39 të rënët e një finaleje: tragjedia e “Heysel”

“Më kujtohet që po e mbaja për dore time bijë dhe e lëshova kur ndjeva që kisha njerëz sipër, të cilët po më shtypnin.
Mendoja se nëse nuk ja lëshoja dorën do e tërhiqja edhe atë me vete.
Me fytyrën përtokë siç isha mund të kem humbur ndjenjat për rreth 20 apo 30 sekonda. Kur e marr sërish veten shikoj njerëz të shtrirë të mbuluar me plasmas. Pyes ata që njihja nëse dikush kishte parë vajzën time. Askush nuk mu përgjigj deri kur poshtë njërit prej plasmaseve dalloj një palë atlete me ngjyrat bardhë dhe blu. Ishin të Giusy-t…”

Giuseppina Conti, 17 vjeç, gjimnaziste me pasionin për gazetarinë sportive dhe tifoze e Juventus më 29 maj 1985 ndodhet në Bruksel bashkë me të atin Antonio. Skuadra e zemrës diskuton ndaj Liverpool trofeun më prestigjoz për klube, Kupën e Europës. Giusy është e lumtur dhe telefonon të ëmën: “O ma jemi mirë. Do kthehem bashkë me kupën!”

Antonio dhe e bija Giusy, biletat i kanë në sektorin Z të stadiumit “Heysel”, pritës i finales së madhe. Teorikisht është një sektor për tifozët neutralë belgë, por biletat janë shitur në tregun e zi dhe në të gjenden shumë italianë, pjesa më e madhe natyrisht tifozë me Juventus. Ngjitur me tribunën Z ndodhet sektori X, të ndarë me njëri tjetrin nga një rrjetë e vogël dhe e dobët teli metalik. Në sektorin X ndodhet tifozeria e organizuar e Liverpool.

Anglezëve, diku rreth një orë përpara nisjes së takimit, i shkon ndërmend të nisin një “take an end” (shqip pushto një tribunë) duke mësyrë në sektorin Z e duke vënë përpara tifozët italianë, të paorganizuar e kryesisht familjarë. Të gjendur të papërgatitur e shumë të frikësuar nga hovi i dhunshëm i anglezëve, italianët nisin të tërhiqen. Në fushë nuk zbresin dot e marrin për nga skaji tjetër i tribunës. Mes kaosit shumë rrëzohen përtokë e të tjerë mbesin të asfiksuar nga shtypja.

Në pak çaste tribuna nga e cila njerëzit do të shikonin shfaqjen sportive merr pamjen e një skene lufte. Bilanci është tragjik!

Përmasa e ndodhisë do të kuptohet pak më vonë ndërkohë që fillojnë të dallohen trupat e parë të pajetë. Mbulohen aty për aty me plasmasë. Në anën përkarshi, aty ku ndodhet tifozeria e organizuar juventine fillimisht nuk kuptohet se ç’po ndodh përballë tyre. Rreziku i një sulmi hakmarrës është i madh. Policia belge është e papërgatitur dhe UEFA insiston që ndeshja të luhet për arsye të rendit publik.

Stadiumi është i papërshtatshëm, i vjetër dhe nuk plotëson kushtet për të përballuar ngjarje të këtij niveli. Organizimi është amatoresk dhe autoritetet janë të paaftë e rrjedhimisht zbulohen të papërgjegjshëm.

Në dhomat e zhveshjes (sipas dëshmive të vetë lojtarëve) diçka merret vesh. Flitet për viktima, numri i saktë do të mësohet më vonë. UEFA u kërkon dy klubeve që ndeshja të luhet. Pak më vonë kapitenët e dy skuadrave me megafon u bëjnë thirrje tifozerive respektive për të ruajtur qetësinë.

Takimi fillon me 55 minuta vonesë. Atmosfera është e nderë. Komentatori i RAI-t, Bruno Pizzul jep lajmin në lidhje të drejtpërdrejtë. “32 njerëz (numri fillestar) janë ndarë nga jeta por çuditërisht konfirmohet se ndeshja do të luhet”, tregon Pizzul.
Përpara tribunës së shtypit afrohet një djalë që i kërkon gazetarit t’i thotë në mikrofon të ëmës se është gjallë. Bruno Pizzul me vështirësi e refuzon, në respekt të nënave të tjera që janë përpara televizorit në ankth për shëndetin e fëmijëve e të afërmve të tyre. Televizioni gjerman vendos të mos e transmetojë takimin ndërsa ai austriak del me titrat: “Kjo që po shikoni, nuk është një shfaqje sportive.”

Ndeshja dhe Kupa e Europës fitohen nga Juventus. Një penallti e marrë një metër jashtë zone kthehet në gol nga Platini, i cili feston me grusht përballë sektorit Z! Festim i cili sot e kësaj dite ngjall akoma polemika. Disa metra më tutje sapo ishin ndarë nga jeta 39 njerëz…

Pas ndeshjes, portieri i Liverpool Bruce Grobbelaar shkon të kërkojë falje në autobuzin e Juventus. Pa patur faj vetë…

Atë natë në “Hesyel” qenë 58 mijë spektatorë me biletë; 5 mijë spektatorë anglezë pa biletë; 5 punonjës police në ndarjen midis sektorëve X dhe Z. 28 punonjës policie të tjerë po ndiqnin një hajdut salçiçesh jashtë stadiumit, ndërsa afër tribunës Z nuk ndodhej asnjë skuadër shpëtimi në rast rreziku.

Më 29 maj 1985, përpara finales së Kupës së Europës Juventus-Liverpool, humbën jetën në Bruksel 39 njerëz (32 italianë, 4 belgë, 2 francezë e 1 irlandez). Më i vogli Andrea Casula, vetëm 10 vjeç.

Pa respekt për viktimat ndeshja u luajt dhe më vonë UEFA përjashtoi për 5 edicione klubet anglezë nga çdo kompeticion europian.

Duke qenë se kafshëria nuk ka komb, i ati i Giusy-t tregon: “Po qaja për humbjen e time bije dhe i pari që mu afrua për të më ngushëlluar qe një zotëri anglez…”

Leave a Reply