Në Kavajë më thërrasin “o njishi”: rrëfimi i veçantë i Austin Rogers, portierit amerikan të Besës

A e dinit që vargjet “Byrek byrek o usta Murat” të një kënge të famshme popullore autori i ka thurur duke u bazuar te historia e Murat Lamës, një dibrani të zhvendosur në Kavajë që kishte hapur një byrektore pranë xhamisë Kubelie?

Po sot a e dini që çdo mëngjes, një amerikan që jeton në Kavajë e në jetë si profesion ushtron atë të portierit, ditën e nis me një byrek me gjizë?

Kjo është historia e Austin Rogers, 21 vjeçarit nga Portland që sot mbron portën e Besës në kategorinë e parë të kampionatit shqiptar të futbollit, plot 9670 kilometra larg qytetit të tij të lindjes.

– Pse në Kavajë?

– Kontakti im i parë me Europën e futbollit ka qenë 4 vjet më parë në Uilc (Wiltz) të Luksemburgut, qyteti i origjinës së gjyshërve të nënës time. Atje jam stërvitur me grupmoshën e 17 vjeçarëve e më pas jam kthyer në Amerikë ku kam luajtur me Kitsap Pumas, skuadër profesioniste me bazë në Uashington. Në fundin e vitit të kaluar pata një përvojë edhe te PAOK i Selanikut, por që nuk u zgjat më tepër për arsye dokumentash. Mbase tingëllon e çuditshme por edhe ne amerikanët hasim në pengesa të tilla. Nëpërmjet Facebook u njoha me agjentin tim shqiptar, i cili më propozoi një periudhë prove te Kastrioti i Krujës. Përshtypjet qenë pozitiva por u largova pasi nuk më garantohej vendi i titullarit. Pas pushimeve të Krishtlindjeve u ktheva në Shqipëri, kësaj radhe në Kavajë. Besës i nevojitej një portier pas largimit të Dajsinanit te Partizani dhe ja ku jam sot, në mbrojtje të portës kavajase.

– Bëjmë një hap prapa e kthehemi në fëmijërinë tuaj në Portland. Si lindi pasioni për futbollin?

– Jemi një familje futbollistësh. Im atë ka luajtur në nivel profesionist, si portier, te Portland Timbers (sh.red. fituesit e fundit të MLS Cup në Amerikë). Vëllai im më i madh, gjithashtu portier, luan me OSA FC në Uashington. Kështu edhe unë ndoqa rrugën e tyre duke qenë se dëshira nuk më mungonte.

– Cili është portieri më i mirë në familje?

– Dikur babi (qesh), tani unë.

– Po tifozi juaj numër një?

– Mamaja. Skype, Facebook apo Whatsapp, kontaktoj me të përditë.

– A e njihnit Shqipërinë përpara se të vinit të luanit në kampionatin tonë?

– Fare. Madje përpara se të mbërrija i vetmi informacion që disponoja ishin fotot që kisha parë në Google images.

– Si e kaloni ditën në Kavajë?

– Në mëngjes zgjohem herët dhe ditën më pëlqen ta nis me një byrek me gjizë e një kafe të ftohtë të shërbyer nga Aida (sh.red. vajza e cila punon në lokalin që frekuenton Austin). Drekën e gatuaj vetën, edhe pse askush nuk më beson që jam një guzhinier i mirë. Kryesisht përgatis pjata me bazë pule. Më pas drejtohem drejt fushës stërvitore. Preferoj të jem i pranishëm një orë përpara fillimit të stërvitjes. Kryej stretching e aerobi deri në fillimin e saj. Në varësi të ngarkesave të marra, organizoj edhe darkën. Nëse stërvitemi fort, si grup shkojmë e hamë pica në lokal, nëse jo kthehem në shtëpi e gatuaj sërish vetë. Kohën e lirë e shfrytëzoj duke ecur e udhëtuar. Ndonjëherë me shokët e skuadrës shkojmë për plazh në Golem. Më pëlqen të njoh sa më shumë Shipërinë e shqiptarët.

– Si ju duket guzhina jonë dhe cili është ushqimi i preferuar shqiptar?

– Mbaroj për pilaf me qofte. Kam mësuar t’i gatuaj edhe vetë. Guzhina shqiptare është e re për mua, por po e njoh dhe e po e shijoj me qejf. E vetmja gjë që nuk më pëlqen është kosi. Dua të shtoj edhe diçka tjetër: në Kavajë konsumoj pafund Nescafe, krahasuar me Amerikën nuk kushton pothuajse fare.

– Ku jetoni aktualisht?

– Muajin e parë jam rehatuar në një hotel, ndërsa tani kam marrë me qera një apartament të gjithin për vete ngjitur me stadiumin. Në Kavajë paguaj vetëm 70 dollarë, ja vlen.

