Portieri i çuditshëm i Hollandës

I lindur në Amsterdam, Jan Jongbloed në vitet ’60 ishte një i ri që punonte si duhanshitës dhe në kohën e lirë luante futboll në rolin e portierit. Topi nuk ishte as pasioni i tij i parë, pasi Jan adhuronte peshkimin. Por meqë në dimër ujërat ngrinin i dedikohej topkëmbës duke u aktivizuar me skuadrën DWS.

Vitet ’60 janë dëshmitarë të ndryshimit të madh në futbollin hollandez. Bota do të shohë shumë shpejt elegancën dhe shpejtësinë e lojës së bukur që vjen nga vendi i tulipanëve dhe do e emërtojë si “futbolli total”. Përpara se të mbërrijë kjo kohë, heroi ynë është akoma gjysëm profesionist dhe e fiton jetesën kryesisht nga shitja e duhanit në një dyqan në Amsterdam.

Në vitin 1962, 22 vjeçar, Jongbloed thërritet në kombëtare. Luan disa minuta në Kopenhagen të Danimarkës, ku Hollanda mundet 4-1 nga vendasit. Mjafton si minutazh për të mos u thërritur më në përfaqësuese 12 vitet në vazhdim. Ka të tjerë më të mirë se ai…

Jan Jongbloed kënaqet me mundësinë që i jepet (të grumbullohesh e të luash për skuadrën kombëtare nuk i ndodh të gjithëve) e ndërkohë vazhdon të shesë duhan ditën e të stërvitet darkave me DWS, skuadër me të cilën fiton titullin kampion të Hollandës në sezonin 1963-64.

Cilësitë e tij si portier janë mesatare, por Jongbloed dallon për aftësitë në lojën me këmbë dhe mënyrën atipike me të cilën e interpreton rolin, duke luajtur disa metra larg vijës fatale.

Pak javë përpara botërorit Gjermani ’74, Hollanda e trajnerit Rinus Michels luan një miqësore kundër Argjentinës. “Ustait” i pëlqen ai portieri që luan mirë me këmbë dhe pas plot 12 vitesh nga hera e parë dhe e fundit afron duhanshitësin në kombëtare. Jo vetëm kaq por e cakton në rolin e titullarit. Në një skuadër me Cruyff, Neeskens, Rep…

Në Kupën e Botës Jan Jongbloed vesh fanellën me ngjyrë të verdhë dhe për çudinë e të gjithëve zgjedh të mbajë numrin 8 mbi supe e të luajë pa doreza. Pëson vetëm një gol deri në ndeshjen finale (autogol i Ruud Krol), aty ku Hollanda spektakolare mundet nga 2-1 nga Gjermania vendase.

Përralla e Jongbloed nuk përfundon me kaq. Portieri vazhdon të luajë në kampionatin vendas me FC Amsterdam e Roda JC dhe thërritet si portier i tretë në Kupën e Botës Argjentinë ’78. Hollanda kualifikohet sërish për në finale dhe si pasojë e dëmtimit të kolegëve të tij, Jan Jongbloed, tashmë 38 vjeçar luan sërish në ndeshjen më të rëndësishme të një botërori. Edhe kësaj here, portokallinjtë munden nga vendi organizator, duke mos arritur të shpallen kampionë bote.

Jan Jongbloed luan futboll deri në moshën 45 vjeçare, kur një infarkt e godet në stërvitje me skuadrën e tij Go Ahead Eagles. E merr veten, por nuk mund të luajë më futboll. Një vit më parë, portierit duhanshitës i ishte ndarë nga jeta në mënyrë tragjike i biri 20 vjeçar. Futbollist si i ati, Jongbloed junior goditej nga rrufeja gjatë një seance stërvitore.

Ç’jetë…

Leave a Reply