Ultras Ahlawy – Pranvera Arabe dhe revolucioni i ndezur në tribuna

Më 1 shkurt 2012, Egjipti përjeton një nga tragjeditë më të mëdha kombëtare në gjithë historinë e tij. 74 persona humbën jetën në një stadium futbolli. Në Port Said, luhej Al Masry-Al Ahly dhe në përfundim të ndeshjes, tifozët e skuadrës vendase nisin një sulm me gurë, thika, shishe qelqi të thyera e fishekzjarre duke lënë edhe rreth 500 të plagosur.

Policia, gjatë zhvillimit të “kasaphanës” qëndroi kryesisht si spektatore.

Pothuajse të gjithë fatkeqët, 72 prej tyre, qenë pjesë e Ultras Ahlawy, tifogrupi i Al Ahly dhe protagonistë të revolucionit të një viti më parë në Kairo, ku në sheshin Tahrir kërkohej rrëzimi i regjimit të Hosni Mubarak dhe niste ajo që do të njihej botërisht si Pranvera Arabe.

Gjatë sulmit, shumë tifozë të Al Ahly kërkuan shpëtim duke u futur në dhomat e zhveshjes së futbollistëve. Por disa prej tyre vdiqën aty si pasojë e plagëve të marra më parë, në sytë e tmerruar të lojtarëve. Një 13 vjeçar, viktima më e vogël në moshë, dha shpirt në duart e idhullit të tij duke i thënë: “Kapiten, ka qenë ëndrra ime të të takoja…”

AHLAWY Ultras Ahlawy quhet tifogrupi që mbështet Al Ahly-n, klubin më të titulluar në Egjipt e njëkohësisht Klubi Afrikan i Shekullit (çmim i dhënë nga Konfederata Afrikane e Futbollit në vitin 2000). Të krijuar në vitin 2007, Ultras Ahlawy nisin të mbështesin skuadrën e zemrës sipas mënyrës ultras, dashuri pa kushte e shoqëruar shpesh me koreografi spektakolare, sidomos në përballjet derbi kundër Zamalek, skuadrës tjetër të madhe në Kairo.

Përveç pasionit për futbollin dhe gjallërimit të tribunave, Ultras Ahlawy hyjnë në historinë e Egjiptit si një nga organizatat apo grupimet e pakta që kanë mundësi të bëjnë opozitë kundër regjimit të Hosni Mubarak, për 30 vjet me radhë sundues i vendit.

Në një kohë kur janë të ndaluara me ligj sindikatat dhe partitë opozitare, ky grup djemsh të rinj nis të ngrejë zërin gjithnjë e më shumë ndaj padrejtësive sociale apo dhunës policore, karakteristike e regjimit të Mubarak.

Shkallët e stadiumit kthehen në një arenë proteste dhe zëri popullor i Ultras Ahlawy përhapet me shpejtësi edhe jashtë ambientit sportiv. Në vitin 2011, në sheshin Tahrir të kryeqytetit nis Pranvera Arabe, emri që merr protesta kombëtare që kërkon rrëzimin e Hosni Mubarak dhe diktaturës që sundon Egjiptin që prej vitit 1981.

Me Ultras Ahlawy bashkon forcat edhe tifogrupi i Zamalek, White Knight (kalorësi i bardhë), duke lënë mënjanë ndasitë sportive e duke qenë në vijën e parë të protestës për një të ardhme më të mirë.

Kur popullsisë i mungoi guximi dhe forca për të mposhtur padrejtësitë, revolucioni që rrëzoi Mubarakun dhe kastën e tij, u frymëzua nga tribunat e stadiumeve të futbollit.

PORT SAID Në një Egjipt të frymëzuar e me shpresën për një ndryshim pozitiv, diku rreth një vit pas Pranverës Arabe luhet akoma futboll. Natyrisht. Al Masry vendas pret Al Ahly, që në këtë transfertë shoqërohet nga rreth 1 mijë tifozë. Kontrollin e tribunës mike e ka Ultras Ahlawy. Gjatë ndeshjes vihen re lëvizje të çuditshme nga tifozeria vendase. Futen njëherë në fushë pa përfunduar i gjithë takimi. Tërhiqen.

E bëjnë sërish pas vërshëllimës finale të gjyqtarit. Në vend që të festojnë fitoren 3-1, arritje që mungonte prej 3 sezonesh në Port Said, kalojnë nëpër fushë e dhunojnë lojtarët e Al Ahly, të cilët nxitojnë të futen në dhomat e zhveshjes. Më pas drejtohen, të armatosur me gurë, thika, shishe qelqi të thyera e fishekzjarre. Policia nuk ndërhyn për të parandaluar tragjedinë.

Bilanci numëron 74 të vdekur, 72 prej të cilëve tifozë të Al Ahly dhe qindra të plagosur. Dëshmitë e të mbijetuarve dhe pamjet filmike apo fotot e shkrepura në çastet e tmerrit bëjnë që të hidhet akoma më shumë dritë mbi këtë ngjarje tragjike.

Fillimisht cilësohet si përplasje banale mes tifozësh, variant që hidhet poshtë nga banorët e Port Said. Atë ditë në turmën që sulmoi kishte agjentë të infiltruar, policia nuk mori asnjë masë parandaluese dhe pak minuta para përfundimi të ndeshjes në tribunën mike u mbyllën dyert e u fikën dritat.

Nga organizatat humanitare apo palët asnjanëse, tragjedia e Port Saidit cilësohet si hakmarrje ndaj Ultras Ahlawy dhe rolit të tyre protagonist në Pranverën Arabe të një viti më parë.

ABOUTRIKA Një 13 vjeçar, viktima më e vogël në moshë, dha shpirt në duart e idhullit të tij duke i thënë: “Kapiten, ka qenë ëndrra ime të të takoja…”

Kapiteni ishte ai i Al Ahly, Mohamed Aboutrika, egjiptiani më i mirë ndonjëherë në futboll e që nga ajo ditë ikonë sociale kombëtare.

Pa luajtur asnjëherë në Europë, Aboutrika qe protagonist absolut në Kupat e Afrikës në vitet 2008 (duke shënuar golin vendimtar në finale) e 2010 e gjithashtu pjesë e skuadrës në Kupën e fituar në vitin 2006. Fitues i shumë çmimeve individuale dhe lojtari më i mirë i Al Ahly, me të cilin fitoi 5 herë Champions-in afrikan, Mohamed Aboutrika është futbollisti më popullor në Egjipt, më shumë se Salah (për t’u diskutuar) Mido, apo edhe Elneny.

Por ajo që e shndërroi hero të masave edhe nga pikëpamja sociale qe pikërisht nata tragjike e Port Saidit.

Pas kthimit në Kairo, Aboutrika vizitoi një nga një të gjitha familjet e viktimave e në nder të tyre mbajti fanellën me numër 72 në të vetmen përvojë jashtë Egjiptit, kur në vitin 2013 luajti si i huazuar për klubin e Baniyas, në Abu Dabi.

 

 

 

 

Leave a Reply