Sergei Romanishin, më shqiptari ndër ukrainas

 

Kontakti i parë me Sergei Romanishin është në Facebook. I nis një mesazh prezantimi në anglisht, kur disa ditë më vonë më vjen një përgjigje në gjuhën shqipe:
 
“Përshëndetje Andi! Si je? Si është futbolli në Shqipëri? Sa shikoj unë Dinamo shumë keq. Respekte për ju dhe gjithë shqiptarët. Faleminderit që më kujtoni akoma. Më fal për shqipen sepse e kam harruar.”
 
Në fakt nuk e ka harruar fare dhe e vërtetoj disa ditë më vonë kur pasi kemi shkëmbyer numrat e telefonit komunikojmë në Viber. Shqipja e tij është si të ishte e dikujt që banon te “Tirana e re”:
 
“Mirmbrëma Andi! Jam në shtëpi. Po bëhem gati të shikoj Dinamo-Shakhtar, finalen e Kupës së Ukrainës.”
 
Mesa duket, në jetën e Sergeit ka përherë pak Dinamo.


– Afroheni në Shqipëri në vitin 1999. Si arritët të luani futboll në vendin tonë?
 

– Në atë koha aktivizohesha në kampionatin ukrainas dhe në federatën tonë vjen një ftesë për disa lojtarë që të provoheshin në Shqipëri. Mes tyre edhe unë. Kisha disa përvoja në skuadra ukrainase e ruse por me pak të ardhura financiare. Kur mu dha mundësia për t’u nisur drejt Tiranës nuk u mendova dy herë. Fillimisht ishim disa futbollistë. Në fund mbeta vetëm unë.

– Te Dinamo e Tiranës, që po hidhte bazat e skuadrës kampione të sezonit 2001-2002. Sa zgjati periudha e ambientimit? 

– Kam gjetur një ambient të shkëlqyer si brenda ashtu edhe jashtë fushës. Të gjithë më kanë pritur mirë. Shokët e skuadrës përveçse futbollistë cilësorë ishin edhe çuna me vlera. Gjithashtu edhe tifozët janë treguar përherë të dashur me mua ndaj edhe ambientimi në Shqipëri nuk qe problem. Gjatë viteve në Tiranë njoha shumë njerëz dhe me raste më binte të pija kafe edhe me tifozë të Tiranës apo të Partizanit.

– Ju mesfushor qendre në një ekip shumë të fortë. Cilin nga lojtarët do të veçonit si më të mirin në sezonin e titullit?

– Kur fituam kampionatin skuadra ishte shumë e mirë. Nuk e di a mund të veçoj njeri, pasi vetitë që kishte njëri nuk i kishte tjetri. Nëse dikush ishte teknik, ai tjetri ishte i fortë, një tjetër i shpejtë e një tjetër akoma lojtar i zgjuar dhe bëhej një ndërthurje cilësore. Ndeshjet në atë sezon ishin shumë të forta pasi rivalët e Dinamos ishin Tirana, Partizani, Vllaznia e Teuta. Kundërshtarë që i shtuan vlerat suksesit tonë final.

– Po nga lojtarët kundërshtarë, cili ishte më i vështiri për t’u patur përballë?

– Unë në fushë përherë hyja i gatshëm për të dhënë maksimumin tim dhe asnjëherë nuk mendoja sa i fortë mund të ishte lojtari që më binte përballë. Kur luaja te Dinamo disa herë më ka takuar të markoja Fortuzin, shumë në formë për vitet që po flasim. Megjithatë ndeshjet përgatiteshin në një mënyrë të tillë që të përqëndrohesha vetëm te loja ime, të luaja “me tru” (sh. red: e thotë kështu në gjuhën shqipe) dhe të mos bija pre e provokimeve nga kundërshtarët.

Përveç Dinamos, në Shqipëri keni luajtur futboll edhe në qytete të tjera. Cfarë mbani mend nga ato përvoja? 

