The Busby Babes dhe katastrofa ajrore e Mynihut

“Zonja dhe zotërinj, ju flas nga krevati im në spitalin e Mynihut, ku gjendem që prej aksidentit tragjik të një muaji më parë.
Dua t’ju njoftoj se lojtarët e mbetur dhe unë jemi jashtë rrezikut për jetën…”

Në shtrat mes dhimbjes fizike dhe vuajtjes shpirtërore, në një lidhje telefonike që dëgjohet në altoparlantët e stadiumit Old Trafford, trajneri Matt Busby i drejtohet tifozëve të Manchester United pas tragjedisë ajrore të Mynihut, ku humbën jetën 23 pasagjerë, mes të cilëve edhe 8 futbollistë të skuadrës.

Kjo është historia fituese dhe tragjike e Busby Babes – vogëlushëve të Busby-t; le ta nisim tregimin e saj nga fillimi.

Matt Busby, skocez dhe i biri i një minatori në karrierën e tij futbollistike dallohet në Angli, ku aktivizohet si sulmues me Manchester City e më pas me Liverpool.
Aktiviteti i tij si lojtar ndërpritet me fillimin e luftës së II botërore, kur Basby lë topin dhe rrëmben armët në shërbim të ushtrisë angleze në qytetin portual.
Me përfundimin e konfliktit, tashmë togerit Busby i ofrohet mundësia të jetë futbollist e njëkohësisht zv.trajner i të kuqve të Liverpool, por me elegancë kthen përgjigje negative: “Kam mundësinë të jem trajner i parë i Manchester United, qytet i cili më tërheq që nga koha luaja për City-n.”

Është viti 1945 dhe Old Trafford i shkatërruar nga bombardimet gjermane nuk do përdoret deri në vitin 1949.
Busby, bir i një minatori dhe i rritur nga e ëma (i ati dhe xhaxhallarët vriten në konfliktin e parë botëror) nuk trembet nga sakrificat.
Presidentit të United i kërkon një kontratë 5 vjeçare, kohë e nevojshme sipas tij për të formuar një skuadër dominuese.
Shpërblen besimin e drejtuesve, kur më 1952 sjell pas 41 vitesh mungesë titullin kampion në Old Trafford.
Në sezonin 1955-56 vjen titulli i dytë i epokës Busby.
Lojtarët që ka në skuadër, kanë si moshë mesatare 22 vjeç, më e ulëta ndonjëherë për një skuadër kampione.
Nga këtu emërtimi Busby Babes.

Tekniku skocez është ambicioz. Kërkon që skuadra e tij të konfirmohet në Europë. Konkretisht në turneun e sapokrijuar, Kupën e Kampionëve.
Më 6 shkurt 1958, avioni me në bord lojtarët e Manchester United, nga Beogradi (ku skuadra ka barazuar 3-3 duke eleminuar në çerekfinale Yllin e Kuq) ndalon për furnizim karburanti në Mynih.
Lojtarët, djem të rinj në moshë, janë të lumtur për kalimin në gjysëmfinale, ku i pret Milan.
Kushtet atmosferike nuk janë optimale për fluturim, në Mynih ka rënë borë.
Pas 3 tentativash avioni nuk arrin të niset dhe në të fundit përplaset fatalisht me murin rrethues të aeroportit e më pas me një shtëpi aty pranë.
Bilanci është tragjik. Humbin jetën 23 njerëz, mes të cilëve lojtarët Roger Byrne, Geoff Bent, Eddie Colman, Duncan Edwards (pas 15 ditësh lëngim), Mark Jones, David Pegg, Tommy Taylor dhe Bill Whelan.

Shpëtojnë, mes të tjerëve, trajneri Matt Busby dhe Bobby Charlton. Sipas të vëllait Jack, Bobby që prej asaj dite nuk qeshi më në jetën e tij.

Pas disa muajsh rehabilitim, Busby mendoi tërheqjen nga futbolli, duke u ndjerë përgjegjës për tragjedinë. Ishte ai që vendosi pjesëmarrjen e United në Kupën e Kampionëve në një kohë kur turneu snobohej nga klubet anglezë.

Megjithatë u bind të ndryshonte qëndrim dhe krijon nga fillimi një superskuadër me në qendër të projektit pikërisht Bobby Charlton.
Afrimi i Dennis Law dhe George Best në vitet ’60 bën që United të shndërrohet në një prej skuadrave më të forta të Europës.
Në vitin 1968, 10 vjet e 3 muaj pas tragjedisë së Mynihut, Manchester United shpallet kampion i Europës duke mundur 4-1 në finale Benfica-n e Eusebio-s.
Në finale shënon dy herë Bobby Charlton, i cili në fundin e takimit përqafohet gjatë e në heshtje me Busby-n.
United bëhet i pari klub anglez që fiton trofeun më prestigjoz për klube, ndërsa Matt Busby tërhiqet nga karriera e trajnerit një vit më vonë.

Leave a Reply