Danimarka, kampione e Europës pa u kualifikuar

Në fundin e majit të vitit 1992, Richard Møller-Nielsen sapo kishte nisur riparimin e kuzhinës së shtëpisë së tij në Danimarkë.
Po në Danimarkë, Kim Vilfort po kalonte një prej periudhave më të vështira të jetës: Line, e bija 7 vjeçare e diagnostikuar me leuçemi, po luftonte me vdekjen.

Møller-Nielsen është trajner i kombëtares së Danimarkës ndërsa Vilfort lojtar i saj. Për të dy vera ka nisur më herët duke qenë se skuadra e tyre nuk arriti të kualifikohej për në Kampionatin Europianin të futbollit që do çelet në Suedi më 10 qershor. Si e para në grupin kualifikues, kjo e drejtë i takon Jugosllavisë.

Por në atë zonë të botës, në Ballkan, ka nisur një prej luftërave më të përgjakshme të viteve ’90. Jugosllavia nuk ekziston më duke i lënë vendin shteteve të pavarura të Kroacisë, të Bosnjes. Më 30 maj 1992 Këshilli i Sigurisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara shpall rezolutën ku ndër të tjera i ndalohet Jugosllavisë pjesëmarrja në manifestime sportive deri në një vendim të dytë.

Lirohet kështu një vend për në Europianin e Suedisë kur mbeten më pak se 2 javë nga fillimi i turneut. Federata daneze njoftohet me urgjencë për të bërë gati përfaqësuesen e saj. Janë nordikët që e fitojnë këtë të drejtë, duke qenë se bënin pjesë në të njëjtin grup eleminator me Jugosllavinë, duke u renditur të dytët.

Trajneri Richard Møller-Nielsen mezi bën gati lojtarët e nevojshëm. Michael Laudrup, në kontradiktë me trajnerin për një zëvendësim të mëparshëm refuzon pjesëmarrjen në Europian.
“Kombëtarja ime është Barcelona”, përgjigjet ylli i futbollit danez.
Të tjerë futbollistë heqin dorë nga pushimet e saponisura për t’u bashkuar me shokët e skuadrëds. Mes tyre edhe Kim Vilfort, i cili ka të tjera probleme për të përballuar.

Euro 1992 është i fundit ku marrin pjesë vetëm 8 skuadra të ndara në 2 grupe. Danimarka, në të sajin ka përballë Anglinë, Suedinë dhe Francën.

0-0 ndeshja e parë me Anglinë dhe një humbje 1-0 në të dytën përballëve organizatorëve të turneut, Suedisë.
Shanset për gjysëmfinale janë të gjitha te ndeshja e fundit, ajo me Francën. Duke habitur këdo, danezët fitojnë 2-1 duke siguruar një vend në katërshen më të mirë të turneut.

Aty ku i pret Hollanda kampione në fuqi dhe e mbushur me yje. Dallojnë Van Basten, Rijkaard e Gullit. Ndeshja përfundon 2-2 dhe finalisti do përcaktohet nga goditjet e penalltive.
Ai që gabon është “mjellma e Utrehtit”, Marco Van Basten, gjuajtja e të cilit pritet nga Peter Schmeichel.

Danimarka është në finale për surprizën e të gjithëve. Kundërshtare ka Gjermaninë e trajnerit Berti Vogst. Mbrojtësi John Jensen shënon në pjesën e parë por fitorja e ndeshjes dhe e Kampionatit Europian vuloset nga Kim Vilfort në minutën e 78′.

Vilfort, i cili pati munguar në ndeshjen me Francën në fazën e grupeve për të qenë pranë së bijës së sëmurë merr përqafimin e gjithë shokëve të skuadrës.

Danezët kurorëzojnë kështu një ëndërr të cilën pakkush e pat besuar, duke realizuar një mrekulli sportive të pa precedent.

Richard Møller-Nielsen nuk pati mundësi t’a përfundonte vetë riparimin e kuzhinës dhe ja besoi atë një marangozi profesionist.

E vogla Line Vilfort u nda nga jeta pak javë pas përfundimit të turneut, duke i dhënë mundësinë të atit Kim të shndërrohej në hero për sytë e saj dhe të gjithë Danimarkës…

Leave a Reply