– Më përpara folët për stërvitjen. Sa ndryshon niveli i trajnimit të portierëve në Shqipëri krahasuar me Greqinë?

– Te Besa më stërvit Taulant Guma, që është edhe miku im më i mirë në Shqipëri. Nëse te PAOK përqendroheshin shumë te stërvitja e këmbëve, për të fituar shpejtësi në veprime, në Kavajë ka shumë taktikë. Pas çdo përsëritjeje ushtrimi, trajneri ndalet dhe na këshillon. Për mua është shumë pozitive, duke qenë se kështu mund të kuptoj ku kam gabuar e të mundohem të korrigjoj veprimet sa më shpejt.

– Në disa ndeshje keni luajtur me uniformën e skuadrës kombëtare të veshur. Pse?

– Bluza ime është e bardhë, por rastis që ngjyra ndonjëherë të jetë e njëjtë me atë të kundërshtarëve e jam i detyruar t’a ndërroj. Më ndodhi ndaj Kamzës përshembull, e meqë kemi vetëm nga një bluzë në dispozicion më dhanë fanellën e kombëtares së Shipërisë, e cila i përket portierit tjetër të Besës, Bruno Puja, që luan për U-17.

– Cili është portieri shqiptar që ju pëlqen më shumë?

– Orges Shehi. E kam ndjekur edhe në Europa League ndaj Lokomotivit të Moskës.

– Po në rang ndërkombëtar?

– “Binjaku” im Kasper Schmeichel. Përveç ngjashmërisë fizike besoj se kam edhe disa karakteristika në lojë të përafërta me portierin e Leicester.

– Cila skuadra juaj e preferuar?

– Milan.

– Si është marrëdhënia juaj me gjuhën shqipe?

– Avash avash (e thotë në shqip gjatë bisedës) po mësoj nga pak. Më ndihmon shoku im i skuadrës, Shyqo (sh.red. Shyqyri Myrtollari, mbrojtës).

– Duhet të jeni i vetmi amerikan në Kavajë…

– Jo jo. Këtu jeton edhe një bashkëkombas i imi, Mike, i cili është mësues anglishteje në një shkollë.

– Portland është qyteti i origjinës së Steve Jobs, por në Kavajë besoj jeni ju qytetari i tij më i njohur…

– E vërtetë që Jobs ishte nga Portland, por në qytet është krijuar edhe marka e veshjeve sportive Nike.

– Çfarë ju pëlqen e çfarë jo nga Shqipëria?

– Më pëlqen afrimiteti i njerëzve. Të gjithë më ndalin në rrugë e më thërrasin “o njishi”, më ftojnë për kafe, ulen të bisedojnë me mua. Edhe pse kur mundemi, askush s’më flet (qesh). Diçka që nuk më pëlqen është idea që kanë shqiptarët se të paturit e një pasaportë tjetër të thjeshtëson jetesën. Nuk është e vërtetë. Unë flas për rastin tim. Jetoj shumë larg shtëpisë e sakrifikoj për të luajtur futboll. Në adoleshencë kam punuar edhe si bojaxhi, pastrues në një restorant e trajner futbolli në një shkollë fëmijësh. Nuk arrihet gjë pa punë e përpjekje.

– A jeni i kënaqur me përvojën te Besa?

– Patjetër. Përveç se po luaj më pëlqen edhe trajtimi profesional. Pagesat bëhen në bankë, klubi është treguar gjithmonë korrekt ndaj meje.

– Ju në janar keni firmosur vetëm për 6 muaj. Çfarë do bëni më vonë?

– Në fillim do të flas me drejtuesit e klubit, më pas do nisem të paktën për 3 javë me pushime në Amerikë. Gjatë kësaj kohe do të vlerësoj edhe ofertat që do më vijnë. Megjithatë pres të mbarojë mirë sezoni: nëse fitojmë këtë fundjavë ndaj Adës së Velipojës sigurojmë qëndrimin në kategori.

– Keni preferenca?

– Sigurisht. Dua të luaj për një klub, në Shqipëri apo diku tjetër, që lufton për lavdi e trofe. Jam konkurrues, është në karakterin tim etja për fitore.

– Ku do të dëshironit të luanit në Shqipëri?

– Më pëlqen shumë qyteti i Durrësit. Ne në Portland nuk kemi det, ndaj Durrësin e adhuroj. Nëse do më jepej mundësia të luaja për Teutën, do të ishte maksimumi.

– Jemi në fundin e intervistës. Çfarë dëshiron Austin të shtojë rreth përvojës në Shqipëri?

– Në një ndeshje miqësore i prita një penallti nigerianit James kur luante me Laçin. Një javë më vonë mora vesh që kishte kaluar te Skënderbeu. Kënaqësi personale, shpresoj që James të mos më mbajë mëri nëse lexon intervistën.

Intervistoi: Andi KASMI
27 prill 2016

Leave a Reply