Me “Zonjën” për dore

Sot 44 vite më parë në Koneljano Veneto, provincë e Trevizos, në familjen Del Piero kishte gëzim. Gino dhe Bruna festonin ardhjen në jetë të djalit të tyre të dytë, Alessandro-s.
 
I vogli i shtëpisë rritet me një karakter të ndrojtur dhe shpeshherë luan me shokë më të mëdhenj në moshë. Megjithatë diku ndjehet i sigurtë e dallon mbi të tjerët, në lojën me top. Në lojën e bukur.
Si çdo fëmijë, në vitet e para të jetës Alessandro ka shumë ëndrra, disa prej të cilave i shpreh me shkrim:
“Çfarë dua të bëhem kur të rritem?! Futbollist, por futbolli nuk është punë.
Po sikur të bëhem elektriçist si babi?
Apo guzhinier, sepse më pëlqen shumë të ha dhe mund të gatuaj çfarë të më dojë qejfi…”
 
Këto mendime i vërtiteshin vogëlushit Alessandro Del Piero kur në shkollë për temë hartimi ishte zgjedhja e profesionit.
Megjithatë ashtu si me shpejtësi dhe finesë do driblonte mbrojtësit pak vite më vonë, Alessandro në fletore shkruajti diçka tjetër:
“Dua të bëhem shofer kamioni, që të shëtis në sa më shumë vende.”
Do shëtiste botën, pa timon, por me topin ndër këmbë e një Zonjë të Vjetër për dore…
 
Hapat e parë në futboll i hedh te skuadra e San Vendemiano-s për të kaluar më pas te Padova, me të cilën më 15 mars 1992 debuton në serinë B në moshën 17 vjeçare. Talenti është mbresëlënës dhe shpejt bie në radarët e skuadrave të mëdha. Më i shkathti tregohet Giampiero Boniperti, presidenti i atëhershëm i Juventus, që në takimin e parë djaloshit të ri, nuk ngurron t’i thotë: “Shkurtoji këto flokë!”
 
Sezoni 1993-94 është i pari me fanellën e Juventus mbi supe. Trajneri Giovanni Trapattoni e hedh për herë të parë në fushën e lojës më 12 shtator 1993, kur me numrin 16 Del Piero zëvendëson Ravanelli-n në një ndeshje kundër Foggia-s. Një javë më vonë, ndaj Reggiana-s shënon golin e parë me bardhezinjtë.
 
Në repartin e sulmit konkurrenca është e fortë për një të sapoardhur. Përpara tij janë Gianluca Vialli, Fabrizio Ravanelli dhe bishtaleci Roberto Baggio, që në fund të sezonit do të fitonte Topin e Artë. Fillimisht mendohet që Del Piero të huazohet te Parma, por drejtuesit ribëjnë llogaritë kur më 20 mars 1994, pikërisht Parma-s, i riu i afruar nga Padova i shënon 3 gola në një ndeshje.
 
Sezoni i ardhshëm, ai 1994-95 e gjen Juventusin me drejtues të rinj. Moggi, Giraudo e Bettega i besojnë stolin Marcello Lippi-t. Tekniku i ka idetë e qarta. Për të Del Piero është lojtari kyç i së ardhmes por edhe të tashmes. Fantazisti i ripagon besimin. Historik kthimi i rezultatit nga 0-2 në 3-2 në një përballje ndaj Fiorentina-s më 4 dhjetor 1994.
 
Miqtë kryesojnë 0-2 në Torino por një dygolësh i Vialli-t barazon shifrat. Deri kur në minutën e 85’, pas një vertikalizimi nga mbrojtja, Del Piero nuk e lë topin të bjerë në tokë e me një prekje të ëmbël formon një parabolë e cila vetëm në rrjetë mund të përfundojë. Në pankinën e Fiorentina-s ulej Claudio Ranieri, të cilit borxhin e kësaj humbjeje Alessandro do ja lante vite më vonë.
 
