I thjeshti

“Gjatë stërvitjeve të para, Kanté vraponte aq shumë sa mendoja mos kishte ndonjë bateri të fshehur te pantallonat. Nuk pushonte asnjëherë. I afrohem: ‘N’Golo, më ngadalë, mos vrapo çdo herë topit, në rregull?’ Mu përgjigj: ‘Në rregull, profesor. Në rregull.’ 10 sekonda më vonë, kthej kokën e shikoj prapë teksa vraponte. I them: ‘Një ditë do të shikoj t’a harkosh topin vetë dhe po vetë të shkosh në zonë e t’a gjuash me kokë.’ “
Claudio Ranieri, kur të dy bashkëpunonin te Leicester.

N’Golo Kanté është mesfushori i njohur i Francës së saposhpallur kampione e botës. I vogël në trup, përherë i qeshur dhe gjithmonë në shërbim të grupit, të ngjan me atë shokun e klasës që gjithmonë rrinte urtë dhe të vinte t’a mbroje sa herë e ngacmonte ndonjë tjetër disi më i zhvilluar në shtat dhe me llapën disi më të gjatë se mesatarja.

Kanté lind në Paris më 1991 në një familje me shumë fëmijë, 8 vëllezër e motra bashkë. Prindërit janë emigrantë nga Mali, afrikanë të ardhur në Europë për një jetesë më të mirë. Rreth jetës private të mesfushorit dihet shumë pak, por bashkëlojtarë dhe ish trajnerë e përshkruajnë si një njeri fjalëpak dhe shumë shumë (qëllimisht e përsëritur si fjalë) të edukuar.

Besimtar i devotshëm, N’Golo pyet shokun e tij Éric Vandenabeele te Boulogne mos e bezdiste fakti që falej në dhomën që ndanin gjatë grumbullimeve. Duke shtuar Vandenabeele: “Në makinë mund të kalonin edhe 10 minuta pa dëgjuar as edhe një fjalë të vetme nga Kanté.”

Futbollin e nis i vogël te Jeunesse Sportive Suresnoise. Më i imti dhe më i shkurtri ndër shokë, turnetë shpesh i përfundon si lojtari më i dalluar. Duke habitur shikuesit dhe vëzhguesit. Por që në atë kohë N’Golo ka probleme me kapjen e kupës për të festuar:

Nga Boulogne (ekipi i parë profesionist pas viteve te moshat e Suresnoise) kalon te Caen më 2013. Dy sezone aty e bëjnë të njohur në Francë dhe nis të tërheqë vëmendjen e klubeve të mëdha të Ligue 1. Gjithashtu fillon të njihet edhe si “Makelele i ri” falë rekordit në rekuperimin e topave, ku është më i miri i kategorisë. Në verën e vitit 2015 nuk shkon as te Lion e as te Marseille. Zgjedh të luajë për Leicester në Angli.

Këtu nis historia ‘moderne’ e N’Golo Kanté-s. Tifozëve i duhet shumë pak për t’i kushtuar një kor:

Në të vetmin sezon te Leicester shpallet kampion i Anglisë, bën pjesë në formacionin më të mirë të vitit dhe me 175 tackle (ndërhyrje në rrëshkitje) e 157 rekuperime topi mban rekordin e kampionatit. Për Alex Ferguson është “padyshim lojtari më i mirë i sezonit”.

Për shumë të tjerë, Kanté është akoma më cilësor si futbollist sesa Claude Makelele. Për këtë të fundit, kur më 2003 u largua nga Real Madrid, Zidane qe shprehur: “Pse duhet shtuar një tjetër shtresë floriri (kupto afrimin e David Beckham) te Bentley kur po të prishet motori?” E kuptoni vetë cilësinë e lojtarit me të cilin krahasohet.

Kampion me Anglinë u shpall edhe në sezonin pasardhës te Chelsea dhe pak ditë më parë fitoi Kupën e Botës. Gjithmonë i qeshur, përherë i përulur, N’Golo Kanté u bë personazh në rrjetet sociale për këngën që i këndojnë me humor shokët e ekipit dhe për faktin që priti gjatë në radhë për të bërë foto me trofeun.

Është N’Golo, udhëton akoma me një automjet ‘të thjeshtë’ për statusin e futbollistit superstar dhe qesh gjatë gjithë kohës. Njeri i zakonshëm, futbollist i jashtëzakonshëm…

Leave a Reply