Demokracia korinthiane

“Do të doja të vdisja për ditë të diele, mundësisht kur Corinthians të jetë duke festuar titullin kampion…” (viti 1983)

Autorin e fjalisë së mësipërme, i ati e quajti Sócrates pasi lexoi “Republikën” e Platonit. Një autodidakt i varfër me pasionin për letërsinë, të birit i transmetoi kulturën e të lexuarit duke e shtyrë më vonë të regjistrohej në universitet dhe të studionte e të diplomohej në mjekësi.

Si çdo brazilian i mirë në perceptimin kolektiv, i biri dinte të luante edhe futboll. Dinte të luante mirë…

Kjo është historia e një prej interpretuesve më të veçantë të lojës së bukur, njëkohësisht doktor e muzikant dhe kapiten i Seleção-s në një Kupë Bote, Sócrates Brasileiro Sampaio de Souza Vieira de Oliveira.

Sócrates luan futboll në një kohë kur nëpër kontinent grushte shteti pasojnë njëri-tjetrin. E njëjta gjë ndodh edhe në Brazil, ku qeveris një juntë ushtarake diktatoriale.
Pasi dallon te Botafogo, në vitin 1978 “O Doutor” kalon te Corinthians duke i dhënë jetë një fenomeni social të paprecedent:
çdo vendim në skuadër merret me votë, të drejtën e së cilës e kanë që nga lojtari më i rëndësishëm e deri te magazinieri.
Me votim vendosen dieta e futbollistëve ashtu edhe oraret e stërvitjes, grumbullimet përpara ndeshjeve por edhe merkato.
Jo më kot, drejtor teknik i Corinthias është një personazh që vjen jashtë futbollit, sociologu Adilson Monteiro Alves.

Fenomeni merr emrin e “Demokracisë korinthiane” duke bërë jehonë të madhe në popull, në një kohë kur Brazili ishte nën diktaturë.
Eksperimenti rezulton i suksesshëm, duke qenë se Corinthians shpallet kampion në vitin 1982 she 1983 dhe shndërrohet në një prej skuadrave më të dashura në vend.
Lojtarët shfrytëzojnë shikueshmërinë duke zbritur në fushën e lojës me mesazhe të stampuar nëpër fanella, ku për shembull sensibilizonin popullin të merrte pjesë në votime.

Si të gjithë gjërat e bukura edhe “Demokracia korinthiane” zgjat pak, kur pas mosmarrëveshjesh mes drejtuesve të klubit disa nga lojtarët kryesorë largohen.

Sócrates kalon në Itali te Fiorentina, ku bie në sy për stilin e tij të jetës, atipik për një futbollist dhe zgjedhjet në letërsi:
“Jam këtu për të lexuar Antonio Gramci-n në gjuhën e vet”, ndërsa tymoste e pinte alkool mbi normalen.
“Pse pi? Pse duhet të shtirem e të shfaqem ai që nuk jam?!”

“Nuk më pëlqejnë grumbullimet apo faza përgatitore. Në Brazil formën e arrijmë duke luajtur futboll…”

Njëherë nuk festoi pasi shënoi 3 gola në një ndeshje, duke u shpjeguar: “Javën e kaluar nuk luajta mirë e u shava pa fund. Mendoni se tani jam kthyer në perëndi pas 3 golave që bëra?”

Pasi u tërhoq nga futbolli i luajtur, Sócrates ushtroi profesionin e mjekut. Për Pelè qe “lojtari më inteligjent në historinë e fubollit brazilian”.

Më 4 dhjetor 2011 “O Doutor” ndahej nga jeta. Ishte ditë e dielë dhe Corinthians festonte titullin kampion…

 

Leave a Reply