Ndeshja që (nuk) nisi një luftë

Në Kroaci ka 1 javë që janë mbajtur zgjedhjet e para të lira parlamentare. Fitues i djathti Franjo Tuđman i Bashkimit Demokrat Kroat (HDZ në gjuhën lokale). Vendi zien gjithmonë e më shumë. Marshalli Tito është ndarë nga jeta prej 10 vitesh dhe shkëputja nga Jugosllavia kërkohet me ngulm.

Është 13 maj i vitit 1990. Në Zagreb, në stadiumin “Maksimir” Dinamo vendase pret Yllin e Kuq të Beogradit (Crvena Zvezda). Ndeshja nuk ka rëndësi për rezultatin pasi fatet e sezonit janë vendosur. Skuadra nga Beogradi është e para me titullin e siguruar ndërsa të dytët janë kroatët.

Megjithatë një natë përpara në kryeqytetin e Kroacisë mbërrijnë rreth 2 mijë serbë të cilët nuk janë të qetë dhe nisin të përplasen me vendasit. Policia mundohet t’i ndalojë dhe i ruan nga afër në orët që paraprijnë ndeshjen. Ajo që ndodh në stadium nuk ka të krahasuar me incidentet rrugëve të Zagrebit.

Në mbështetje të ekipit serb, në Kroaci ndodhet edhe Željko Ražnatović, i njohur ndryshe edhe si “Arkan”, më vonë kriminel lufte dhe i vrarë në Beograd në vitin 2000. Asokohe një nga drejtuesit e tifogrupit Delije.

Në stadium serbët priten me kore nacionalistë dhe ofendime nga kroatët. Fillimisht nisin me shkuljen e stolave plastikë për t’i lëshuar drejt kroatëve. Përplasja nga verbale kthehet në fizike kur grupe nga të dyja palët e tifozerive (kroatët janë ata të Bad Blue Boys) zbresin në fushën e lojës dhe dhuna ashpërsohet. Në mes hyjnë edhe lojtarët që kërkojnë nga policët të shmangin dhunën e të mos godasin tifozët. Në Kroaci pretendohet se forcat e rendit të komanduara nga Jugosllavia, atë ditë rrahën pa arsye shumë tifozë të Dinamo-s dhe nuk parandaluan ata të Yllit të Kuq.

21 vjeçari Zvonimir Boban, kapiten i skuadrës kroate i afrohet një polici dhe ajo që ndodh në çastet në vijim është treguar nga vetë futbollisti:
“Ju afrova i nxehur dhe i thashë: T’ju vijë turp, po masakroni fëmijë!
Më goditi dy herë dhe më bërtiti: Shko more këlysh kurve se edhe ti si gjithë të tjerët je…
Aty mu errësuan sytë dhe i gjuajta me gju duke i thyer nofullën.”

Episodi shndërrohet në simbolin e asaj dite ndërsa situata qetësohet disa orë më vonë, kur të mbledhur në një tren të posaçëm, mbështetësit e skuadrës serbe dërgohen për Beograd.

13 maji i vitit 1990 nga Bad Blue Boys sot përkujtohet si dita që nisi luftën për shkëputje nga Jugosllavia, por në të vërtetë edhe vetë Boban luajti për përfaqësuesen jugosllave deri në shpërbërjen e saj, në vitin 1991.

Kroatët për ngjarjen pretendojnë se u sulmuan nga serbët për të frenuar aspiratat për pavarësi, ndërsa serbët kanë versionin e tyre: qeveria e Tuđman përshkallëzoi situatën për të përshpejtuar procesin e shkëputjes nga Jugosllavia.

Kroacia shpall pavarësinë më 25 qershor 1991 ndërsa në rajon vitet në vijim do përjetohet nga banorët fatkeqë një ndër konfliktet më të përgjakshëm të historisë së njerëzimit.

Më vonë u mësua që polici me të cilin u përplas Boban qe boshnjak. “Futbollistin e kam falur. Në atë kohë ishim të gjithë të verbër nga urrejtja…”

Leave a Reply