Juventus arrin pas shumë vitesh të fitojë një titull kampion. Baggio largohet për te Milan dhe Del Piero merr numrin 10. Bardhezinjtë rikthehen në Europë, për herë të parë që nga tragjedia e Heysel, Belgjikë, finalja e Champions e fituar ndaj Liverpool, ku humbën jetën 34 njerëz.
 
Më 13 shtator 1995 luhet në Westfalen Stadion, Dortmund. Në minutën e 37’ bota do të admirojë atë që në histori do të mbetet si goli “alla Del Piero”. Merr pasim nga e majta, dy-tre lëvizje për të çoroditur mbrojtësin, gjuajtje në trekëndëshin tjetër dhe topi që përplaset në rrjetë.
Gola të tillë do të përsëriten javë pas jave, në kampionat e Europë. Juventus në të njëjtin sezon fiton Champions-in duke mundur me penallti hollandezët e Ajaks në finalen e Roma-s. Alessandro Del Piero ndërkohë shndërrohet në një prej sulmuesve më të fortë të botës. Konfirmimi vjen në finalen e Kupës Interkontinetale në Tokio të Japonisë.
 
Është 26 nëntori i vitit 1996 dhe Juventus ka përballë argjentinasit e River Plate. 0-0 deri në minutën e 81’, kur pas një goditje këndi topi përfundon në këmbët e Pinturicchio-s (pseudonim i vendosur nga Gianni Agnelli, që klasin e numrit 10 e krahasonte me veprat e piktorit të shek. XV). Kthesë, gol, trofe i fituar.
 
Juventus fiton edhe Superkupën e Europës, ku Del Piero shënon sërish, megjithatë Topin e Artë e merr Matthias Sammer. Në sezonin e ardhshëm bardhezinjtë fitojnë titullin kampion të Italisë, por munden në finalen e Champions 3-1 kundër Dortmund. Goli me finte i shënuar nga Pinturicchio shërben vetëm për statistikë.
 
Vialli e Ravanelli nuk janë më. Në sulm Del Piero ka si partner Inzaghi-n. Sërish kampionë por në Europë bardhezinjtë munden në finalen e radhës së Champions-it, kësaj here kundër Real Madrid.
 
Çaste të vështira do të vijnë në karrierën personale për Alessandro-n. Më 8 nëntor 1998, në Udine, pas një dyluftimi me Mario Zanchi-n, Del Piero dëmtohet rëndë në gju duke u detyruar të qëndrojë 10 muaj larg fushave. Pas rikthimit trajner gjen Ancelotti-n. Juventus përfundon 2 herë i dyti, përfshirë kampionatin e humbur javën e fundit mes shiut në Perugia.
 
Me kombëtaren gjërat nuk shkojnë më mirë. Italia në Euro 2000 mundet në finale nga Franca. Del Piero shikohet si fajtori kryesor, duke qenë se shpërdoron dy mundësi të pastra shënimi. Pyetja e opinionit është: a do kthehet më ai i dikurshmi?
 
Në këtë periudhë ylli juventin përjeton një tragjedi familjare: i ati Gino ndahet nga jeta në vitin 2001. Disa ditë më vonë Del Piero shënon një super gol kundër Bari-t duke marrë përqafimin virtual të gjithë botës së futbollit.
 
Në sezonin 2001-02 Marcello Lippi rikthehet si trajner i Juventus e Del Piero në sulm ka një shok të ri. Quhet David Trezeguet. Bardhezinjtë fitojnë titullin në Udine pas dramës së 5 majit, kur Inter mundet në Romë nga Lazio.
 
