Shtata e bukur

Ahmeti sot është 84 vjeçar dhe jeton mes nipërish e mbesash në Kastriot (qytezë pranë Prishtinës). Ka shumë kujtime nga jeta e tij e gjatë, por më të bukurin cilëson një që daton më 30 shtator 1987. Vjen nga një stadium futbolli dhe për personazh kryesor ka një djalosh vlonjat: quhet Sokol Kushta.

Luhet turi i parë i Kupës UEFA të edicionit 1987-88. Flamurtarin e Vlorës shorti e ka vendosur përballë me Partizan Beogradin. Në Shqipëri skuadra e drejtuar nga Leonidha Çuri fiton 2-0.

Takimi i kthimit luhet më 30 shtator në stadiumin “Partizana” (vite më vonë mbi të do fluturonte një dron) dhe vendasit fillimisht realizojnë me penallti e më pas dyfishojnë me një gol me kokë të Fadil Vokrrit. Kur ndeshja po shkonte drejt shtesave, 7 minuta nga përfundimi i takimit, Sokol Kushta shënon një “perlë”, një nga ato gola që në vitet ’90 shtypi botëror do t’i cilësonte si “alla Del Piero”. Beogradi heshti, Flamurtari kaloi në turin tjetër.

“Çohu Tito ti nga varri,
se të mundi Flamurtari”

Ai çast për Ahmetin qe një prej më të bukurve në jetë. 4 vite përpara golit të Kushtës, në Beograd Prishtina fitonte 1-3 kundër Crvena Zvezda-s. Pas ndeshjes u arrestuan dhjetëra tifozë shqiptarë sepse brohoritën “EHO” në stadium. Për serbët fjala nënkuptonte Enver Hoxha, për shqiptarët e Kosovës qe një formë proteste, në kërkim të lirisë…

Një natë shtatori Sokol Kushta lumturoi shqiptarë anembanë hartës etnike. Me një gol “tronditës”, duke dhuruar gëzim sportiv në Shqipëri e të një lloji tjetër përtej Morinës.

7

Në Belfast e Mançester për vite me radhë adhuruan një bukurosh me këtë numër mbi shpinë dhe me aftësi të papara në futboll: George Best.
Në Kiev e Milano një tjetër “shtatësh” u admirua për vite me rradhë: Andriy Mykolayovych Shevchenko.
Në Portugali e me gjerë dje dashurohej Luis Figo e sot Cristiano Ronaldo.

I lindur në Vlorë më 17 gusht 1964, Sokol Kushta nis të merret me sport që i vogël në klasat sportive të qytetit bregdetar. Dallon me fizikun e tij dhe dëshirën për të fituar në çdo aktivitet ku merr pjesë. Futbolli është sporti në të cilin jep më tepër dhe shpejt bëhet pjesë e skuadrës së parë të Flamurtarit. Me numrin 7 mbi shpinë do nisë një histori e tij disavjeçare me golin.

Të parin në kampionat me skuadrën e vendlindjes e shënon në një ndeshje kundër Tiranës. Në vitin 1984 nis studimet në Institutin e Lartë të Kulturës Fizike në kryeqytet. Po në atë sezon nis periudha e tij trevjeçare me Partizanin. Më të kuqtë shpallet kampion i Shqipërisë dhe lë shenjën e tij në atë ndeshjen që e kanë më për zemër tifozët: në derbi.


Pas përvojës në Tiranë kthehet sërish te Flamurtari. Provojnë në shumë mënyra për ta mbajtur, por Sokol Kushta numrin 7 ka dëshirë ta shëtisë nëpër fushë me një bluzë kuq e zi veshur, atë të qytetit të tij. Në sezonin e parë pas rikthimit fiton Kupën e Republikës, por është Europa ajo që do i japë një tjetër “hije” historisë së klubit vlonjat. Të rëndë!

Flamurtari bëhet i pari ekip shqiptar që kalon dy ture kontinentalë, fillimisht eleminon Partizan Beogradin (Kushta në Serbi ka fanellën me numrin 6 veshur) e më pas gjermanët e Wismut Aue, të cilët likuidohen me një fitore 2-0 në Vlorë e një humbje minimale 1-0 në Aue. Tifozët vlonjatë, pas kualifikimit dolën me shprehjen: “Vismutit i hoqëm vizën e i lamë m….”. Më të qartë se kaq.

Në turin e tretë në Shqipëri vjen për herë të dytë në një hark të shkurtër kohor Barcelona e Gary Lineker dhe Bernd Schuster. Spanjollët fitojnë ndeshjen e parë 4-1 dhe hipotekojnë kualifikimin. Ajo e kthimit luhet në Vlorë dhe fitohet nga vendasit 1-0. Me kokë kërcen mbi të gjithë Sokol Kushta dhe realizon golin e fitores.

Sukseset e Flamurtarit në atë kohë kur vendi vuante për të mira materiale ishin të jashtëzakonshme duke frymëzuar një popull që shpeshherë haste vështirësi në sigurimin e bukës së gojës.

Me vlonjatët Kushta fiton titullin kampion në sezonin 1990-91 e më pas luan në Greqi e Qipro, ku nuk harron të shënojë gola. Faktikisht bënte shpesh të tillë.

Po me numrin 7, por me një tjetër fanellë kuq e zi, atë të kombëtares, Sokol Kushta përjeton disa çaste të tjera që hyjnë me të drejtë në histori. Me 10 gola në 31 ndeshje ka mesataren më të lartë gola/ndeshje me Shqipërinë. Një tjetër gol të ngjashëm me atë të Beogradit e shënon në fitoren e parë të kombëtares tonë jashtë fushe: 2-3 kundër Moldavisë më 7 qershor 1995. Driblime nga e majta dhe goditje e fortë në cepin tjetër të portës.

Karrierën e mbyll te skuadra e zemrës, Flamurtari. Sot ka disa aktivitete private në Vlorë, ku përfshihet një bar afër stadiumit. Muret e tij janë të veshur me fotografitë nga karriera e pasur e vlonjatit që shënoi shumë kudo ku luajti.

Nipi i Ahmetit, i cili më ndihmoi me disa detaje në këtë shkrim, thotë se “gjyshi e ka peng që nuk ka mundur të takohet personalisht me Sokol Kushtën”. Vlora me Prishtinën nuk janë larg…

Andi KASMI

Leave a Reply