The Baby-faced Assassin

“Shoku im i ngushtë punon si infermier dhe atë mbrëmje kishte turnin e natës. Kur e pyeta nëse kishte mundësi të shikonte finalen, mu përgjigj se nuk ishte i sigurtë pasi niste turnin ndërkohë që ndeshja luhej. I thashë: mundohu, sepse sot kam besim se do ndodhë diçka e madhe!”

26 maj 1999. Në Barcelonë luhet finalja e Ligës së Kampionëve mes Bayen Munich dhe Manchester United. Disa orë përpara ndeshjes Ole Gunnar Solskjær flet në telefon me shokun e tij në Norvegji dhe i kërkon të sakrifikojë pak se ka një parandjenjë të mirë.

Megjithatë të parët që kalojnë në avantazh janë gjermanët në minutën e 6’ pas një goditje të saktë dënimi me autor Mario Basler. Ndeshja në të vërtetë shikon një Bayern më kërkues e me shumë mundësi shënimi. Pak fati (dy shtylla nga Carsten Jancker e Mehmet Scholl) e pak pritjet e shkëlqyera të portierit Peter Schmeichel (kapiten, në mungesë të Roy Keane për arsye kartonash) bëjnë që avantazhi të mos thellohet.

Dy janë zëvendësimet e Alex Ferguson. Në të 67’ Teddy Sheringham zë vendin e Jesper Blomqvist dhe në të 81’ Ole Gunnar Solskjær për Andy Cole. Kurrë një trajner nuk qe më i saktë…

Në minutën e 90’ gjyqtari Pierluigi Collina akordon 3 minuta shtesë. Ka goditje këndi për United. E merr përsipër Beckham. Kros në zonë ku ka dalë të sulmojë edhe portieri Schmeichel, topi te Giggs që me të djathtën bën ç’të mundet e fatmirësisht për të, arrin këmbët e Sheringham. Gol për Manchester. Gol për Manchester. Barazim kur mendohej se ndeshja qe e mbyllur e trofeu do merrte rrugën për Bavari.

Ka ekstazë në pjesën angleze të stadiumit, sërish një këndore. Prapë Beckham, Sheringham e ul dhe fare pranë vijës fatale ku Solskjær e zhyt në portë duke mundur Oliver Kahn e kurorëzuar një natë ëndrrash për Manchester United. Anglia është toka e Shakespeare, atje janë të mësuar me dramat.

I pyetur pas ndeshjes, Alex Ferguson mjaftohet me: “I can’t believe that. Football, bloody hell…”

Shoku i Ole Gunnar Solskjær do ketë bërë mirë t’a ketë shtyrë marrjen e turnit…

Leave a Reply