Ëngjëlli këmbështrembër

“Nëse pyet një të moshuar për Pelé-në, heq kapelen dhe përulet në shenjë respekti.
Nëse i flet për Garrincha-n, të kërkon ndjesë, ul kokën dhe fillon të qajë.” Proverb brazilian…

Qe nip skllevërish ai që cilësohet si futbollisti më i dashur në historinë e Brazilit dhe ndoshta më i miri lojtar i një toke ku të jesh i pari të duhet të kalosh nëpërmjet një rivaliteti shumë, shumë, shumë të fortë.

Manuel Francisco dos Santos lindi me probleme shëndetësore në vititn 1933 dhe u rrit në mjerim. Njëra këmbë e tij ishte me e gjatë se tjetra dhe të dy gjunjët i kishtë të kthyer nga e njëjta anë çka e bënte të ecte me vështirësi dhe të vuante shumë gjatë vegjëlisë kur tallej nga bashkëmoshatarët e tij.

Një ditë Mané vjen nga shkolla duke përkundur në dorë një zog të vogël që nuk fluturonte dot. E motra e shikon dhe i thotë: “Është një garrincha (zog i vogël), rrotullohet vërdallë por i paaftë të fluturojë.” Që prej asaj dite Mané-ja i vogël mori nofkën Garrincha, por ndryshe nga zogu që mbante ndër duar, djali që ecte me vështirësi mësoi të fluturonte. E bëri duke ngritur peshë me “flatrat” e tij ëndrrat e bashkëkombësve futbolldashës.

Mané Garrincha është fëmijë me probleme dhe zhvillimi i tij është i vonshëm. Megjithatë diku dallon i biri i një të alkolizuari. Në futboll është më i miri ndër të gjithë. Fatkeqësisht të atit nuk i trashëgon vetëm gjininë, më vonë do i mësojë edhe vesin. Te topi gjithsesi Mané-ja nuk ka askënd që t’i afrohet.

Në adoleshencë pothuajse heq dorë nga futbolli. Nëpër prova me skuadra të ndryshme e refuzojnë për shkak të këmbëve të shtrembëra dhe inteligjencës së tij që është e barabartë me atë të një fëmije fare të vogël. Janë kohë të vështira, ku megjithatë zbulon një tjetër kënaqësi të jetës, përpos topit: humbet virgjërinë me një dhi (kafshë). Pasi e mëson si “zanat”, vitet në vazhdim do bëhet baba i 14 fëmijëve me 5 gra të ndryshme.

Dita e tij me fat në futboll është 13 marsi i vitit 1953. I thonë t’a provojë njëherë me një nga skuadrat e Rios, Botafogo-n. Garrincha bindet por në një stërvitore mes rezervave dhe ekipit të parë përballë ka lojtarin e kombëtares, Nilton Santos. Në dy aksione njëherë e driblon duke e lënë në vend ndërsa herën tjetër ja kalon topin mes shalëve. Tregon vetë Santos: “Pak njerëz që ishin të pranishëm në stërvitje nisën të qeshnin. Unë ju afrova dhe i thashë mos t’i bënte më me mua këto numra se do e vrisja. I bëri prapë. Pas stërvitjes i kërkova drejtuesve të klubit: merreni, është fenomen!”

Botafogo e blen për një shumë që sot është e barabartë me 29 mijë lek të vjetra shqiptare. Bëhet shpejt ylli i skuadrës dhe thërritet në kombëtare për botërorin Suedi 1958. Brazili përpara turneut punëson një psikolog të testojë mendërisht futbollistët. Relacioni i tij për Garrincha-n thotë: “Ka trurin e një 4 vjeçari dhe i mungon inteligjenca e nevojshme për të qenë shofer autobusi.” Fatmirësisht trajneri nuk mori mendimin e psikologut dhe Brazili me Pelé-në dhe Garrincha-n u shpall për herë të parë Kampion Bote.

Mané çalamani nuk luajti në dy ndeshjet e para pasi e gjetën në të dyja rastet të dehur natën përpara. Gjatë Kupës së Botës në Suedi Garrincha la shtatzanë një vajzë vendase. Ndeshjen e tretë, atë kundër Bashkimit Sovjetik, luajti. Kush e ka parë atë takim, thotë që 3 minutat e para qenë më të bukurat ndonjëherë në futboll. E gjithë ndeshja përfundoi 2-0. Në finale brazilianët fitojnë 5-2 ndaj vendit organizator dhe Garrincha çorodit kundërshtarët me këmbët e tij të shtrembëra. Thuhet se në atë përballje nuk qe i vetëdijshëm dhe ju desh të pyeste disa herë për të marrë vesh se finalja kishte përfunduar.

I pëlqen të pijë dhe të merret me femra. Në Kili 1962 Pelé dëmtohet dhe Brazili fiton Kupën e Botës për të dytën herë rresht. Kësaj radhe, ylli i padiskutueshëm është Manuel Francisco dos Santos, që ndërkohë po jeton historinë e dashurisë me këngëtaren Elza Soares, një tjetër “hallexhie” që ja ka dalë të bëhet e suksesshme: e përdhunuar nga njerku dhe e bërë nënë që në moshë të vogël, Elza është më e madhë në moshë dhe historia e tyre zgjat për 20 vjet.

Pas sukseseve në fushë jeta private e “zogut” bëhet gjithmonë e më e vështirë. Shoqërohet me njerëzit e gabuar, pi pa fund dhe harxhon të gjitha kursimet e karrierës. Në një aksident me makinë ku është vetë shofer, humb jetën e vjehrra. Garrincha më vonë tenton vetëvrasjen dhe shton dozat e alkoolit.

Në Angli 1966 thërritet por forma e tij nuk është më e mira. Pas largimit nga Botafogo provon me një sërë skuadrash dhe paratë e fituara i harxhon me alkool. “Ëngjëlli me këmbët e shtrembëra” tani është vetëm. Lumturia e Brazilit ka shoqe vetëm shishen. 

Më 20 janar 1983 ndahet nga jeta në spitalin Alto da Boavista të Rios. Në mjerim, ashtu siç u rrit, dhe vetëm, ashtu siç erdhi në këtë botë. Miliona brazilianë e qanë dhe në vendin ku prehen eshtrat e tij, epitafi lexon: “Këtu pushon i qetë ai që dikur qe Gëzimi i Njerëzve – Mané Garrincha”…

Leave a Reply