“Trajneri më i mirë që Anglia nuk pati ndonjëherë”

Mbi Brian Clough, “trajnerin më të mirë që Anglia nuk pati ndonjëherë”, dihet shumë falë edhe filmit “The Damned United”.

Fitues, i alkolizuar, fitues, personazh konfliktual, fitues, narcizist (a si dreqin shkruhet), prapë fitues, Clough gjatë jetës së tij qe protagonist i një morie episodesh të denja për të hyrë në histori.
Njërin po e tregojmë më poshtë:

Archie Gemmil në vitin 1970 kishte rënë dakord për t’u bashkuar me Everton pas tre sezonesh të mira me skuadrën e Preston. Por kishte një problem të vogël, për lojtarin interesohej edhe Derby County i drejtuar nga vetë Brian Clough.
Një natë, dikush troket në derën e familjes Gemmil:
“Mirmbrëma, quhem Brian Clough dhe jam trajneri i skuadrës tënde të ardhshme. Nuk iki nga këtu pa marrë firmën mbi kontratë. A mund të fle në divan të paktën se tapeti është i parehatshëm…”
Të nesërmen Archie Gemmil zgjohej si lojtar i Derby County…

Megjithatë mrekullia më e madhe sportive e trajnerit këmbëngulës mban emrin e Nottingham Forest.

Më 12 shtator 1974, pas vetëm 44 ditësh në krye të detyrës, Brian Clough pushohet nga puna si trajner i Leeds United. Arsyet: mosmarrëveshje dhe përplasje të vazhdueshme me lojtarët kryesorë të skuadrës.

Pak muaj më vonë, në janar 1975, trajnerit karizmatik i jepet mundësia e drejtimit të Nottingham Forest, skuadër e cila luante në ligën e dytë për nga rëndësia në futbollin anglez.

Clough, një prej trajnerëve më në zë të kohës (kampion i Anglisë me Derby County në sezonin 1971-72) pranon të ulet një kategori më poshtë dhe nis një prej historive më të mbresëlënëse e befasuese që ka njohur loja e bukur.

Në harkun kohor të dy sezoneve, Nottingham Forest ngjitet në kategorinë e më të mirëve dhe që në kampionatin e parë, atë 1977-78 shpallet kampion i Anglisë duke çuditur sportdashësit e përgënjeshtruar parashikimet.

Titulli kampion i jep të kuqve nga Nottingham të drejtën e pjesëmarrjes në Kupën e Kampionëve një sezon më vonë.
Për herë të parë në kompeticionin më të rëndësishëm për klube, skuadra e Brian Clough arrin në finale dhe bën të vetën “kupën me veshë” duke mposhtur suedezët e Malmö.
Dy vite më parë ishin në ligën e dytë angleze…

Nottingham Forest konfirmohet kampion i Europës edhe në sezonin pasardhës, kur në finalen e Madridit mund gjermanët e Hamburger SV. Një mrekulli sportive autentike, firmosur nga Brian Clough dhe ndihmësi i tij Peter Taylor, të cilët me një skuadër të panjohur ngjiten një kategori më lart në Angli, shpallen kampionë menjëherë pas rikthimit dhe bëhen ekipi i parë (pas Real Madrid) që fiton Kupën e Kampionëve në sezonin e parë që merr pjesë në të.

Duke u përsëritur një vit më vonë…

Protagonist në Champions-in e parë të fituar qe Trevor Francis, i pari lojtar për të cilin u pagua mbi 1 milionë paund. Në të vërtetë 999.999 paund “pasi unë nuk jap 1 milionë për një futbollist” siç do të shprehej Clough pas transferimit.

Në të dytin Champions, hero i fitores qe skocezi John Robertson, i quajtur ndryshe edhe si “anësori me bark”, për shkak të fizikut të tij jo shumë atletik. Lojtar teknik dhe i aftë në goditjet e ndaluara Robertson shënon golin e vetëm ne finalen e “Bernabeut” me një gjuajtje të saktë nga jashtë zone. Në portë priste i njohuri Peter Shilton.

Nottingham Forest, në vitin 1979 u përball me Liverpool në stadiumin “Hillsborough” në një gjysëmfinale të FA Cup. Histori tragjike, mbi të cilën mund të informoheni këtu

Leave a Reply