duke mos u larguar as kur skuadra në një sezon ra në Serinë B. Vite ku Batistuta shënon 168 gola, 152 prej të cilëve në Serinë A, lojtari me më shumë rrjeta të prekura në historinë e klubit vjollcë.

I kërkuar nga klube me më shumë emër ku mund të kishte fituar trofe prestigjozë, Batigol (i pagëzuar kështu prej vesit të tij për golin) largohet nga Fiorentina vetëm në vitin 2000. Tashmë 31-vjeçar, vendos të bëhet pjesë e Roma-s, ku në sezonin e parë shpallet kampion i Italisë.

Te Roma shfrytëzon “trenin” e fundit për një trofe madhor në karrierë. Pas 6 muajsh pa sukses te Inter, argjentinasi e mbyll me futbollin e luajtur në vitin 2005 në Katar.

Me kombëtaren e Argjentinës arrin të shënojë 54 gola në 77 takime. Më mirë se ai, vetëm Lionel Messi. Mban rekordin e lojtarit të vetem që ka shënuar një trigolësh në dy botërorë të ndryshëm.

Gabriel Omar Batistuta sot feston 50-vjetorin e lindjes. “Mbreti Luan” jeton me familjen në Reconquista dhe i është ende mirënjohës tifozëve për dashurinë që i falën në karrierë…

#funfact: në vitet ’90, paralelisht me Batistuta-n në Itali, në kampionatin tonë shënonte gola me Lushnjen Artan Bano. Modeli i flokëve dhe nuhatja për gol e bashkonin lushnjarin me yllin argjentinas, duke bërë folësit e radiove në Shqipëri ta quanin Banogol!

Leave a Reply