Në vitin 2003, Juventus mundet në finalen italiane të Champions. Në Old Trafford llotaria e penalltive i buzëqesh Milan-it. Fabio Capello emërohet si trajner e marrëdhënia e tij me tashmë kapitenin e Juve-s nuk është e shkëlqyer. Del Piero për të konsiderohet lojtar stoli. Me kokën ulur e pa bërë polemika, sipas parimit “comprendo ma non condivido” (në shqip, kuptoj por jo domosdoshmërisht jam dakord) kapiteni bën atë që di të bëjë më mirë, golin.
 
Në dy sezone, për t’u mbajtur mend pasimi me rrafishatë për golin e Trezeguet kundër Milan në S. Siro e një vit më vonë një kryevepër nga goditja e dënimit për të lënë ne vend Julio Cesar-in e Inter.
 
Verë 2006. Calciopoli. Një histori për të cilën jemi informuar të gjithë. I saposhpallur kampion bote me Italinë (ai goli me Gjermaninë në gjysëmfinale dhe penalltia kundër Francës në Berlin i japin me të drejtë një vend në histori), kapiteni vendos t’i qëndrojë besnik Zonjës së Vjetër në Serinë B. Bashkë me të Buffon, Nedved, Trezeguet e Cammoranesi.
 
Më 28 tetor 2006, kundër Frosinone-s shënon golin e 200 me Juventus. Me 20 të tillë, shpallet golashënuesi më i mirë i serisë B e ndihmon Juve-n të kthehet në kategorinë e më të mirëve.
 
Viti i parë pas rikthimit shoqërohet me 21 gola e një tjetër trofe kryegolashënuesi. Vjen koha për të larë një borxh. Juventus kthehet të luajë në Champions e më 5 nëntor 2008 është mik në Madrid.
 
“Respekti dhe admirimi nga kundërshtarët kanë një domethënie të madhe, sidomos nga tifozët e një skuadre tjetër.
Ndaj, kujtimi më i bukur që kam si rival në një ndeshje jashtë fushe mbetet përshëndetja e nderimi i stadiumit ‘Santiago Bernabeu’, pas dygolëshit tim kundër Real Madrid.
Qe viti 2008 dhe unë isha 34 vjeç. Për dikë konsiderohesha një ish, por në fakt përjetova një prej kënaqësive më të mëdha në jetë: një stadium kundërshtar, ai stadium për më tepër, në këmbë për mua…”
 
2 gola në Bernabeu, fitore kundër Real-it dhe në pankinë buzëqesh një zotëri thinjosh. Quhet Claudio Ranieri, ai të cilit 14 vite më parë i shkaktonte një humbje kur drejtonte Fiorentina-n.
 
Sezoni 2011-12 është i fundit me Juventus-in. Kapiteni feston titullin kampion duke kontribuar me gola me peshë, kujtojmë një goditje dënimi ndaj Lazio-s e një tjetër me aksion kundër Inter. Më 13 maj 2012, në festën e titullit, Alessandro Del Piero, i biri i Gino-s dhe Bruna-s, i ardhur fëmijë e tani burrë përlot për minuta me radhë stadiumin ndërkohë që ndeshja vazhdonte të luhej. Qe përshëndetja e tij e fundit me publikun bardhezi.
 
19 sezone e 290 gola me Juventus, rekord absolut, të cilin ja thyen presidentit Boniperti, atij që e afroi në Torino. Kapiteni në jetën private është i martuar me Sonia Amoruso-n dhe bashkë kanë 3 fëmijë: Tobias, Dorothea e Sasha.
 
Një prej sportistëve më të dashur në Itali, kështu shprehet Del Piero i pyetur nëse bezdis gjithë ky popullaritet: “Jo. Njerëzit janë jeta jonë. Unë e vërej që më shikojnë e bëhem gati për një fotografi. E di, kam qenë edhe unë njëherë tifoz e nëse shikoja një idhull shpresoja të më buzëqeshte. Pse unë duhet t’ja mohoj një të tillë njerëzve? Është kënaqësi, kush e konsideron si bezdi të ndërrojë profesion…”

Leave a Reply