Gabriele Sandri

“Hajde në Areco, po mos u nis vetëm. Eja i shoqëruar…”

Këtë telefonatë shqetësuese e fjalëpak merr Cristiano Sandri në telefonin e shtëpisë së tij, në Romë, pak para mesditës të dielën e sot 11 viteve më parë.
Menjëherë mendja i shkon te i vëllai, Gabriele, tifoz i Lazio-s që herët në mëngjes me 4 shokë është nisur për në transfertën e Milanos.
Në drekë luhet kundër Inter-it.
Rrugës, dëgjon në radio se një i ri tifoz i Lazio-s ka humbur jetën, është vrarë në autostradë. Makthi tani është real.
Menjëherë telefonon të atin, i cili lajmin sapo e kishte marrë vesh në barin ku punonte.
Bëhet fjalë për Gabriele-n…

NGJARJA

Në një autogrill në afërsi të Arecos, disa të rinj nisin një përplasje verbale mes tyre. Shkaku i debateve është përkatësia tifozerike. Disa janë juventinë e disa lacialë.
Gjithçka shuhet shpejt, pasi në anën tjetër të rrugës dëgjohen sirenat e një makine policie. Gabriele me shokë futen menjëherë në makinë kur papritur dëgjohet një e shtënë.
4 dëshmitarë (të jashtëm me konfliktin) konfirmojnë të njëjtin version, si më poshtë:

“Një punonjës policie me armë në dorë shtin në drejtim të një makine, jo në ajër.”

Në makinë janë 5 të rinj dhe plumbi kap Gabriele Sandri-n në qafë. 28-vjeçari, DJ e tifoz lacial, ndahet nga jeta pak çaste më vonë.
Plumbi del nga pistoleta e punojësit të policisë Luigi Spaccarotella, i cili qëllon nga ana tjetër e rrugës, një distancë mbi 50 metra.

TRAZIRAT

Lajmi jepet menjëherë nga agjensitë informative, por trajtohet si vrasje që ndodhi për të shuar një përplasje mes ultrasish.
Në të vërtetë debati u shua direkt dhe asnjë prej palëve të përfshira nuk pati kontaktin më të vogël me policinë.
Ky lloj dizinformimi me dashje dhe stereotipi mediatik “tifoz=fajtor” sjell reagimin e shpejtë dhe indinjimin e botës ultras në Itali.
Tifogrupet solidarizohen me njëri-tjetrin dhe ngjarjet në shumë qytete përshkallëzohen frikshëm.
Në Milano, tifozët e Inter nisin protestën e kërkojnë të mos luhet ndeshja ndaj Lazio-s. Sulmohen makinat e policisë rrotull stadiumit.
Në Bergamo, nis Atalanta-Milan, por vendasit kërkojnë të thyejnë rrethimin duke i kërkuar futbollistëve të ndërpritet takimi.
Juventinë, breshianë, interistë e milanistë, në darkë mblidhen në Piazza Duomo e sulmojnë me gurë patrullat e policisë.
Në Romë situata është edhe më e rëndë. Në program është Roma-Cagliari por tifozeria vendase ka të tjera ide.
Sulmohen furgonë policie dhe kulmi arrihet në një komisariat të qytetit, që sulmohet për 4 orë me radhë por bilanci përfundon pa viktima falë një…dere të blinduar.

PER RACITI FERMATE IL CAMPIONATO
LA MORTE DI UN TIFOSO NON HA SIGNIFICATO

“Jemi të hidhëruar, kërkojmë falje”, komenti i kuesturës së Arecos pas përshkallëzimit të trazirave dhe shtrembërimit të informacionit. Në Milano sulmohen edhe zyrat e RAI-t, për dizinforminin e publikut.
Vrasja e Gabriele Sandri-t solidarizoi botën ultras në një kohë kur mbi imazhin e saj (si të doni mund t’a interpretoni) po hidhej baltë nga informacionbërësit.

Një i ri u nda nga jeta tragjikisht, padrejtësisht e në mënyrë absurde, duke mos patur asnjë faj.
Në vitin 2012 Luigi Spaccarotella u dënua me 9 vite heqje lirie, por pa kryer as gjysmën e dënimit tani gjendet i lirë.
Gabriele përkujtohet nga tribunat në të gjithë Italinë e në 11 vjetorin e ndarjes së tij nga jeta rron në kujtimet e familjarëve dhe atyre që e njohën…

Leave a Reply