Derbi i Londrës veriore

Londra është një qytet me shumë skuadra futbolli dhe si rrjedhojë banorët e kryeqendrës angleze kanë fatin të shijojnë shpesh përballje derbi. Një ndeshje me përmbajtje të fortë emocionesh e rivaliteti është ajo Tottenham-Arsenal, The North London Derby (derbi i Londrës veriore).

Tottenham Hotspur fillimisht qe një skuadër kriketi që u shndërrua në ekip futbolli për të ruajtur formën sportive gjatë muajve të dimrit. Klubi krijohet nga një grup studentësh universitarë të Tottenham, lagje e Londrës, në vitin 1882. Deri në vitin 1885 Spurs-at ndeshen vetëm me skuadra nga lagjet e tjera të qytetit.

Stadiumi White Hart Lane u vu në përdorim prej vitit 1899 dhe u ndërtua në të njëjtin truall ku më parë ndodhej një fabrikë birre. Për të bindur pronarët e fabrikës të shisnin terrenin, drejtuesit e Tottenham i ofruan të drejtën ekskluzive të shitjes së pijeve në stadiumin e ri.

Arsenal krijohet në vitin 1886 nga punëtorët e fabrikës së punimit të armëve, Woolwhich Warren, sot Royal Arsenal. David Danskin, një skocez që punonte aty arriti të realizojë një dëshirë tijën të hershme kur u puq me dy kolegë të ardhur nga qyteti i Nottingham. Dëshira: krijimi i një skuadre futbolli të përbërë nga punëtorët e fabrikës.

Fillimisht ekipi i ri u quajt Dial Square, emri i njërit prej reparteve të fabrikës. Emërtim që u ndryshua pak muaj më vonë në Royal Arsenal. Për ngjyrat sociale, të bardhën dhe të kuqen, ndikuan njohjet e dy punëtorëve nga Nottingham. Njëri prej tyre, ish lojtar i Forest, u qeras nga shokët e vjetër me disa fanella të kuqe dhe një top.

Fatet e dy skuadrave përplasen që në vitet e themelimit. Më 19 nëntor 1887 luhet derbi i parë i Londrës veriore. Lojtarët e Arsenal paraqiten me një orë vonesë e kur ndeshjen po e fitonte Totthenham me rezultatin 2-1 The Gunners (topçinjtë, si skuadra e fabrikës së armëve) tërhiqen nga loja për shkak të errësirës. Ky ishte episodi i parë i fërkimeve mes dy klubeve londinezë.

Në vitin 1913, klubi i Arsenal spostohet nga jugu i qytetit për në pjesën veriore, në Highbury. Pak më tutje ndodhet edhe Tottenham, që nuk e sheh me sy të mirë afrimin logjistik të rivalëve në një zonë ku deri në atë kohë ishin vetë të parë.

Më 1919 situata ashpërsohet. Tottenham renditet në vendin e 20 në divizionin e parë ndërsa Arsenal i 6 një kategori më poshtë. FA vendos të shtojë numrin e skuadrave nga 20 në 22 për sezonin në vijim dhe kur vendoset se cilat skuadra bien e cilat ngjiten, presidenti i atëhershëm i Arsenal Henry Norris bind drejtuesit e federatës të ngjisin skuadrën e tij. Në dëm të Tottenham!

Zonja e zotërinj, një rivalitet në derbi nis për shumë më pak se kaq…

Leave a Reply