Ó Fenómeno

Dadado e thërriste i vëllai sepse nuk ja shqiptonte dot emrin ndryshe, portier luante në skuadrën e tij të parë sepse ashtu i thonte truri.

Jemi në Bento Ribeiro, periferi e Rios, Brazil.

Sonia dhe Nelio Nazario de Lima kanë dy fëmijë, Yone 4 dhe Nelinho 3 vjeç, kur në jetë vjen edhe i treti, të cilin vendosin ta quajnë me emrin e parë të doktor Valente-s, mjekut që ndihmoi në procesin e lindjes: Ronaldo.

Dhe kjo është historia e Fenomenit…

Me topin e nis në lagjjen e tij të varfër, pak a shumë si çdo histori futbolli që vjen nga Brazili, megjithatë akoma-Dadado ditën e parë me një ekip futbolli (Tennis Club Valqueire, minifutboll) pozicionohet çuditërisht në portë. Në çastin e parë që del nga porta e tij nis të mbushë me gola ato të kundërshtarëve, duke u bërë shpejt lojtari më i dalluar i zonës për moshën.

Ëndërron të veshë fanellën e Flamengo-s Ronaldo, ashtu si idhulli i tij Zico, por ëndrra nuk realizohet për vogëlushin me dhëmbët e përparmë të ndarë nga njëri-tjetri. Pasi kalon një provë me kuqezinjtë e Rios, klubi nuk pranon t’i paguajë biletat e transportit shtëpi-stërvitje. Ndryshe nuk bëhet, babi Nelio dhe mami Sonia aq të ardhura kanë.

Skamja nuk është poezi, madje peshon rëndë në kurrizin e të varfërve. Kalon te São Cristóvão ku nis të kalojë një për një mbrojtësit e të ulë përtokë portierët (ves që fatmirësisht për sytë tanë do e shoqërojë gjatë gjithë karrierës). Dy bankierë, Alexandre Martins dhe Reinaldo Pitta nuhasin “pazarin e jetës” dhe vendosin të blejnë kartonin e lojtarit për 7500 dollarë. Do e shumëfishojnë investimin me kalimin e viteve.

Kalon te Cruzeiro dhe në sezonin 1993-94 shënon 56 gola në 54 takime duke përfshirë gjithë kompeticionet. Tani nuk është më Dadado. Carlos Alberto e grumbullon në botërorin e Amerikës ku Ronaldo shpallet kampion pa luajtur asnjë minutë.

Forma e jashtëzakonshme tërheq vëmendjen e klubeve europianë. Më i shpejtë tregohet PSV Eindhoven. Në Hollandë shënon e zbavit publikun por nuk fiton dot titullin pavarësisht kënaqësisë personale si golashënuesi më i mirë i turneut. Në sezonin e dytë te PSV nis të shqetësohet nga dëmtimet e para, që nuk do e braktisin më deri në fundin e karrierës.

Në vitin 1996 kalon te Barcelona. Ronaldo ruan ritmin spektakolar të shënimit të golave. Prek rrjetën 34 herë në 37 ndeshje dhe nis të fitojë pseudonome si “jashtëtokësori”, “mbinjerëzori”, ndërsa trajnerët kundërshtarë dorëzohen. “Për ta ndaluar, vetëm plumbi bën punë…”

Me katalanasit fiton Kupën e Kupave dhe shpallet lojtari më i mirë në botë (FIFA World Player) në moshën 20 vjeçare. Dy bankierët që i blenë shërbimet për 7500 dollarë tani investimin e disa viteve më parë e kthejnë në ar, flori. Miliardat e Moratti-t Ronaldo-n e çojnë te Inter në Itali.

5 vite, shumë dëmtime, akoma më shumë spektakël dhe vetëm një Kupë UEFA me atë vesin e bukur, uljen e portierit të Lazio-s, Marchegiani, përtokë.

Në Milano nuk fiton dhe gjunjët e tij të brishtë fillimisht e shqetësojnë shumë derisa i rrezikojnë vazhdimësinë e karrierës. Në mes polemikat e kontaktit me Iuliano-n në një Juve-Inter dhe sëmundja misterioze natën përpara finales së botërorit Francë ’98.

Ronaldo humb ndjenjat e deri pak orë përpara ndeshjes me Francën është nën kujdesin e mjekëve. Kërkon të luajë por në fushë zbret një kopje e tij e shëmtuar. 3-0 për vendasit e frymëzuar nga Zidane.

Gjuri thuajse i copëtohet në një tjetër përballje me Lazio-n, kësaj radhe në kampionat. Lot në sy, thirrje “o ma”, “o ba” nga dëshpërimi. Frika për të mos vrapuar më në fushat e blerta dhe rikthimi pas më shumë se një viti.

Është viti i një tjetër botërori, atij aziatik më 2002. Përpara 5 maji, tituli i humbur javën e fundit dhe lotët në pankinë. Është ndeshja e fundit zikaltër për Ronaldo-n.

Shkëlqen në Kupën e Botës duke shlyer pengun e vitit 1998. Në finale ndëshkon dy herë lojtarin më të mirë të turneut, portierin gjerman Oliver Kahn. Në kokë një model flokësh për të larguar syrin e keq. Ish-Dadado tani është lojtari më i mirë në botë dhe hero i atdheut të tij. Sonia dhe Nelio Nazario de Lima nuk janë më të varfër dhe dhëmbët duken shumë më mirë se disa vite më parë.

Është koha për të kaluar te Real Madrid. Në Milano ndihen të tradhëtuar, por jeta kjo është. Profesionizmi bazohet te paratë. 5 vitet si “merengue” nuk sjellin Champions-in e shumëdëshiruar.

Ka kohë edhe për një tjetër paraqitje në Milano. Si për të shtuar inatin e interistëve për largimin e mëparshëm, kthehet të luajë me fanellën kuqezi të Milan. Në një derbi, San Siro interiste vjen me bilbilë në stadium për ta vërshëllyer sa herë kap topin. Ronaldo shënon, por mundet nga ish-skuadra e tij.

Pesha fillon t’a shqetësojë. Këmbët nuk ja përballojnë dot shpejtësinë e dikurshme dhe fenomeni mes lotësh i jep lamtumirën futbollit me Corinthias në atdhe.

Në disa periudha, kur gjunjët nuk i bënin numra qe lojtari më i mirë në botë.

I të gjitha kohërave…

Leave a Reply