Medellín, Colombia!

Në vitin 1993 Medelini (Medellín në gjuhën lokale) i Kolumbisë mbante vendin e parë në botë si qyteti më i rrezikshëm për të jetuar dhe kishte rekordin fatkeq të numrit më të madh të vrasjeve për banorë.

Në të njëjtin vit, Medelini i Kolumbisë udhëhiqte në vend si qyteti me më shumë vrasje fëmijësh dhe adoleshëntësh në raport me popullsinë.

Një panoramë më të gjerë rreth pse-ve mund t’jua japë leximi i historisë apo ndjekja e shumë filmave dhe dokumentarëve që trajtojnë tematikën. Një shembull: prodhimi i Netflix, titulluar “Narcos”.

Medelini qe qyteti i Pablo Emilio Escobar Gaviria-s, ‘baron’ i drogës dhe protagonist kryesor i botës kriminale në vitet ’80, duke u shndërruar për një kohë të shkurtër në një ndër njerëzit më të pasur në glob. Gjatë kohës në aktivitet, Pablo Escobar terrorizoi Kolumbinë duke autorizuar atentate të shumtë ku humbën jetën me radhë politikanë, gjykatës, gazetarë, policë e rivalë.

Pablo Emilio Escobar Gaviria u vra në një aksion të organizuar nga policia e ushtria vendase në bashkëpunim të ngushtë me forcat amerikane të DEA-s më 2 dhjetor 1993.

Në të njëjtin vit, më 18 janar, në qytet vinte në jetë Juan Fernando Quintero Paniagua, sot mesfushor i kombëtares kolumbiane që falë edhe meritës së madhe të futbollistit në fjalë, është kualifikuar për në fazën e 1/16 të Kupës së Botës Rusi 2018.

Në moshën 2 vjeçare, Juan Quintero humbet të atin. Jaime Quintero po kthehej nga ushtria me një epror të tijin dhe pasi zbret nga furgoni me të cilin po udhëtonte, zhduket. Rreth fatit të tij nuk dihet asgjë ende sot e kësaj dite. Termi “desaparecido” në ato zona është shpesh i përdorur.

I biri ka talent dhe bëhet futbollist. Formohet si lojtar te Envigado Futbol Club, e njëjta skuadër nga ku vijnë edhe Fredy Guarín e James Rodríguez. Pas dy viteve të mira ku spikat si sallaks/mëngjarash me fantazi në pasime dhe goditje të sakta kalon te Atlético Nacional në Medelin, një nga dy skuadrat e qytetit të tij.

Shkëlqimi aty bën të afrohet edhe përvoja e parë europiane. Te Pescara në Itali, Juan Quintero është ndër më të mirët në sezonin 2012-13 dhe në verën pasardhëse kalon te Porto për një shifër të konsiderueshme.

Lojtari premtues nuk arrin të përmbushë premisat e fillimit të karrierës dhe në Europën e topit nis një rrugëtim për së mbrapshti. Portugezet e huazojnë te Rennes në Francë dhe Quintero me paraqitjet e tij humbet vendin e fituar në kombëtaren e Kolumbisë.

Quintero humbet besimin në aftësitë e tij dhe zëra të pakonfirmuar thonë se arriti në një pikë ku mendonte tërheqjen nga futbolli. Në moshë shumë të re dhe duke patur në dispozicion dhunti futbollistike që shumë të tjerë ëndërrojnë.

Në vitin 2017 kthehet në Kolumbi, sërish në Medelin, por te skuadra tjetër e qytetit, Independiente. Provon fatin si këngëtar në rrymën reggaeton dhe arrin pikën më të ulët të karrierës, ku tifozët dhe ambienti e kritikojnë për mokokëçarje për skuadrën.

Deri kur në fillimin e vitit 2018 nga Argjentina vjen një ftesë. Nga Argjentina e kërkon River Plate, ku fantazisti rifiton besimin dhe rizbulon dëshirën për të shfaqur talentin e bollshëm. Forma në rritje bën që trajneri José Néstor Pékerman t’a rikthejë në kombëtare pavarësisht se lojtari nuk qe pjesë e ekipit gjatë ndeshjeve eleminatore.

Sot Juan Quintero, sallaks fantazist, numër 10 nga ai lloj lojtarësh që në futbollin modern janë në zhdukje (preferohet fiziku) është titullar i Kolumbisë dhe krijimi i lojës së skuadrës kalon nga këmbët e tij.

Në vitet ’90, bashkëmoshatarët e Juan-it nga Medelini, recitonin vargjet:

Fumar para matar
Matar para comer
Comer para vivir

“Tymos (drogohem) për të vrarë; vras për të ngrënë; ha për të jetuar”

Quintero-s, fatmirësisht, jeta i dha udhëtim tjetër për të kryer. Me top mes këmbëve…

Leave a Reply