Kapiteni kurajoz

Mbrojtës i disa skuadrave në kategori të ndryshme të kampionatit italian, më tepër njihej si vëllai i sulmuesit më të famshëm, Cristiano Lucarelli-t, komunistit. Për Alessandro-n, më i vogli ndër të dy, nuk përbënte problem pasi qe mësuar të jetonte nën hijen e të vëllait, por kur në vitin 2008 kaloi te Parma dhe e quajtën të rekomanduar, aty nuk i erdhi fare mirë.

Cristiano dhe Alessandro Lucarelli lindin në Livorno, qytet ku është themeluar Partia Komuniste italiane dhe lagjja ku u rritën, mes livornezëve quhet “Shangai”. Vëllai më i madh ka talent në futboll dhe bëhet sulmues i njohur duke veshur në karrierë bluzat e skuadrave si Torino, Parma, Valencia, Shakhtar Donetsk dhe Livorno. Te kjo e fundit mban fanellën me numrin 99 (vit i krijimit të tifogrupit të majtë Brigadatat Autonome Livorneze) dhe golat i feston duke përshëndetur me grusht.

Alessandro, dy vjet më i vogël, luan në mbrojtje dhe është shumë më pak nën reflektorë se Cristiano. Karriera e tij endet mes serive B dhe A te Piacenza, Palermo, Brescia, Livorno e Reggina. Në vitin 2008 vjen thirrja nga Parma, ku luante në atë kohë edhe i vëllai. Mbrojtës sakrifice dhe lojtar me karakter duke arritur disa ngjitje në kategori me skuadrat ku luajti, Alessandro nuk shmangu dot atë etiketën “vëllai i filanit”.

Me dukalët nis një histori deri tani 10 vjeçare që ka pak të ngjashme me të tjera në futbollin modern. Fiton publikun dhe bëhet lojtar i rëndësishëm i skuadrës duke u bërë kapiten i Parma-s në sezonin e gjashtë si verdheblu. Në kampionatin Italian 2014-15 klubi nis kalvarin e gjatë të problemeve financiare. Bilancet janë bërë e ç’bërë disa herë, mashtrimet ndjekin njëri-tjetrin dhe në pronësinë e klubit shfaqen muaj pas muaji persona e personazhe të panjohur, midis tyre edhe ndonjë argjendar shqiptar.

Futbollistët e rëndësishëm largohen që në janar, nuk paguhen prej muajsh dhe shfrytëzojnë rastin për të gjetur një skuadër tjetër. Mbesin shumë pak, njëri mbi të gjithë, kapiteni që publikisht kërkon disa herë të paktën të sigurohen fonde për të paguar magazinierët, rojet, punëtorët e fushës dhe kur skuadrës i ndalohet të hyjë në kompleksin stërvitor që dikur i përkiste klubit – tani jo më pasi pronat e klubit qenë sekuestruar nga gjykata – është i pari që udhëheq shokët në stërvitjet parqeve të qytetit. Bëhej fjalë për një ekip të Serisë A.

Falimentimi vjen në fundin e sezonit dhe Parma tani e rënë në Serinë B merr goditjen finale: rikthimin mes më të mirëve duhet t’a nisë nga Seria D. Motivet dihen, janë financiare. Në Itali Seria D është gjysëm profesioniste dhe riorganizimi i klubit duhet të nisë nga zero. Ose më mirë me thënë nga njëshi. Alessandro Lucarelli vendos të qëndrojë! Tani askush nuk guxon t’a quajë më “vëllai i filanit” apo t’i thotë “i rekomanduar”.

Sezoni në Serinë D qe i sakrificës, besimit dhe frikës nga zhdukja. Kur të gjithë u larguan dhe ambienti kishte nevojë për simbole, për një njeri të fortë që të nxirrte fytyrën e t’i bënte ballë problemeve, Parma atë e gjeti te Alessandro Lucarelli. Dakord qe 38 vjeç, s’kishte mundësi të tjera të arta në karrierë. Mund të tërhiqej, nuk e bëri. Mund të luante shumë mirë në Serinë B, as atë nuk e bëri. Qëndroi kur të gjithë ikën. Arrin të shënojë dhe bashkë me Parma-n ngjitet në Lega Pro.

Në sezonin 2016-17 verdheblutë arrijnë një tjetër sukses. Ngjiten në B sërish të udhëhequr nga kapiteni tashmë 40 vjeçar. Edhe në këtë kampionat Lucarelli arrin të shënojë.

Sezoni aktual, ai 2017-18 mund të jetë historik për Parma-n. Kur kanë mbetur edhe 3 javë për t’u luajtur, ekipi është në një pozicion që i siguron ngjitjen direkte në Serinë A. Sërish me kapitenin, që edhe në këtë kampionat ka arritur të shënojë por ndryshe nga kohë më parë, çunat e skuadrës nuk i udhëheq parqeve të qytetit. Nëse Parma ngjitet, do të bëhej skuadra e parë që kalon 3 kategori në 3 sezone rresht. Lucarelli ndërkohë është i vetmi lojtar që për verdheblutë ka shënuar në të gjitha nivelet, A, B, Lega Pro e D dhe është bërë lojtari me më shumë ndeshje në historinë e Parma-s.

Në tetor ekipi luajti kundër Brescia-s, qytet nga vjen edhe ish-presidenti Tommaso Ghirardi, njeriu që falimentoi klubin dhe e detyroi Parma-n të niste nga Seria D. Kapiteni sërish tërhoqi vëmendjen me një letër publike:

“I dashur President,

Për ty të dielën do jetë një derbi i veçantë, mes skuadrës së qytetit tënd dhe asaj tjetrës për të cilën bëre aq mirë.

I bëre mirë, po, pasi cili është ai tifoz që nuk do të donte të shikonte skuadrën e tij të falimentuar në mes të sezonit, cili është ai tifoz që nuk do të donte që skuadra e tij të mbytej në borxhe e të tallej nga gjithë Italia, cili tifoz nuk do të donte të luante një kampionat të bukur në Serinë D e të endej mes rërës në Lega Pro.

Më vjen keq që je larguar president, sepse këtu mund të mburreshe siç të pëlqente të bëje kur thoje që ‘kam sjellë Parma-n aty ku i takon’, por ti nuk je i tillë, ty të pëlqen të bësh mirë e t’ja mbathësh duke lënë pas kujtime të ëmbla.

Për këtë arsye të ftoj në stadium e të të falenderojmë personalisht. Nëse pranon, të lutem eja pak herët, sepse do të jemi të shumtë në numër.

Të parët në radhë do jenë punëtorët që mbetën pa punë, më pas të gjithë furnizuesit e klubit që i le pa paguar, tifozët dhe i gjithë qyteti që i turpërove dhe i bëre qesharakë në sytë e Italisë. Në fund lojtarët që mbetën pa kontrata.

Të kërkoj edhe diçka të fundit, nëse ke vend në makinë, sill edhe atë shokun nga Roma (shënim: Giampietro Manenti) se edhe ai duhet falenderuar për punën e bërë.

Kur të dilni nga stadiumi provoni të kaloni pranë bustit e të lexoni gjithë emrat, por mos u dukni te muzeu i historisë tonë 104 vjeçare. Pavarësisht të mirave që na keni bërë, aty nuk ka vend për ju.”

Alessandro Lucarelli, Burrë…

Leave a Reply