– E vërtetë. Kam luajtur në Shkodër, Kavajë, Peqin dhe Korçë. Te Vllaznia president ishte Myftar Çela, një njeri që më ka lënë shumë mbresa. Kujdesej për futbollistët deri në detajet me të vogla. Mbaj mend që kur u nisa me pushime në Ukrainë erdhi e më tha: “Sergei, për çdo gjë që ke nevojë mos ngurro të më thuash.” Disa gjeste që të bëjnë shumë përshtypje. Për fat keq, në Ukrainë mora vesh që presidenti ishte ndarë nga jeta dhe kur u riktheva në Shkodër drejtuesit e rinj të klubit me ndershmëri më thanë se nuk më paguanin dot dhe ndërpremë kontratën. Kam luajtur pak edhe te Besa e Shkumbini ku ruaj kujtime të mira edhe pse në Peqin ambientimi qe pak më i vështirë se në qytetet e tjera.

– Në Peqin edhe fusha ishte e vështirë. Skuadrat mike nuk fitonin dot…

– Po, por me Dinamon kemi fituar aty.

– Keni qenë pjesë edhe e Skënderbeut të Korçës. A e dini që sot është skuadra më e sukssesshme në Shqipëri?

– Patjetër, kanë luajtur edhë në Europa League me Dinamo Kiev. Në Korçë si trajner kisha ish-portierin Jani Kaçi dhe në atë sezon arritëm të ngjiteshim në kategorinë e më të mirëve. Qyteti është shumë i bukur por kur unë isha pjesë e Skënderbeut klubi nuk kishte perspektivë për sukseset që po korr sot.

– A jeni akoma në kontakt me miqtë shqiptarë?

– Pak, kryesisht nëpërmjet rrjeteve sociale kur urojmë njëri tjetrin për ditëlindje. Kanë kaluar pothuajse 15 vjet që nga koha kur ika nga Shqipëria dhe shumë ish-shokë skuadrash tani janë trajnerë. Pinari përshembull është bërë opinionist sportiv. Një mik i mirë i imi shqiptar, i cili ka ardhur të më takojë edhe në Ukrainë tani fatkeqësisht nuk jeton më. Nuk ishte pjesë e botës së futbollit. Për rezultatet dhe mbarëvajtjen e skuadrave me raste komunikoj me Fatos Kademin, dikur te Dinamo e tani magazinier i kombëtares së Shqipërisë.

– Dinamo, skuadra me të cilën keni luajtur më shumë në vendin tonë, tani është larg shkëlqimit të dikurshëm…

E di. Mua më vjen keq, por më vjen edhe turp për këtë fakt. Arritjet tona, sidomos sezoni me Faruk Sejdinin si trajner, ishin historike. Është e paimagjinueshme, shpresoj që situata të përmirësohet. Kam kaluar mirë aty dhe nëpërmjet kësaj interviste dua t’i bëj të fala edhe tifozëve të Dinamos.

– Me çfarë merret aktulisht Sergei Romanishin?

– Tani për tani jam pushim. Kisha një aktivitet tregtar me Rusinë, por tani jo më që pas luftës së para pak viteve. Me futbollin e kam mbyllur dhe ndonjëherë shkoj në Kanada ku jeton im vëlla dhe kur më jepet mundësia, stërvis atje një skuadër amatorësh të komunitetit ukrainas.

– Po në Shqipëri kur do ktheheni?

– Me kismet, siç thoni ju. Do të më pëlqente të vija për plazh.

– Sergei faleminderit për kohën dhe përgëzimet më të mira për shqipen e folur!

– Faleminderit edhe juve. Ndihem i vlerësuar që në Shqipëri më kujtojnë akoma dhe nëse ndonjë ish-shok skuadre të kërkon numrin tim të telefonit mund t’ja japësh pa më pyetur fare. Përsa i përket shqipes, e mësova për 1 vit dhe kontratën time të dytë aty e firmosa pa përkthyes fare.

Intervistoi: Andi KASMI

Leave a Reply