Kapiteni i sakrificave

Diku rreth vitit 1998 në rrugicat ku luanim futboll, Donaldi, shok i yni mbante veshur një bluzë të Inter me numrin 4. Mbi të lexonte Zanetti. Ja kishin sjellë nga Italia e pavarësisht se ishte më e bukur se fanellat tona të blera në ndonjë deng të hapur trotuareve të Tiranës, prapë çuditeshim me bluzën e Donaldit. “Inter ka Ronaldo-n, si ka mundësi që Donaldit i kanë bërë dhuratë bluzë me numrin e Zanetti-t?!”

Javier Zanetti vjen në jetë në gushtin e vitit 1973 dhe menjëherë i duhet të luftojë fort (siç do bënte me Inter në më shumë se 800 ndeshje) për të qëndruar në të. Foshnja e sapolindur ka probleme me frymëmarrjen e në ndihmë i vjen një mjek që quhej Adelmar. Në nder të doktorit prindërit mendojnë t’a quajnë djalin e tyre me emrin e parë Javier e të dytin Adelmar.

Bir i një familjeje punëtorësh, Javier rritet e dashurohet me futbollin në Argjentinën e juntës ushtarake dhe është fare i vogël kur kombëtarja albiceleste fiton botërorin e ’78, organizuar në shtëpi. E nis me topin në klubin e zemrës, Independiente. Për çudinë tonë sot (Zanetti në karrierë është dalluar për fuqinë fizike dhe muskujt masivë të këmbëve) në moshën 14 vjeçare e largojnë nga skuadra pasi ishte i vogël në trup dhe i pafuqishëm fizikisht.

Për 1 vit nuk luan futboll. Ndihmon të atin murator duke u zgjuar herët në mëngjes e duke u kthyer pasditeve vonë në shtëpi. Proces që e ndihmon të fuqizohet fizikisht e të përgatitet mendërisht.

I rikthehet lojës, kësaj radhe për të mos ju ndarë më deri në ditën e fundit të karrierës. E nis me Talleres, me të cilët debuton në kampionatin e Argjentinës e më pas kalon te Banfield ku paraqitjet e Zanetti-t vijnë gjithmonë e në rritje.

Në verën e vitit 1995 Javier Adelmar Zanetti bëhet pjesë e Inter. Vjen në Milano bashkë me Sebastián Rambert, sulmues. Ky i fundit duhet të ishte ylli i dyshes së sapoafruar, por historia tregon të kundërtën. Rambert largohet pak muaj më pas pa luajtur asnjë minutë në kampionat ndërsa Zanetti në vitin 1998 bëhet kapiten i zikaltërve e në vijim lojtari me më shumë trofe të fituar në klub.

Pagëzohet si “traktori” për forcën, grintën dhe të qenit lojtar i palodhur. Me Inter fiton Kupën UEFA në sezonin 1997-98, duke shënuar gol në finalen italiane kundër Lazio-s. Për të fituar trofe madhorë, për shumë arsye, i duhet të presë vite me radhë.

Zanetti bëhet emblemë interiste në një kohë “thatësire” dhe është një ndër krenaritë e pakta të tifozëve në ditë të vështira, në vuajtje. Pritja e besimi shpërblehen dhe Javier Zanetti është kapiteni zikaltër që ngre trofeun e Champions League më 22 maj 2010 në Madrid.

E mbyll me futbollin e luajtur në vitin 2014 dhe sot është zv.president i Inter. Gjatë gjithë karrierës profesionist e aktiv në sipërmarrje bamirësie, “kapiteni” ndihmon fëmijët në nevojë të zonës ku u lind në Argjentinë.

Donaldi është në Amerikë e nuk e di e ka më bluzën me numrin 4, megjithatë është më e thjeshtë për t’a kuptuar zgjedhjen e njerëzve të cilët i bënë dhuratë fanellën e Zanetti-t këtu e 20 vjet më parë…

 

Leave a Reply