Ronaldo de Assis Moreira – Joga Bonito

Ronaldo de Assis Moreira, fillimisht për të atin Joao dhe më vonë gjithë botën, Ronaldinho, e merr këtë pseudonim si fëmija më i vogël i familjes. Përpara tij Dona Miguelina ka sjellë në jetë vëllain Roberto dhe motrën Deisy.

Vëllai më i madh është futbollist te Grêmio, një nga skuadrat e Porto Alegres, qytet ku Ronaldinho lind më 21 mars 1980. Frymëzimi për topin e zë që në fëmijëri. Roberto është idhulli i tij dhe i vogli Ronaldo e ndjek duke u bërë pjesë e së njëjtës skuadër.

Grêmio, ndërkohë që përfiton shërbimet e Roberto de Assis, kupton se ka në dorë një xhevahir kur zbulon vëllain e tij të vogël. Klubi mendon të rrisë mirëqenien e familjes duke i vënë në dispozicion një vilë në një lagje më të mirë se ajo ku banonin më parë.

Investimi i klubit është domethënës por lumturia nuk zgjat shumë. Kryefamiljari Joao Da Silva Moreira, me profesion postier dhe saldator, për të patur disa të ardhura më tepër punon në parkingun e stadiumit ditën kur luan Grêmio. Djalin e madh arrin t’a shikojë si futbollist, por të voglin Ronaldo jo. Ndahet nga jeta në moshën 42 vjeçare, mbytet tragjikisht në pishinën e shtëpisë së re.

Familja bashkohet rreth më të voglit dhe pas humbjes së të atit, Ronaldinho ka si figurë kyçe në jetën e tij vëllain Roberto. Ky i fundit largohet shpejt nga futbolli i luajtur si pasojë e dëmtimeve dhe bëhet këshilltari i parë e më pas njeriu që do ndihmojë në zgjedhjet e karrierës vëllain e talentuar.

Në fëmijëri premton që do jetë “artist” i topit, driblon ccdo send që i del përpara dhe përdorimin e sferës së rrumbullakët e ka dhunti të falur nga krijesa më të fuqishme se ne njerëzorët. “Gjithçka di në këtë jetë e kam mësuar me topin mes këmbëve.”

Me ekipin e parë të Grêmio-s aktivizohet në moshën 18 vjeçare dhe kalon aty 3 sezone. Ka kohë të luajë gjithashtu për të gjitha kombëtaret e moshave të Brazilit, me U-17 shpallet kampion bote dhe më 26 qershor 1999 vijnë edhe minutat e para me kombëtaren e madhe. Kundër Letonisë, 3-0.

Në vitin 2001 vjen kalimi në Europë. Vendimtar në zgjedhjen e bërë është Roberto de Assis, vëllai i cili e këshillon: “Kaq i ri nuk mund të bëhesh direkt protagonist te Manchester United apo Real Madrid. E nisim nga Parisi.” Te PSG gjen bashkëlojtarë Jay-Jay Ococha dhe Nicolas Anelka. Në 2 sezone bëhet lojtari më i mirë i ekipit, shpallet kampion bote me Brazilin në Kore dhe Japoni 2002, ku gjen kohën t’i shënojë një gol spektakolar Anglisë në çerekfinale e të hutojë portierin Seaman dhe bëhet gati për lëvizjen e madhe.

Në verën e vitit 2003 merkato europiane e futbollit është po aq e nxehtë sa temperaturat e stinës. Joan Laporta zgjidhet president i Barcelona-s me premtimin që do sjellë në klub David Beckham nga Manchester United. Këta të fundit Becks-in mendojnë t’a zëvendësojnë me Ronaldinho-n. Beckham firmos për Real Madrid, Ronaldinho kalon te Barcelona falë miqësisë qe e lidh me zv. presidentin Sandro Rosell ndërsa Alex Fergusson “ngushëllohet” me talentin Cristiano Ronaldo nga Sporting Lisbona.

Në kampionatin spanjoll ndeshja e parë e Ronaldinho-s me fanellën blaugrana veshur nis në një orar të pazakontë, 00:00. Luhet pas mesnate ndaj Sevilla-s. Është ora 01:24 kur braziliani shënon golin e mëposhtëm:

Në prillin e vitit 2004 luhet një Clásico në “Bernabeu” dhe është i pari që personalisht e mbaj mend mirë. Transmetohej në Top Channel. Shënon Real me anë të Solari-t dhe barazon Barcelona me gol të Kluivert. Më vonë Ronaldinho kreu një gjest pas të cilit vendosa t’a shoh Barcelona-n më shpesh në televizor. Sajon një super pasim për Xavi-n dhe ky i fundit pa e lënë topin të prekë tokën e kalon mbi kokën e Casillas. 1-2 për Barça-n.

Barcelona ka 3 vite që renditet poshtë Reali-t në kampionat. Fitorja ndryshon edhe balancat e turneut dhe paralajmëron ardhjen e një tjetër mode. Asaj fituese Rijkaard në pankinë, Ronaldinho në fushë. Braziliani gjen lumturinë në qytet e nis të pasojë, driblojë dynjanë e shënojë gola spektakolarë.

Vijnë me radhë kampionati spanjoll, Topi i Artë dhe Champions League në finalen e Parisit kundër Arsenal. Me buzëqeshje feston arritjet e tij dhe ndihmon me integrimin në ekipin e parë një talent argjentinas që më vonë do veshë fanellën e tij me numër 10, Lionel Messi.

Bëhet lojtari më i dashur në botë dhe një natë nëntori të vitit 2005 arrin të marrë duartrokitjet e tifozëve të Real-it. Barcelona fiton 0-3 dhe dy gola i shënon Ronaldo de Assis. Në të dyja rastet çorodit Sergio Ramos, mbrojtës i ri që luan për herë të parë në një Clásico. Për kohën Ronaldinho është padiskutim lojtari më i mirë në botë.

Topin e përkëdhel dhe në ditët e tij më të mira me të bën  ç’të dojë. Fiton gjithçka te Barcelona dhe me ikjen e Rijkaard nga pankina (“trajneri për të cilin kam punuar me më shumë dëshirë në karrierë”) vendos të largohet edhe vetë.

Milan, shënon në një derbi me kokë, disa skuadra në vendlindje, një përvojë në Meksikë dhe lamtumira zyrtare nga futbolli pak kohë më parë.

“Do preferoja t’a kisha në dispozicion kur ishte ende futbollist. Akoma është më i miri në botë me topin në këmbë, por nuk jeton më si futbollist. Nuk stërvitet me ritmet që kërkon loja sot”, shprehej Allegri në periudhën e fundit të Ronaldinho-s te Milan.

Kur luante, e bënte me dashuri. Pas largimit nga Barça, Ronaldo i vogël nuk qe më i njëjti. Buzëqeshte më rrallë dhe luante muzikë më shpesh me grupin e tij të preferuar. E bënte natën, kur tjerë futbollistë mbanin regjim. Model për shumë futbollistë dhe idhull për shumë fëmijë, Ronaldinho qe një artist i huazuar për disa vite në futboll.

Kuriozitet: Kur luante ende te PSG, dikush nga drejtuesit e Real Madrid ishte kundër afrimit të tij në Bernabeu “pasi është aq i shëmtuar saqë do të na fundosë si markë”. Estetikisht në Barcelonë tregoi se qe në lartësinë e situatës…

Leave a Reply