Mjellma e Utrehtit

Me Olsin punonim në dy dyqane përbri te tregu elektrik. Shumë tifoz, një ditë më tregon një histori me profesorin e gjeografisë te “Çajupi”, i cili ishte i fiksuar pas Hollandës. “Unë e kisha qejf si lëndë po nuk është se isha nxënës i dalluar. U përgjigja mirë në disa pyetje dhe në fund më thotë: ‘Po e gjete edhe këtë do të vë 10; në cilin qytet ka lindur Marco van Basten?’ Unë tifoz i Milan-it, e dija që ishte Utrehti. Kështu e kapa një 10…”

Marcel van Basten, për të gjithë Marco, lind në Utreht më 31 tetor 1964. Në qytetin e origjinës hedh edhe hapat e parë me topin mes këmbëve. Talenti është i padiskutueshëm dhe me kalimin e viteve pikaset edhe nga skuadrat e mëdha. Fati do që shërbimet e të riut nga Utrehti t’i përfitojë Ajax-i Amsterdamit.

Debutimi me skuadrën e parë vjen më 3 prill 1982. Del nga fusha e lojës lojtari më i madh në historinë e futbollit hollandez, Johann Cuijff, futet në të Marco van Basten. Atë ditë gjen edhe golin e parë me Ajax, por pakkujt i shkonte ndërmend se ky zëvendësim do ishte edhe një i tillë simbolik, ku një fenomen i ardhshëm praktikisht do të merrte “në dorëzim” ëndrrat e tifozëve nga një tjetër fenomen në përfundim të karrierës.

Me Ajax, van Basten fiton 3 herë kampionatin dhe shpallet 4 herë rresht golashënuesi më i mirë i tuneut. Në sezonin e fundit në kryeqytetin hollandez, tashmë kapiten i ekipit, rikthen lavdinë në Europë. 14 vite nga hera e fundit, bardhekuqtë fitojnë një trofe europian, Kupën e Kupave. Në stol është Johann Cuijff, ndërsa në fushë i udhëheq me gol vendimtar në finale “Mjellma e Utrehtit”, nofkë që i ngjitet për elegancën në kontrollin e topit dhe aftësinë për të shënuar gola spektakolarë me të dy këmbët e gjithashtu me kokë.

Pas 128 golash në 133 ndeshje, Marco van Basten bëhet lojtar i Milan-it. Është vera e vitit 1987, presidenti i ri Berlusconi sapo ka nisur projektin e tij ambicioz dhe në klub do lojtarët më të mirë të mundshëm. Kuqezinjtë synojnë të afrojnë uellsianin e Liverpool, Ian Rush, por është Ariedo Braida që telefonon nga Hollanda dhe kërkon me ngulm: “Përgatisni një kasetë VHS me golat e van Basten dhe çojani presidentit. Le të vendosë ai…” Zgjedhja është e thjeshtë!

Në Milano, përveç golave dhe elegancës sjell edhe muskujt e tij të brishtë. Problemet në kavilje kishin nisur që në Amsterdam, megjithatë “Mjellma e Utrehtit” shpreson t’i ketë lënë pas dhe debuton me gol në Itali. Bashkë me Rijkaard e Gullit formojnë treshen e famshme hollandeze, më e forta në botë për kohën dhe nisin të koleksionojnë trofe pas trofeu.

3 Serie A, 2 superkupa të Italisë, 2 Kupa Europe (sot Champions), 2 Kupa Interkontinentale, një superkupë Europe dhe personalisht 3 herë fitues i “Topit të Artë”. Marco van Basten, pasues i denjë i Johann Cuijff, tashmë është lojtari më i mirë në Europë.

Janë vite kur kombëtarja e Hollandës arrin të fitojë trofeun e vetëm ndërkombëtar në historinë e saj. Në finalen e Euro 1988, kundër Bashkimit Sovjetik, një gol spektakolar i elegantit të lindur në Utreht i jep “tulipanëve” kupën, për gëzimin e Rinus Michels, trajnerit ideator të futbollit total.

Lavdia e van Basten ecën paralelisht me dëmtimet në kavilje. Në vitin 1993, kur është vetëm 28 vjeç dhe në kulmin e karrierës operohet për të katërtën herë në të njëjtin vend. Pas shumë përpjekjesh, në mënyrë dramatike i duhet t’i japë lamtumirën futbollit të luajtur, vendim që e bën zyrtar në vitin 1995.

Profesionist korrekt dhe njeri i përmbajtur, largimi i tij shpejtë nga futbolli lë një “plagë” të hapur në zemrat e tifozëve, të cilët ende sot e kësaj dite nuk mësohen dot me faktin e hidhur. Në vitin 1999 u zgjodh si “Sulmuesi i shekullit” nga tifozët e Milan-it. Marco van Basten provoi të drejtojë si trajner disa skuadra në Hollandë e gjithashtu kombëtaren e vendit të tij, megjithatë u tërhoq shpejt nga ai profesion pas problemeve me depresionin.

Kuriozitet: kur Zlatan Ibrahimović nga Ajax kaloi te Juventus, trajneri i bardhezinjve Fabio Capello i sugjeroi suedezit video me golat e van Basten për të përmirësuar shënjestrën para porte…

Leave a Reply